Dënimi i ashpër dhe mesazhi i qartë që ambasadorja Yuri Kim i bëri deklaratës së Ilir Metës "për të mprehur sfurqe dhe sëpata për mbrojtjen e votës" ka nxjerrë jashtë çdo kontrolli kreun e shtetit, i cili shpërtheu në kërcënime ndaj SHBA dhe ambasadores Kim. Sulmet e Metës nisën pasi ambasadorja e SHBA, Yuri Kim dënoi ashpër duke shigjetuar drejtpërdrejt kreun e shtetit duke i thënë se thirrjet e tij për mprehje të sfurqeve dhe sëpatave janë të papranueshme dhe të dënueshme dhe se për këtë duhet të mbajë përgjegjësi. Kim shkruan se ata që nxisin dhunën se nuk u pëlqen rezultati i 25 prillit duhet të mbajnë përgjegjësi për veprimet e tyre

"Është e papranueshme për këdo që të kërcënojë se qytetarët do të marrin "sfurqet" në 25 Prill ose nëse nuk u pëlqen rezultati i zgjedhjeve. Këto kërcënime meritojnë dënim. Ata që nxisin dhunë do të mbajnë përgjegjësi për rezultatet e fjalëve dhe veprimeve të tyre. Ndal", shkruan Kim.

Kaq mjaftoi që Ilir Meta të humbasë durimin dhe arsyetimin dhe të nisë me deklarata se ai është kërcënuar nga ambasadorja Yuri Kim, ku sipas tij ajo i kishte thënë se “mos bëj zhurmë se dimë ca gjëra për ty”. Nga studio e televizionit të familjes Berisha, Meta i është përgjigjur Yuri Kim që të mos mbështesë më Ramën dhe të mos ndërhyjë më në punët e brendshme të Shqipërisë.

Jashtë kontrollit dhe i acaruar, Ilir Meta i është drejtuar ambasadores ta lajmërojnë nëse SHBA ka ndonjë problem me të, ndërsa shton se " di që ju edhe më vrisni po të doni”, duke i kërkuar që "të paktën të më çoni te Mali me Gropa".

"Meqë mëdergoi live sms i them Ambasadores Amerikane mos e mbështet më Edi Ramën. Meqe jam transparent po ju them edhe një fakt qe Ambasadorja Amerikane më ka kërkuar mua si President, një ditë para mbledhjes së KED-së të pranoj unë Adrian Dvorani. Këtë ajo e kërkoi jo në emër të Amerikës, po në emër të Edi Ramës. E përqafoj ambasadoren amerikane dhe i them boll ndërhyre ne punet e brendshme te Shqipërisë ne kete menyre te njeanshme. Donte të futej në lojë kjo, ta bëjmë lojën tamam ne. Më ka marrë në telefon se kisha bërë letër unë se donin ta fusnin prapë në KLD këtë Dvoranin. Edhe i them unë “thirrini mendjes se ky nuk është as në KLGJ, dhe ky është edhe me Venecian etj, etj”. Nuk do ta botoja letrën në orën 11 se nuk doja të ndërhyja në një vendim të organeve të drejtësisë. Ajo më merr në telefon dhe më thotë “ti zotëri nesër mos bëj zhurmë po qe se këta e bëjnë kështu”. I them “moj zonjë ne kemi bërë një marrëveshje, se ky nuk është as anëtar i gjykatës së Lartë”. “Po ne dimë disa gjëra për ty”, më thotë mua kjo. Ambasadroja i thotë presidentit që dimë ca gjëra për ty. Çfarë dini për mua i nxirrni i thashë, se unë nuk e shkel Kushtetutën. Çfarë ke ti për mua dhe çfarë ka Amerika për mua mund ta nxirrni dhe unë këtë vagabond dhe horr nuk e pranoj. Janë I kam thënë që nëse keni gjë me mua më lajmëroni nëse e keni se unë e di që ju më vrisni nëse doni. Por të paktën, më çoni te Mali me Gropa dhe më lëshoni një raketë që të mos dëmtoni njerëzit e tjerë", tha Meta.

Edhe kryeministri Edi Rama ka komentuar sulmet e Ilir Metës ndaj ambasadores së SHBA, Yuri Kim, ku tha se Presidenti është një i “dehur” dhe i dalë jashtë binarëve”.  Rama u shpreh se me çmendurinë e fundit të Metës ai ose do të jap vetë dorëheqjen ose do të shkarkohet nga Kuvendi ekzistues menjëherë pas zgjedhjeve.

Postimi i ambasadores Yuri Kim

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 23:31
Meta: Nuk ia jap firmën për kryeministër Ramës edhe nëse merr 71 mandate! Do i jap dorëheqjen time dhe do dal në bulevard

 

Presidenti Ilir Meta ka bërë një deklaratë të fortë mbrëmjen e sotme, ku tha se edhe nëse Rama i merr 71 mandate pa cenuar zgjedhjet e lira, ai nuk do ia jap firmën për kryeministër, por do t’i dorëzojë dorëheqjen e tij. Ai tha se do t’i dorëzojë dorëheqjen Ramës dhe do të dalë në bulevard, pasi e respekton vendimin e popullit.

“Deri tani zgjedhjet janë cenuar rëndë vetëm nga Edi Rama. Unë apeloj nga ky moment që të gjithë të reflektojnë, në mënyrë që të lejojmë shqiptarët të shprehin vullnetin e tyre të lirë. Nëse ai merr 71 mandate, unë firmë për kryeministër nuk i jap, por do i jap dorëheqjen time. Unë e respektoj vendimin e popullit. Unë dal në bulevard dhe ia lë zyrën atij”, tha Meta.

Ora 23:07
Meta: Raketa ka dhe Rusia, jo vetëm SHBA! Nëse preket vota këtu do bëhet hataja

Ilir Meta ka habitur me deklaratat e tij duke thënë se nuk ka frikën e SHBA edhe pse ata mund ta vrasin, ndërsa tha se raketa ka edhe Rusia apo Koreja e Veriut dhe jo vetëm SHBA.

“Nëse ajo dëshiron të dalë në podium të bëjë fushatë me Ramën le të dalë ne do të mbrojmë zgjedhjet. I kam thënë Donld Lu, jo ti por Sekretari i Mbrojtjes që ka raketat bërthamore, edhe për atë nuk dua t’ja di nëse mendoj se kam të drejtë. Cfarë ka Amerika dhe BE për mua ti nxjerrin. Më keni parë mua të ndërhyj në punët e Amerikës? Jo, as ata të mos ndërhyjnë. Amerikën e duam për zgjedhjet e lira. Po të jetë se kemi frikë nga Amerika se ka aeroplanmbajtëse dhe raketa, ka edhe Rusia, duhet të kemi frikë edhe nga Rusia, ka edhe ky, koreano-veriori, edhe ai ka, por ne e duam për demokracinë” tha Meta.

Meta kërcënoi të mos tentohet që të cenohet vota në 25 Prill, pasi në të kundërt, situata do të përshkallëzohet.

“Këtu do të bëhet hataja po preku një votë. Ditën e zgjedhje do të jem në Durrës dhe Vlorë. Ilir Meta mund të ikë nga Presidenca por mbush sheshin” tha ai nga studio e televizionit të familjes Berisha.

Ora 22:48
Meta: I kam thënë Kim se unë e di që ju edhe më vrisni nëse doni, po të paktën më çoni te Mali me Gropa dhe më lëshoni një raketë

Jashtë kontrollit dhe i acaruar, Presidenti Ilir Meta nuk kurseu sot as sulmet ndaj ambasadores së SHBA, Yuri Kim. Meta tha se i ka thënë ambasadores ta lajmërojnë nëse SHBA ka ndonjë problem me të, duke shtuar se “unë e di që ju edhe më vrisni po të doni”, duke i kërkuar që "të paktën të më çoni te Mali me Gropa".

“Janë 100 ambasada të mbajnë vendin e tyre. Nëse SHBA kanë një problem me mua siç thotë ky qen bir qeni çuni i Kristaq Ramës, SHBA nëse kanë gjë me mua, se ky nxjerr spiunët e UDB-së, Ffrrok Çupin me shokë. Ilir Meta e di që nuk është i pavdekshëm, nuk jam nga ata që mendojnë se jam i pavdekshëm, se kur ka vdekur dhe Skënderbeu, jo më Ilir Meta. I kam thënë që nëse keni gjë me mua më lajmëroni nëse e keni se unë e di që ju më vrisni nëse doni. Por të paktën, më çoni te Mali me Gropa dhe më lëshoni një raketë që të mos dëmtoni njerëzit e tjerë. Takimin e parë ia kam thënë zonjës, moj zonjë, je këtu për marrëdhëniet mes Shqipërisë dhe Amerikës dhe jo mes Serbisë dhe Amerikës”, tha Meta nga studio e televizionit të familjes Berisha.

Ora 22:27
Ilir Meta: Kim më ka kërcënuar, më tha 'mos bëj zhurmë se dimë ca gjëra për ty', le t’i nxjerrin të gjitha çfarë kanë

Ilir Meta ka akuzuar ambasadoren amerikane Yuri Kim se e ka kërcënuar, ku sipas tij ambasadorja i ka thënë “mos bëj zhurmë se dimë ca gjëra për ty”, ndërkohë që Meta thotë se nuk do e shkelë Kushtetutën dhe Amerika mund të publikojë gjithçka që ka për të, pasi nuk e ka problem.

“Donte të futej në lojë kjo, ta bëjmë lojën tamam ne. Më ka marrë në telefon se kisha bërë letër unë se donin ta fusnin prapë në KLD këtë Dvoranin. Edhe i them unë “thirrini mendjes se ky nuk është as në KLGJ, dhe ky është edhe me Venecian etj, etj”. Nuk do ta botoja letrën në orën 11 se nuk doja të ndërhyja në një vendim të organeve të drejtësisë. Ajo më merr në telefon dhe më thotë “ti zotëri nesër mos bëj zhurmë po qe se këta e bëjnë kështu”. I them “moj zonjë ne kemi bërë një marrëveshje, se ky nuk është as anëtar i gjykatës së Lartë”. “Po ne dimë disa gjëra për ty”, më thotë mua kjo. Ambasadroja i thotë presidentit që dimë ca gjëra për ty. Çfarë dini për mua i nxirrni i thashë, se unë nuk e shkel Kushtetutën. Çfarë ke ti për mua dhe çfarë ka Amerika për mua mund ta nxirrni dhe unë këtë vagabond dhe horr nuk e pranoj”, tha Meta nga studio e televizionit të familjes Berisha

Ora 22:24
Meta humb kontrollin: Kim të mos ndërhyjë më në punët e brendshme të Shqipërisë! Më 25 prill votojnë dëshmorët

Jashtë  kontrollit, i acaruar dhe i papërmbajtur në deklaratat e tij është shfaqur Ilir Meta pas dënimit të deklaratave të tij kërcënuese nga ambasadorja Yuri Kim. Me një gjuhë aspak etike për kreun e shtetit, Meta ka deklaruar se është turp për Ambasadoren Yuri Kim që të mbrojë Edi Ramën dhe se e fton atë në ballafaqim live  dhe se të mos ndërhyje më në punët e brendshme të Shqipërisë. Meta madje shprehet se më 25 prill do të votojnë dëshmorët.

" Tani live sapo me shkruajti Ambasadorja Yuri Kim per te mos permendur me cfurqet. I them Ambasadores amerikane live qe te mos marre me ne mbrojtje Edi Ramen. Meqe me dergoi live sms i them Ambasadores Amerikane mos e mbeshtet me Edi Ramen.  Meqe jam transparent po ju them edhe nje fakt qe Ambasadorja Amerikane më ka kërkuar mua si President, një ditë para mbledhjes së KED-së të pranoj unë Adrian Dvorani. Këtë ajo e kërkoi jo në emër të Amerikës, po në emër të Edi Ramës. E perqafoj ambasadoren amerikane dhe i them boll nderhyre ne punet e brendshme te Shqiperise ne kete menyre te njeanshme. Deklarata e Yuri Kim eshte nje turp dhe e ftoj Ambasadoren te vije tani live ne studio bashke me Edi Ramen te ballafaqohemi para shqiptareve. Më 25 prill votojnë dëshmorët", tha Meta nga studio e televizionit të familjes Berisha