Gjykata e Lartë vendosi të mos marrë në shqyrtim kërkesën e gjyqtarit të Posaçëm të Apelit, Florian Kalaja, për të interpretuar nëse në dosjen për “Onklologjikun” duhet të hetohet së bashku me të tjerët edhe ish-zëvendësdrejtoresha e spitaleve Brikena Qirjazi dhe specialistja Drilona Kishta që akuzohen për administrimin e burimit të “Kobaltit” për funksionimin e pajisjes së brakiterapisë e cila nuk punoi prej vitesh.
Në seancën e zhvilluar më17 shtator gjyqtari Kalaja vendosi të ndryshonte pjesërisht masat e sigurisë për mjekët e akuzuar lidhur me skandalin në Spitalin Onkologjik.
Gjyqtari vendosi të lërë në fuqi “arrestin në shtëpi” për mjekun Edmond Gashi. Për farmacistin Florjan Marku ku dyshohet se shiteshin ilaçe spitalore për tumoret, ndryshoi nga “arrest në shtëpi” në “detyrim për tu paraqitur në policinë gjyqësore”. Për babain e mjekut, Halil Gashin, administrator i klinikës private “Megis” ku adresoheshin pacientët pasi dyshohet se liheshin pa trajtim në shtet, Apeli i GJKKO hoqi masën e detyrimit të paraqitjes.
Edhe për ish-zëvendës drejtoreshën e spitaleve Brikena Qiriazi, Apeli hoqi masën dhe i tërhoqi vëmendjen SPAK-ut dhe Prokurorisë së Tiranës se nuk kanë kryer hetime të mjaftueshme për të provuar se burimi i Kobaltit është keqadministruar nga spitali, por Gjykata e Lartë me verdiktin e fundit vendosi të hetohen të gjithë në një dosje. Ndaj mjekëve të akuzuar në dosjen Onkologjiku ka nisur edhe një hetim pasuror.