TIRANE- Admir Tafili që u arratis nga burgu i Drenovës dhe vëllai i tij, Genci Tafili kanë qënë persona të dyshuar nga policia e Shkodrës, si organizatorë në atentatin me tritol ndaj efektivit të policisë Kujtim Çardaku.

Ngjarja e rëndë ka ndodhur në mesin e muajit shtator 2013, kur agjenti i krimeve sapo do hipte në makinën e tij tip “Alfa Romeo”, i ka shpëtuar mrekullisht shpërthimit të fuqishëm të tritolit, që ishte vendosur në automjetin e tij.

Burime pranë prokurorisë së Shkodrës që kanë kryer veprime hetimore për zbardhjen e kësaj çështje, i thanë gazetës “Shqiptarja.com” se për këtë ngjarje janë përgjuar dhe mbajtur në vëzhgim 10 persona të dyshuar si organizatorë të tentativës së vrasjes së Kujtim Çardakut.

Mes 10 të dyshuarve kanë qënë dhe dy vëllezërit Tafili, të cilët megjithëse kanë qënë në burg, bisedat e tyre telefonike janë përgjuar nga policia, pasi dyshoheshin se kishin organizuar atentatin me telekomandë për Kujtim Çardakun.

Këto dyshime të policisë dhe prokurorisë së Shkodrës,ngriheshin mbi faktin se Çardaku gjatë gushtit të vitit 2000, ka qënë pjesë e operacionin policor, për arrestimin e Bahri Tafilit, babait të vllezërve Tafili, i cili mbeti i vrarë menjëherë pas vrasjes së drejtorit të policisë Shkodër Arben Zylyftari.

ÇARDAKU NE SHTEPI
Lidhja e vetme që detyroi prokurorinë e Shkodrës të kryente hetime për dy vëllezërit Tafili, ishin dyshimet për një hakmarrje të mundshme të tyre, pasi Kujtim Çardaku ka qënë pjesë e grupit të policëve, që së bashku me Prel Pjetrushin, kanë hyrë në banesën e Tafilajve në zonën e Shirokës.

Sipas prokurorisë në atë kohë Çardaku ka hyrë brenda në banesën e Tafilajve dhe më pas ka dalë jashtë, ku ka ndjekur detyrat e shefave përkatës në teren.

Një detaj i tillë, ka shtyrë prokurorët dhe policët që të verifikonin pozicionin e vëllezërve Tafili në atentatin me tritol të bërë në qëndër të Shkodrës, Kujtim Çardakut.

Nisur nga kjo situatë është urdhëruar të mbahen në përgjim telefonik për disa kohë vëllezërit Tafili. Pavarësisht këtyre veprimeve hetimore, nuk është arritur të interceptohet asnjë bisedë, që do kishte lidhje me aktin kriminal të datës 16 shtatorit, ku Çardaku mbeti i plagosur rëndë.

ASNJE I ARRESTUAR
Megjithëse u mbushën 5 muaj nga atentati me tritol C4 ndaj efektivit të policisë Kujtim Çardaku, policia dhe prokuroria e Shkodrës ende nuk kanë arritur të identifikojnë autorët e këtij krimi. Strukturat hetimore kanë ndërmarë një sërë veprimesh si dhe janë verifikuar të gjitha konfliktet që ka pasur për shkak të detyrës Çardaku, por në fakt nuk janë siguruar prova të mjaftueshme për të krijuar dyshyme të arsyeshme mbi persona konkretë.

VOCAJ, PARALAJMËROI ARRATISJEN NGA BURGU
Falë përgjimeve të kryera për rastin e hetimeve të Kujtim Çardakut dhe efektivit të komisariatit të Kamzës Shkurt Toplani, Drejtoria e hetimit të Krimeve të Rëndë në Policinë e Shtetit, ka mundur të pikasa planin e arratisjes nga burgu të Admir Tafilit.

Nisur nga kjo situatë ish-drejtuesi i kësaj zyre Tonin Vocaj ka njoftuar nëpërmjet një shkrese zyrtare, drejtuesit e Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve, duke i vënë në dijeni të këtij plani.

Mirëpo pavarëisht kësajt, asnjë nga drejtuesit nuk ka marrë masat e nevojshme për parandalimin e arratisjes së bujshme të ndodhur në Drenovë në muajin nëntor 2013.
 
Shkrimi u publikua sot (15.01.2014) në gazetën Shqiptarja.com (print)

Redaksia Online
(d.d/shqiptarja.com
)