Ligji për ngritjen e institucioneve të reja të drejtësisë, të projektuara për të luftuar korrupsionin dhe krimin në të gjitha nivelet në Shqipëri, u miratua në tetor të vitit 2016. Kur kanë kaluar gati dy vjet nga miratimi dhe hyrja në fuqi e ligjit, nuk ka qoftë edhe një lëvizje për zbatimin e tij, për finalizimin e strukturave të reja antikorrupsion. Bëhet fjalë për Byronë Kombëtare të Hetimit, Prokurorinë e Posaçme dhe Gjykatat Speciale, ku të gjitha së bashku përbëjnë atë që quhet SPAK. 

Kushtëzimi vendimtar  
Po cilat janë fijet e fundit që pengojnë nisjen procedurave për ngritjen e organeve të SPAK-ut? Ngritja e organeve të SPAK-ut kushtëzohet nga konstituimi i dy organeve më të rëndësishme të drejtësisë, Këshilli i Lartë Gjyqësor dhe Këshilli i Lartë i Prokurorisë. Neni 61 i ligjit nr. 115/2016 për organet e qeverisjes së sistemit të drejtësisë, parashikon që Këshilli i Lartë Gjyqësor emëron dhe ngre në detyrë gjyqtarët. KLGJ gjithashtu shkarkon gjyqtarët e Gjykatës së Posaçme kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar. Neni 12 i ligjit nr. 95/2016 për SPAK-un parashikon që prokurorët e Prokurorisë së Posaçme zgjidhjen nga Këshilli i Lartë i Drejtësisë. Pra, dy këshillat kanë një rol vendimtar në ngritjen e organeve të reja që do të luftojnë krimin dhe korrupsionin. 

Roli i PD 
Ngritja e KLGJ dhe KLP është kushtëzuar nga avancimi i zbatimit të ligjit të Vetingut. Ndërkaq, ligji i Vetingut u bllokuar për disa muaj nga Partia Demokratike dhe shoqatat e gjyqtarëve, fillimisht në Komisionin e Venecias dhe më pas me anë të dy ankimimeve në Gjykatën Kushtetuese. Për shkak të ankimimit dhe ngujimit në çadër, Partia Demokratike arriti të bllokonte për 8 muaj zbatimin e ligjit të Vetingut, konkretisht nga data 5 tetor të 2016 ku dorëzoi padinë në Kushtetuese për rrëzimin e ligjit deri në qershor të 2017 kur u votuan anëtarët e dy komisioneve të Vetingut. 

Pengesa 1 
Në grupin e parë të 57 prokurorëve të gjyqtarëve që iu nënshtruan Vetingut, ishin 13 kandidatë për KLGJ dhe 18 për KLP. Nga 13 kandidatë për KLGJ, kaluan Vetingun me sukses 9 kandidatë, një ka dhënë dorëheqjen dhe 3 janë djegur. Në grupin prej 57 subjektesh, janë 18 kandidatë për KLP. Nga 18 kandidatë, kaluan me sukses Vetingun 8 kandidatë. Ligji parashikonte që një kandidat për KLGJ duhet të vinte nga Apeli në rrethe. Kandidati i vetëm ishte Besim Trezhnjeva, i cili u dogj nga Vetingu. Pas disa thirrjeve të Ambasadës Amerikane, aplikuan për këtë vend vakant Brikena Ukperaj nga Gjykata e Apelit Vlorë dhe Luan Dervishi nga Gjykata e Apelit Shkodër. Por, tashmë është bllokuar edhe Këshilli i Lartë i Prokurorisë. Prej një jave, Prokuroria e Përgjithshme bëri thirrje që prokurorët e Apeleve të kandidojnë për të zëvendësuar 3 vende bosh në Këshillin e Lartë të Prokurorisë. Vendet bosh në KLP u krijuan për shkak të moskalimit të Vettingut nga 3 prokurorët Besa Nikëhasani, Bujar Hoti dhe Luan Kaloçi. Nga 4 prokurorë që garuan për Këshillin e Lartë të Prokurorisë, Vetingun e kaloi vetëm prokurori Arben Dollapaj. Tre prokurorët që ngelën në Vetting, krijuan kështu ngërçin e KLP. Burime për Report Tv nga prokuroria e Përgjithshme bënë me dije se një javë pas shpalljes së vendeve bosh nuk ka ende asnjë aplikim. Gara u rihap më 24 shtator 2018. 

Pengesa 2
Një tjetër pengesë për ngritjen e KLGJ dhe KLP, si kusht për të nisur procedurat për ngritjen e organeve të SPAK-ut, janë disa ankimime të Komisionerit Publik në Kolegjin e Posaçëm të Apelimit për shkarkimin e disa kandidatëve të konfirmuar në detyrë nga Komisioni i Pavarur i Kualifikimit, organi bazë i Vetingut. Konkretisht, Komisioneri Publik i ka kërkuar Kolegjit të Posaçëm të Apelimit të rrëzojë vendimet e KPK për konfirmimin në detyrë të gjyqtares Nertila Kosova, kandidate për anëtare në Këshillin e Lartë Gjyqësor si dhe vendimin për konfirmimin në detyrë të gjyqtarit Astrit Faqolli, kandidat për KLGJ. Gjyqtarët për të cilët ka ankimim në Kolegj nuk mund të konsiderohen si të konfirmuar në detyrë me një vendim të formës së prerë. Për rrjedhojë, gjyqtarët nuk mund të votojë për zgjedhjen e anëtarëve të KLGJ pa u publikuar edhe vendimet e fundit të Kolegjit të Apelimit për fatin e gjyqtarëve që janë kandidatë për KLGJ. 

SPAK-u në kompetencë 40 vepra penale, hetime që nga 1991 
SPAK-ut është një strukturë e veçantë e parashikuar në Kushtetutën e ndryshuar dhe në një ligj të veçantë. Kjo strukturë ka si objekt gjurmimin, hetimin dhe ndëshkimin e korrupsionit dhe krimit në nivele të larta. SPAK-u përbëhet nga Byroja Kombëtare e Hetimit, Prokuroria e Posaçme dhe Gjykatat e Speciale. Kur ndërkombëtarët thonë se politika dhe gjyqësori kanë frikë nga reforma, i referohen pikërisht SPAK-ut. Për ngritjen e strukturave të SPAK do të asistojnë përfaqësues të SHBA dhe BE. Njerëzit që do të bëhen pjesë e këtyre strukturave do të kalojnë Vetingun, duhet të plotësojnë kushte dhe kritere të forta si dhe do të jenë nën monitorim të rreptë nga struktura të tjera të posaçme.

Në kompetencë të Byrosë së Hetimit dhe Prokurorisë së Posaçme do të jenë 40 vepra të ndryshme penale dhe të gjitha dosjet e funksionarëve dhe ish-funksionarëve shtetërorë që nuk janë hetuar apo gjykuar deri më sot. Disa nga veprat penale që do hetohen nga Byroja dhe do gjykohen nga Gjykatat e Speciale janë korrupsioni pasiv dhe aktiv i funksionarëve të lartë shtetërorë ose i të zgjedhurve vendorë si dhe korrupsioni aktiv dhe pasiv i gjyqtarit, prokurorit dhe i funksionarëve të tjerë të drejtësisë.

Gjithashtu, në kompetencë të organeve të SPAK-ut do të jenë çdo vepër penale që dyshohet se është kryer apo që është kryer nga funksionarë apo ish-funksionar shtetëror që nga viti 1991 deri në ditët sotme. Pra, çdo aktivitet i paligjshëm i zyrtarëve dhe ish-zyrtarëve që pas rënies së regjimit komunist, mund të hetohet dhe gjykohet. Objekt i Byrosë Kombëtare të Hetimit, Prokurorisë së Posaçme dhe Gjykatave Speciale do të jenë veprat penale të presidentit dhe ish-presidentëve, kreut të kuvendit dhe ish-kryetarëve të Kuvendit, kryeministrit dhe ish-kryeministrave, ministrave dhe ish-ministrave, të të gjithë deputetëve dhe ish-deputetëve, të anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese dhe Gjykatës së Lartë, të kryeprokurorit dhe ish-kryeprokurorit, të krerëve të organeve të reja të drejtësisë dhe të drejtuesve të institucioneve qendrore apo të pavarura që nga viti 1991.

Ndërkaq, Shtetet e Bashkuara të Amerikës, me anë të ekspertëve të FBI dhe të drejtësisë penale, do të mundësojnë mbikëqyrjen dhe kontrollin e veprimtarisë së Byrosë Kombëtare të Hetimit, duke marrë pjesë edhe në hetime të caktuara. Në ligjin për SPAK, janë parashikuar edhe ekipe të përbashkëta hetimore mes Shqipërisë-SHBA-BE, për të gjitha veprat penale në kompetencë të Prokurorisë së Posaçme dhe Gjykatës Speciale. Ekipet e përbashkëta hetimore do të bazohen në konventat ndërkombëtare, konkretisht, në nenin 13 të Konventës së Bashkimit Evropian për Ndihmën e Ndërsjelltë Ligjore.