TIRANE- Janë të shumtë të moshuarit që falsifikojnë moshën, shtojnë vitet e punës apo dhe kanë përfituar 2 pensione dhe më shumë, për vite të tëra. Nga hetimet e Institutit të Sigurimeve Shoqërore, është zbuluar se mes 560 mijë pensionistëve ka nga ata që kanë përfituar 4 pensione.

“Liljana K., përfituese e katër përfitimeve, përkatësisht në Drejtorinë Rajonale të Sigurimeve Shoqërore Tiranë, ku ka marrë pension suplementar pleqërie, si ushtarake dhe pension pleqërie shteti, dhe në Drejtorinë Rajonale të Sigurimeve Shoqërore Durrës, ku ka marrë pension suplementar pleqërie, si ushtarake dhe pension pleqërie shteti”, - është një nga qindra abuzimet e ISSH-s. Për të përfituar një pension ose për të rritur përfitimet, qytetarë të ndryshëm kanë falsifikuar vitet e punës apo në disa raste kanë falsifikuar moshën e tyre.