TIRANË- Pesëmbëdhjetë vite nga masakra e 21 janarit, familjarët e viktimave kanë ende shpresë nga SPAK se mund të bëjë drejtësi dhe të ndëshkojë fajtorët e krimit shtetëror. Xhaxhai i Aleks Nikës, Mark Nika, është pritur në SPAK nga kryeprokurori Klodian Braho, për të cilin thotë se i ka premtuar se shumë shpejt do të konkludohet për grupin përgjegjës.
Ka qenë vetë Mark Nika, të cilit iu vra nipi me plumbat e shtetit gjatë qeverisjes Berisha, i cili ka kërkuar takim me Brahon për tu njohur me ecurinë e hetimeve, një çështje që thekson se prej 15 vitesh është zvarritur dhe ka mbetur në sirtarët e drejtësisë.
“Jo, asnjë person nuk është nën akuzë. SPAK thotë po punojmë, kështu ishte edhe deklarata e kryeprokurorit. Ata kanë në dorë se si do shkojë kjo çështje. Ne kemi pretendimet tona, është zvarrit në atë formë që janë 15 vite që kjo çështje është në sirtarët e drejtësisë, hetimi duhet të jetë më i shpejtë, të thirren të gjithë personat që kanë dijeni, duke nisur nga punonjësit e shtetit, Kryeministrisë, Gardës etj. Do e ndjekim derisa të zbulohet e vërteta.
Ne kemi kërkuar psh, ish-sekretarin e përgjithshëm të Këshillit të Ministrave, Gjergj Lezhën, punonjësit e departamentit të IT dhe ata nuk janë thirrur. Thonë është parashkruar dhe është e panevojshme të hetohet një vepër që është parashkruar", tha Nika.
Procedimi penal u regjistrua më 15 korrik 2024, pas një vendimi të Gjykatës së Lartë dhe në zbatim të vendimit përfundimtar të Gjykatës Evropiane të të Drejtave të Njeriut, e cila më 14 nëntor 2023 konstatoi shkelje të rënda nga shteti shqiptar dhe kërkoi të hetojë, identifikojë e ndëshkojë zinxhirin komandues që urdhëruan vrasjen e Aleks Nikës dhe tre protestuesve të tjerë, Ziver Veizi, Hekuran Deda dhe Faik Myrtaj.
Që nga nisja e hetimeve, SPAK ka marrë në pyetje një sërë ish-zyrtarësh të lartë të shtetit që ishin në detyrë në kohën e ngjarjes. Para prokurorëve janë paraqitur ish-kryeministri Sali Berisha, i cili nuk ka shfaqur asnjë shenjë pendese, ish-presidenti Bamir Topi, ish-ministri i Brendshëm Lulzim Basha, si dhe ish-presidenti Ilir Meta, i cili është marrë në pyetje me kërkesë të tij.
Një nga provat e reja kyçe në hetim është një audio-regjistrim rreth 34 minuta, dorëzuar nga familja e Aleks Nikës, ku dëgjohen komunikime radio të zinxhirit komandues të Gardës së Republikës gjatë momenteve kritike të protestës. Në regjistrim, sipas burimeve, dëgjohet ish-komandanti i Gardës, Ndrea Prendi, duke dhënë urdhër për përdorimin e plumbave të vërtetë, dhe jo municion manovër, ndaj protestuesve.
Lajmi në përditësim...
Komente












Mos u lodh mor te keqen vellai se keto tallin menderen. Keshtu te therriti dhe Dumani ty,dhe i dha drejtim porosise se gjykates europiane ,e zbardhi menjehere. Po ku bejne veprime keto pa I dhene OK plaku Mere
Përgjigju