Operacioni i Guardia di Finanza-s të Palermos, i shtrirë në disa vende të botës, identifikoi vetëm një pjesë të pasurisë së Matteo Messina Denaros, bosit të Cosa Nostras.
Hetimi, i zhvilluar në bashkëpunim me prokurorë dhe forca të rendit të disa vendeve, jep një ide të pasurive të jashtëzakonshme të grumbulluara nga ish-i arratisuri. Një thesar që deri tani ka qenë e mundur të rindërtohet vetëm në mënyrë të tërthortë, bazuar në atë që shteti, ndër vite, ka arritur t’i konfiskonte bosit të Castelvetranos dhe njerëzve të tij të besuar: rreth 4 miliardë euro.
Një pasuri e krijuar përmes investimeve në energjinë e rinovueshme, veçanërisht në energjinë e erës, sektor “i menaxhuar” për bosin nga sipërmarrësi Vito Nicastri, ish-elektricisti nga Alcamo dhe pionier i energjisë së gjelbër në Siçili, i cili për vite me radhë mbajti çelësat e një prej kasafortave të mikut të tij. Po ashtu edhe me ndërtimin dhe shpërndarjen e madhe ushqimore, përmes “6 Gdo” të Giuseppe Grigolit, shitësi i sallameve që u bë brenda pak kohësh mbreti i rrjetit të supermarketeve në ishull, të cilit iu sekuestruan pasuri, sipas prokurorëve në pronësi të bosit, me vlerë 700 milionë euro.
Pastaj vjen turizmi: hija e Matteo-s, sipas hetimeve, do të shtrihej edhe mbi pasurinë e Giovanni Savalles, për vite me radhë një person i panjohur me precedentë të vegjël për falimentime, kontabilist i regjistruar në urdhrin e ekonomistëve, i cili u bë pronar i resortit Kempinsky në Mazara del Vallo. Guardia di Finanza i konfiskoi 60 milionë euro.
Për marrëdhëniet mes Savalles dhe bosit të Castelvetranos foli mjeku i lidhur me ’Ndrangheta-n, Marcello Fondacaro, i cili tregoi për një projekt biznesi të bosit: një fshat turistik në Isola Capo Rizzuto që parashikonte një pjesëmarrje prej 33% të Cosa Nostra-s dhe ’Ndrangheta-s.
Tentakulat e Messina Denaros kishin arritur edhe në Venezuelë, mbretërinë e klaneve Cuntrera dhe Caruana, të cilat nga Siculiana, një fshat i Agrigentos, kolonizuan Kanadanë dhe Amerikën e Jugut duke u bërë monopolistë të trafikut të drogës. Një i penduar, Franco Safina, tregoi se i arratisuri i atëhershëm kishte investuar 5 milionë dollarë në një kompani shpendësh në Venezuelë. Për hetuesit, një mënyrë e qartë për pastrimin e parave të drogës.
Për Venezuelën foli edhe bashkëpunëtori i drejtësisë Salvatore Grigoli, vrasësi i don Pino Puglisit. I plagosur në një atentat, ai ishte fshehur në Alcamo, në provincën e Trapani-t. “Nëse do, për një periudhë shko në Venezuelë dhe rri i qetë”, i kishte thënë bosi, i cili, sipas dyshimeve të hetuesve, kishte shkuar në Amerikën e Jugut dhe në Tunizi edhe gjatë kohës që ishte në arrati.
Por nëse, siç janë të bindur prokurorët, vetëm një pjesë e thesarit të bosit është gjetur dhe konfiskuar deri tani, sa arrin e gjithë pasuria e tij? Hetimi i sotëm po nis të japë shifrat e para.
“Nëse arrij të rikuperoj edhe një të tretën e asaj që kam, mbetem gjithsesi i pasur”, thoshte një tjetër figurë e madhe e Cosa Nostra-s, Totò Riina, i përgjuar gjatë ajrosjes me një tjetër të burgosur. “Kam një person përgjegjës dhe ai do të ishte Messina Denaro. Por çfarë po bën tani ky Matteo Messina Denaro nuk e di. Babai i tij ishte burrë me karakter”, i shpjegonte mikut, duke treguar njëfarë mosbesimi mbi aftësitë menaxhuese të bosit.
Por Riina, sipas hetimeve, duket se gabonte.
Operacioni mori vlerësimin e kryeministres Meloni dhe ministrit të Ekonomisë Giorgetti, të cilët shprehën “kënaqësi të thellë” dhe uruan “Guardia di Finanza, që drejtoi dhe koordinoi operacionin në nivel ndërkombëtar”. “Bëhet fjalë”, thuhet në një deklaratë të Palazzo Chigi, “për një tjetër goditje të fortë të dhënë ndaj mafias gjatë kësaj qeverie. Qeveria rithekson angazhimin për të përdorur kapitalet e rikuperuara për masa që synojnë rritjen e sigurisë së qytetarëve. Paratë e sekuestruara në operacionin e sotëm gjyqësor do të mund të shpërndahen ndër administratat kompetente që nga viti i ardhshëm, për t’u përdorur për forcimin e veprimit të forcave të policisë, veçanërisht për rritjen e sigurisë në stacionet hekurudhore.”/Corriere della Sera
Komente










Ca pasurie, cere i duhet pasuria kti kur ky sdilte nga shpia kasolle prej 20vitesh qe kishte ne nje fshat te italise ahaha
Përgjigju