Ilir Panda pjesë e shkallës së tretë të gjyqësorit prej 11 marsit të vitit 2020, ka shpallur kandidaturën për drejtimin e Gjykatës së Lartë. Ai ka dorëzuar dokumentet këtë të premte, që është edhe afati i fundit për kandidim. Brenda tre ditëve nga kjo datë caktohet data dhe ora e thirrjes së mbledhjes së përgjithshme e cila duhet të zhvillohet të paktën dy javë para mbarimit të mandatit të kryetarit. Drejtuesi i ri, zgjidhet me votim të fshehtë, ndërsa vetë procesi i votimit është i hapur për publikun dhe rezultati bëhet publik menjëherë.

Gara për kryetarin e Gjykatës së Lartë u hap në mesin e muajit gusht, pasi mandati 3-vjeçar i Sokol Sadushit përfundon në 17 tetor. 

Ilir Panda është diplomuar jurist në Fakultetin e Drejtësisë të Universitetit të Tiranës,në vitin 1986, si dhe ka kryer disa kualifikime pasuniversitare të organizuara nga institucione shqiptare, evropiane dhe të Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Ka punuar në disa sektorë të drejtësisë, duke filluar në organet e ndjekjes penale, në Drejtorinë e Kodifikimit në Ministrinë e Drejtësisë, si avokat, si pedagog në Shkollën e Magjistraturës dhe në institucione të tjera të arsimit të lartë. Ka qenë ministër i drejtësisë, në vitet 1999-2000 dhe Zëvendëskryetar i Këshillit të Lartë të Drejtësisë, në vitet 2003-2007.

Ka marrë pjesë si autor në shumë grupe pune për hartimin dhe rishikimin e legjislacionit, për hartimin e komentarëve, manualeve, buletineve, si dhe në projekte të rëndësishme në fushën e të drejtës. Është autor i shumë artikujve në fushën e të drejtës në disa revista shkencore dhe profesionale, si dhe i përkthimeve të ndryshme.