10 ditë pas zjarrit në pallatin Arlis në Tiranë, shërbimi zjarrfikës dorëzoi në Prokurorinë e Tiranës, ekspertizën mbi shkaqet e zjarrit. Është e faktuar me prova tashmë, se zjarri që shkrumboi 30 apartamente, nuk është shkaktuar nga brenda godinës, përjashtuar këtu edhe ndonjë shkëndijë elektrike. Sipas ekspertëve të shërbimit zjarrfikës, zjarri vjen nga faktorë të jashtë.

Mbi këto prova, organi i akuzës këtë të premte pyeti disa të mitur të cilët u panë nga kamerat e sigurisë duke hedhur një karton me ngjyrë të kuqe pranë mbetjeve të një marketi vendosur në karrocë në shesh-pushimin e pallatit. Pak kaloi dhe aty shpërtheu zjarri. Në prani të prindërve e psikologëve, fëmijët mohuan të kenë hedhur një shkrepëse të ndezur në kartonët në karrocë, dhe thanë para hetuesve, se ata vetëm po luanin poshtë pallatit.

As nga kamerat e sigurisë para zjarrit, nuk ka pamje të fëmijëve që të shihen duke ndezur kartonin që hedhin në mesin e mbetjeve.

Mbetet ende pistë për hetuesit, hedhja e ndonjë cigareje të ndezur nga ndonjë person nga ballkoni i apartamentit që mund të ketë shkaktuar flakët në karrocën para marketit.

Katër personat që u arrestuan nga policia për zjarrin, u lanë në masë “detyrim paraqitje”, nga gjykata e Tiranës konkretisht: inxhinieri i kompanisë Arlis, kontraktori që ka bërë fasadën, menaxherja e marketit, si dhe administratori i pallatit

Për banorët e prekur Bashkia e Tiranës miratoi bonus qiraje 40 mijë lekë derisa ndërtuesi të përfundojë së rindërtuari pallatin.

-------------------------------
Sqarim: Çdo person prezumohet i pafajshëm deri sa nuk vërtetohet fajësia e tij me vendim gjyqësor të formës së prerë.