Zjarri që përfshiu dhjetëra apartamente në kompleksin “Arlis” të martën, edhe pse nisja e tij nuk kishte lidhje me ndërtimin por me një shkëndijë, për Kryeministrin Rama duhet të shoqërohet edhe me një analizë për cilësinë e materialeve të ndërtimit.

“Gjithmonë në këto raste, shfaqen menjëherë, si kërpudhat pas shiut, lloj-lloj gjithologësh dhe lloj-lloj ekspertësh publikë, por pa licencat dhe pa njohuritë e nevojshme për të marrë një rol të tillë. E vërteta është që kjo ishte një fatkeqësi e shkaktuar nga një shkëndijë, nga një nisje zjarri, po të doni, që nuk ka lidhje në vetvete me ndërtimin, por, nga ana tjetër, kjo është një arsye për të parë dhe për të kuptuar ashtu siç duhet edhe çka lidhet me cilësinë dhe me materialet e ndërtimit, edhe pse, nga verifikimi i parë që është bërë, ndërtimi kishte të gjitha materialet të certifikuara dhe vinin nga importi”, tha Rama.

Banorëve të prekur i rikonfirmon edhe një herë se teksa godina do të rindërtohet nga ndërtuesi, ata do të ndihmohen nga shteti për bonusin e qerasë dhe atë se çfarë iu dogj brenda apartamenteve.

“Deri në momentin kur ata banorë do të kthehen në shtëpi, të mund të kenë një bonus qiraje dhe, patjetër, edhe një mbështetje nga bashkia për të lehtësuar barrën e krijuar nga dëmet e pariparueshme që kanë ndodhur në banesat e tyre”, tha Rama.

Këtë javë, u zhvillua edhe samiti i Diasporës, që për Ramën, është një urë lidhjesh konkrete me shqiptarët që jetojnë jashtë vendit.

"Çka ishte deri dje një hendek apo një distancë, sot është kthyer në një urë lidhjesh shumë konkrete në ekonomi, në dije dhe, përgjithësisht, në rritjen e ndikimit të Shqipërisë përmes shqiptarëve të saj kudo ku ata ndodhen", tha Rama.

Teksa thotë se Paketa e Maleve është një mundësi shumë e mirë që diaspora të investojë në vendlindje, Rama thotë se kjo paketë do të ndihmohet edhe përmes një investimi 100 milionë eurosh.

"Një ndërhyrje të drejtpërdrejtë me një investim masiv prej 100 milionë eurosh, i bashkëfinancuar me Bankën Europiane të Investimeve, për zhvillimin e mëtejshëm të turizmit, me fokus turizmin malor. Është një projekt për të cilin kemi punuar për një kohë të gjatë, që synon të lidhë më mirë zonat e veriut me njëra-tjetrën dhe me pjesën tjetër të vendit, padyshim duke krijuar aksese të lehta dhe të qëndrueshme gjatë gjithë vitit", tha Rama.

Përmes këtyre investimeve thotë Rama, një përgjigje i jepet edhe atyre që e kritikojnë se nuk ka bërë aq sa duhet për veriun.

Deklarata e plotë e Edi Ramës për zjarrin te kompleksi 'Arlis'

Gjatë kësaj jave pati një moment që, për hir të së vërtetës, fillimisht ishte rrëqethës për shkak se flakët që përfshinë një pallat në Tiranë u duk se mund të kërcënonin seriozisht jetët e banorëve, por, për fat të mirë dhe falë përpjekjes dhe punës realisht profesionale, por mbi të gjitha heroike të forcave të zjarrfikësve, gjithçka kaloi pa asnjë jetë të humbur dhe pa plagë të rënda.

Ndërkohë, çka mbeti pas zjarrit ishte shkrumbimi i asaj godine, për të cilën u vumë menjëherë në lëvizje dhe gjëja e parë dhe më e rëndësishmja, sipas meje, është që godina do të rindërtohet tërësisht nga e para, 100% nga vetë ndërtuesi i saj dhe nga ana tjetër, angazhimi për të ndihmuar banorët që, deri në momentin - dhe besoj nuk do të marrë shumë kohë, sepse karabinaja është aty - por deri në momentin kur ata banorë do të kthehen në shtëpi, të mund të kenë një bonus qiraje dhe, patjetër, edhe një mbështetje nga bashkia për të lehtësuar barrën e krijuar nga dëmet e pariparueshme që kanë ndodhur në banesat e tyre.

Tani, gjithmonë në këto raste, shfaqen menjëherë, si kërpudhat pas shiut, lloj-lloj gjithologësh dhe lloj-lloj ekspertësh publikë, por pa licencat dhe pa njohuritë e nevojshme për të marrë një rol të tillë. Po gjithsesi, edhe për shkak të emocioneve, edhe për shkak të nevojës për të marrë protagonizëm, kush nuk del e çfarë nuk thotë. E vërteta është që kjo ishte një fatkeqësi e shkaktuar nga një shkëndijë, nga një nisje zjarri, po të doni, që nuk ka lidhje në vetvete me ndërtimin, por, nga ana tjetër, kjo është një arsye për të parë dhe për të kuptuar ashtu siç duhet edhe çka lidhet me cilësinë dhe me materialet e ndërtimit, edhe pse, nga verifikimi i parë që është bërë, ndërtimi kishte të gjitha materialet të certifikuara dhe vinin nga importi, kështu që nuk dua të zgjatem më shumë në këtë pikë.

Më e rëndësishmja është që askush prej atyre banorëve që patën atë moment dramatik, që fatmirësisht dhe, përsëris, falë, në radhë të parë, forcave zjarrfikëse, por edhe forcave të rendit aty të pranishme, nuk u kthye në një moment tragjik, nuk do të lihet vetëm dhe nuk do të lihet në fatin e vet përballë nevojës për t’u rikthyer dhe për të jetuar normalisht në një banesë të veten, siç i takon, tërësisht të rindërtuar.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 10:12
Rama flet për projektin ‘Porta e Alpeve’: 100 mln € për zhvillimin e turizmit, synojmë lidhje më të mirë të zonave të veriut me njëra-tjetrën

Kryeministri Edi Rama ka ripërsëritur deklaratën e ministrit Enea Karakaçi, se ‘Paketës së Maleve’ do i shtohet një projekt i quajtur ‘Porta e Alpeve’.

‘Porta e Alpeve’ sipas kryeministrit përbën një ndërhyrje të drejtpërdrejtë me një investim prej 100 milionë eurosh, i bashkëfinancuar nga Qeveria dhe Banka Shqiptare e Investimeve.

Rama shtoi se ky projekt ka për qëllim zhvillimin e mëtejshëm të turizmit, me fokus turizmin malor.

Shefi i Qeverisë theksoi se ky projekt synon të lidhë më mirë zonat e veriut me njëra-tjetrën, por edhe me pjesën tjetër të vendit.

Kryeministri tha gjithashtu se në këtë projekt përfshihet përmirësimi i infrastrukturës rrugore dhe transportit, përfshihen investime në ujësjellësa dhe menaxhimin e ujërave të zeza, si dhe ndërhyrje në zhvillimin urban dhe restaurimin e trashëgimisë historike.

“Një shënim, i cili besoj ia vlen, sepse në këto javë, në këta muaj, po flitet për Paketën e Maleve. Natyrisht, kur them po flitet kam parasysh, jo vetëm ç’ka themi ne për të informuar publikun dhe, mbi të gjitha, për të informuar ata, të cilët e shikojnë nga jashtë Shqipërisë dhe dëshirojnë që të investojnë kursimet e tyre në tokën e të parëve apo në rindërtimin e një shtëpie të vjetër të gjyshërve mes maleve, por edhe çfarë thuhet nga shumëkush që, si gjithmonë dhe për gjithçka, deformon, devijon e kështu me radhë. Por nuk është kjo përmbajtja e këtij shënimi, por është ajo çka i shtohet Paketës së Maleve si një projekt i quajtur “Porta e Alpeve”, që përbën një ndërhyrje të drejtpërdrejtë me një investim masiv prej 100 milionë eurosh, i bashkëfinancuar me Bankën Europiane të Investimeve, për zhvillimin e mëtejshëm të turizmit, me fokus turizmin malor. Është një projekt për të cilin kemi punuar për një kohë të gjatë, që synon të lidhë më mirë zonat e veriut me njëra-tjetrën dhe me pjesën tjetër të vendit, padyshim duke krijuar aksese të lehta dhe të qëndrueshme gjatë gjithë vitit. Përfshihet përmirësimi i infrastrukturës rrugore dhe transportit, përfshihen investime në ujësjellës dhe menaxhimin e ujërave të zeza, si dhe ndërhyrje në zhvillimin urban dhe restaurimin e asaj trashëgimie të vyer historike që ka edhe në zonën e veriut. Ndërkohë që, patjetër, nuk mund të ishte jashtë projektit edhe kujdesi për të siguruar, për të garantuar gjithë ato pjesë të mrekullueshme të natyrës që duhet të mbeten të paprekshme”, tha mes të tjerash Rama.

Shefi i Ekzekutivit shtoi gjithashtu se ky projekt tregon se kjo qeveri ka bërë më shumë për veriun e Shqipërisë se të gjitha qeveritë e tjera paraardhëse.

“Kjo është qasja e integruar e një projekti që nuk trajton vetëm një segment, një aspekt, por ka një shtrirje gjithëterritoriale dhe synon, dhe besoj ka të gjithë potencialin, për t’i dhënë një nxitje ekstra zhvillimit të turizmit dhe të ekonomisë në veriun e vendit. Besoj që, me këtë shënim, mund t’i bëj edhe një përshëndetje të posaçme të gjithë atyre që, sa herë flitet për veriun, menjëherë fillojnë të flasin përçart për qeverinë që nuk ka bërë mjaftueshëm për veriun, dhe një përshëndetje shumë miqësore, duke u thënë që sa ka bërë dhe sa do të bëjë kjo qeveri për veriun e vendit, nuk kanë bërë të gjitha qeveritë e marra së bashku. Sa për ato që vijnë pas, nuk dua të flas, por për të gjitha qeveritë e marra së bashku, qysh se Shqipëria ka hyrë në rrugën e liri-demokracisë, që e dimë të gjithë se si filloi, si vazhdoi dhe të gjithë e shohin se si po transformohet në funksion të të gjithë shqiptarëve dhe në funksion të të gjithë Shqipërisë”, vijoi më tej kryeministri.

Lajmin për projektin e quajtur Porta e Alpeve, e njoftoi disa ditë më parë edhe ministri i Infrastrukturës dhe Energjisë, Enea Karakaçi. 100 milionë euro në total do të përdoren për një sërë investimesh në infrastrukturë e transport me qëllimin për të krijuar një korridor mes Alpeve dhe Adriatikut.

 

Ora 09:40
Rama zbulon detaje nga takimet në Itali e Spanjë: Kemi forcuar marrëdhëniet me 2 vendet, delegacioni shqiptar u prit me nderim edhe nga Dhoma e Tregtisë së Katalonjës

Kryeministri Edi Rama ka zbuluar detaje nga takimet që zhvilloi në Itali dhe Spanjë me kryeministrat Giorgia Meloni e Pedro Sanchez, por edhe me zyrtarë të tjerë të lartë të të dy vendeve.

Gjatë fjalës në podcastin e tij ‘Flasim’, kryeministri tha se marrëdhëniet e Shqipërisë me Italinë janë forcuar gjatë qeverisjes Meloni. Po ashtu kryeministri tha se delegacioni shqiptar u prit në Spanjë me nderim të veçantë edhe nga Dhoma Tregtare e Katalonjës, ç’ka sipas tij tregon rritjen e vlerësimit për Shqipërinë gjatë këtyre viteve.

“Këtë javë pata luftim me 2 ndalesa, në Romë dhe Barcelonë. Takimi me Melonin në Romë ishte një moment për të bërë një bilanc të ecusisë së punëve tona të përbashkëta. Italia ka qenë gjithmonë pranë Shqipërisë. Të gjitha qeveritë italiane kanë qenë të gatshme dhe të vëmendshme, për ta mbështetur Shqipërinë. Por me qeverinë aktuale të Italisë, gjërat kanë shkuar në një nivel tjetër.

Pra edhe firmosja e marrëveshjes strategjike mes 2 qeverive në takimin e mëparshëm të Romës, është në të vërtetë pasqyra më kuptimplotë e faktit se marrëdhënia e cilësuar gjithmonë si strategjike ka marrë një ngjyrë të re përmes projekteve të bashkëpunimit strategjik, që lidhet me zhvillimin, qoftë me sigurinë. Pas Romës pata një vizitë në Barcelonë, ku me ftesë të kryeministrit Sanchez, mora pjesë në tryezën e përbashkët të Samitit, të quajtur në mbrojtje të demokracisë. Dhe para këtij Samiti, së bashku me delegacionin, u pritëm me nderim të veçantë nga Dhoma e Tregtisë së Katalonjës.

Dikur Shqipëria në Spanjë lidhej me paragjykime, ndërkohë sot Shqipëria është një destinacion kryesor turistik për të rinjtë spanjollë. Ndërsa marrëdhëniet politike mes dy vendeve janë në një nivel tjetër. Këto ndalesa nxjerrin në pah qartë se si partnerë seriozë, falë ecurisë dhe transformimit, ne gjendemi në një pikë ku kemi vetëm një rrugë, të ecim me shpejtësi përpara”, tha mes të tjerash Rama.