TIRANE - Ish-politikani Dritan Prifti është paraqitur me iniciativën e tij në Prokurorinë e Tiranës për të dëshmuar në lidhje me hetimet që po kryhen për skandalin me CEZ, e konkretisht kontratës me kompaninë e mbledhjes së borxheve DIA. Burime për Shqiptarja.com thanë se Prifti ka dorëzuar një video 40 sekondëshe ku shfaqet drejtori ekzekutiv I DIA-s Elvis Mata, në të cilën akuzon se Agron Çela – deputet i LSI- ka përfituar drejtpërdrejtë nga fondet e DIA-s.

Pas më tepër se dy orë qëndrimi në prokurori, Dritan Prifti tha ne nje deklarate te shkurter per mediat se kishte dorëzuar në prokurori prova dhe fakte implikuese për kreun e Kuvendit Ilir Meta.

Ekzistencën e kësaj video Prifti e njoftoi pasi mbaroi dëshminë në Policinë e Tiranës për letrën e Spartak Brahos, pak ditë më dhe tha se në ato video ka prova se Agron Çela deputet i LSI në Shkodër kish fituar para nga DIA.

Hetimet për aferën e CEZ mbeten ende të hapura, ndërsa pritet që brenda muajit tetor Prokuroria t’i dorëzojë gjykatës kërkesën për gjykim ndaj Kastriot Ismailajt personit të dyshuar për pastrim parash, mashtrim dhe përvetësim fondesh.

Përmbajtja e videos
Burimet thonë se në video, shfaqet ish-drejtori ekzekutiv i DIA-së Elvis Metaj, i cili deklaron se kompania e biznesmenit Çela ka përfituar para nga kompania e Kastriot Ismailajt. Sipas interpretimit të ish-ministrit të energjetikës Prifti, kjo tregon se njerëzit afër kreut të kuvendit kanë përfituar para nga DIA në emër të Ilir Metës.

Gjithashtu, mësohet se Prifti ka kërkuar nga prokuroria të verifikoj dhe krahasoi kohën e udhëtimeve të kreut të Kuvendit Ilir Meta dhe të arrestuarit Kastriot Ismailaj, me pretendimin se të dy së bashku janë takuar në Pragë me drejtuesit e kompanisë Çeke. Nga ana tjetër, për llogari të hetimit ndaj Ismailajt dhe kompanisë DIA, organi i akuzës ka caktuar tre ekspert kontabël për të verifikuar se sa është shuma që Ismailaj ka përfituar nga kompania çeke CEZ-shpërndarja.

Ekspertizë kontabël
Biznesmeni shumë i përfolur Kastriot Ismailaj që është arrestuar për aferën e mashtrimit me 5 milion eurove të kompanisë energjetike CEZ, do të përballet me një ekspertizë kontabiliste. Me anën e kësaj ekspertize prokuroria synon të nxjerrë diferencën e parave që biznesmeni Kastriot Ismailaj ka xhiruar nëpërmjet kompanisë së tij “Debt International Advisory”.

Akuza ka caktuar tre ekspertë kontabilistë duke i vënë atyre në dispozicion dhe një sërë dokumentesh me qëllim nxjerrjen e bilanceve dhe diferencat e parave të transferuara jashtë shtetit. Momentalisht biznesmenit Ismailaj i janë bllokuar nga prokuroria 3.4 milion euro, kjo pasi ka bërë disa lëvizje të dyshimta gjatë periudhës vjetore 2005 deri në 2008. Ndërkohë sipas burimeve të prokurorisë mashtrimi ka filluar të kryhet në vitin 2010 duke i marrë CEZ 5 milionë euro.

Prokurorët ngrenë dyshime të forta se këto para të marra CEZ-it, Ismailaj i ka harxhuar dhe ka lënë në llogari vetëm paratë e viteve 2005-2008. Nisur nga kjo situatë hetuesit shprehen se është e nevojshme një ekspertizë kontabël me qëllim nxjerrjen e diferencave. Aktualisht Kastriot Ismailaj është duke u hetuar për veprën penale të “Mashtrim me shuma të mëdha” dhe “Pastrimit të produkteve të veprës penale”.

Redaksia Online
(Gre.M/Shqiptarja.com)