Pas Champions League, sot është hedhur po në Montecarlo shorti i fazës me grupe të Europa League 2018/19, veprimtaria e dytë për nga rëndësia në Kupa e Europës. Si zakonisht, 48 skuadra janë ndarë në 12 grupe, nga ku kualifikohen dy vendet e para. Këtyre 24 ekipeve i bashkohen 8 vendet e treta në grupet e Champions League, kur fillon raundi i 1/16-ve të finaleve, me eliminim direkt, në muajin shkurt 2019.
AC Milan, shtatë herë fitues i Champions League do të ketë një grup relativisht të ekuilibruar me grekët e Olympiacos, spanjollët e Betis Sevilla, ndërsa ekipi i katërt Dudelange nga Luksemburgu duket më i dobët në letër. Kundërshtarët e Arsenal në Grupin E do të jenë Sporting Lisbonë, Qarabag e Vorskla. Më mirë i ka shkuar Chelsea, që duket se nuk do ta diskutojë kualifikimin në Grupin L kundër PAOK, BATE dhe VIDI.
Nga ana tjetër, Lazio e gjen veten në një grup relativisht të vështirë me Marseille, Frankfurt dhe Apollon. Finalja e “kupës së vogël” do të zhvillohet në Baku të Azerbajxhanit, më 29 maj 2019.