Kritika ndaj prokurorisë së Tiranës ndau kryeministri Edi Rama që nuk ka ende një përgjigje për një hetim të nisur prej disa vitesh ndaj Syri Tv, televizionit të familjes Berisha, për evazion dhe pastrim parash. Gjatë konferencës për mediat, kreu i qeverisë tha se denoncimi nuk është politik, por është bërë me prova nga autoritetet shtetërore për pastrim të parave që u janë grabitur shqiptarëve.
Për herë të parë kreu i qeverisë Edi Rama foli hapur dhe me emra, ndaj sulmit me të pavërteta që sipas tij i bëhet çdo mbështetësi të qeverisë, në emër të lirisë së shtypit, përmes Syri Tv, televizionit të familjes së rivalit të tij politik, kreut të PD-së, Sali Berisha.
"Do ti përgjigjen që do ti, nuk ta jap unë, se unë nuk punoj për Qimin. Subjekt i denoncuar për pastrim parash me fakte, me prova, me të gjitha, dhe natyrisht që paratë në atë televizion pastrohen për të bërë këtë që bëhet çdo ditë, që përmbyten njerëzit me gënjeshtra dhe pisllëk. Po bën heroinën për ata që të kanë sjellë këtu, do bëhesh heroinë e ditës. Boll tani! S’kam më asnjë fjalë për të thënë, u mundova shumë gjatë për të të dhënë përgjigje deri në fund. Qytetarëve u përgjigjem çdo ditë, nuk i përgjigjem nëpërmjet televizioneve që pastrojnë paratë e grabitura nga qytetarët dhe që gëzojnë imunitetin e dhunuesve”, tha Rama.
Po aq të pista sipas tij, janë edhe paratë me të cilat financohet televizioni Syri Tv, në hetim prej disa vitesh nga për evazion fiskal dhe pastrim parash.
"Ai televizion është në Prokurorinë e Tiranës prej vitesh, me denoncim, me dokumente për pastrim parash. është koha që mediat, të cilat ushqehen nga “paraja e pistë”, dhe që me para të pista paguajnë nën dorë, ata, të cilët rrokanisin kokën e njerëzve, me gjithfarë gënjeshtrash, të përgjigjen përpara ligjit për burimet e tyre të financimit", tha Rama.
Kryeministri foli edhe për një tjetër televizion të kallëzuar për pastrim parash, duke pyetur Prokurorinë e Tiranës se përse nuk jep asnjë përgjigje.
“Mos më sill mua këtu gjuhën e molotovëve. Unë nuk kam dalë më herët ta them këtë gjë hapur por është koha që mediat që ushqehen me para të pista dhe paguajnë nën dorë, minimalisht të përgjigjen para ligjit. Ka edhe një televizion tjetër që është i denoncuar për evazion fiskal masiv, këto dy televizionet janë bartësit e të gjitha gënjeshtrave, dhe të gjitha rrugëve të gabuar për një demokraci. Prokuroria e Tiranës nuk jep asnjë përgjigje për këto dy televizione, një për pastrim parash dhe një për evazion masiv”, tha kryeministri.
Përgjigja erdhi e detyruar sipas tij nga ndërhyrjet e vazhdueshme gjatë përgjigjes së tij në një konferencë për mediat.
Ishte drejtoria e Tatimeve ajo që pasi zbuloi një qarkullim të madh të parave cash, të cilat televizioni nuk i faktoi dot burimin, bëri denoncimin në Prokurorinë e Tiranës, ndaj Syri TV për pastrim parash, për mos pagesë të sigurimeve shoqërore për gazetarët, duke shmangur tatimet mbi të ardhurat dhe duke mos paguar TVSH-në. Tatimet i vendosën edhe një gjobë, por pasi nuk u shlye, Syrit iu bllokuan llogaritë bankare, siç vijojnë edhe aktualisht.












