Historia e hidrocentralit të Kalivaçit nisi me Vendimin e Këshillit të Ministrave nr. 222 datë 24.05.1997 "Për miratimin e marrëveshjes së koncensionit të formës BOT për hidrocentralin e Kalivaçit", që jepte dritën jeshile për një projekt shumë ambicjoz për kohën, që duhej të ndërtohej në harkun kohor të 5 viteve. Koncensionari, BEG S.p.A., ishte një kompani e themeluar rreth dy vite më parë, në 1995 dhe kishte kapital themeltar të deklaruar 1 milion euro. Para vitit 2000 nuk u krye asnjë punim dhe Këshilli i Ministrave më 02.11.2000 me VKM nr. 590 miratoi ndryshime të rëndësishme në kontratën fillestare, duke lejuar koncensionarin që të trasferonte të drejtat në një kompani tjetër të kontrolluar prej tij.
Në shtator të vitit të kaluar, Enti Rregullator i Energjisë ka miratuar kërkesën e këtij subjekti që të kualifikojë impiantin prodhues HEC Kalivaç si "burim të rinovueshëm energjie", ende pa arritur në fazën e montimit të pajisjeve prodhuese.
Në fakt, që nga viti 1997 deri më sot kanë kaluar 15 vjet dhe koha ka qenë tejet e mjaftueshme për të ndërtuar një vepër hidroenergjetike, për më tepër të planifikuar për t'u mbaruar në vetëm 5 vjet. Por, gjatë kësaj kohe, kanë ndodhur mjaft probleme, janë ndërruar aksionerë e nënkontraktorë. Pikërisht me një nga këta të fundit ka lindur edhe një konflikt, që ka çuar palët përpara organit shqiptar të akuzës.
CAE shpk
Nënkontraktori shqiptar, njeri prëj atyre që ishin pajtuar prej sipërmarrësit italian Francesco Becchetti për të kryer punimet e ndërtimit, pretendon se investitori ka krijuar një skemë mashtruese, në të cilën ai ka rënë viktimë.
Nga 1997 deri në 2007, kompania BEG, pa filluar për asnjë moment punimet, ka përdorur kontratën koncensionare me shtetin shqiptar për të gjetur një investitor "të majmë" financiarisht aq sa për të mbuluar ne masën 100% koston e ndërtimit të hidrocentralit të Kalivacit. Në vitin 2007 ky investitor u gjet, ishte Deutsche Bank AG, ishte "i majmë" më shumë se sa duhej dhe mbi të gjitha u bind që kjo ishte një "punë e madhe", theksojnë përfaqësues të kompanisë shaiptare.
Sipas tyre, më pas, në vitin 2007 BEG krijon "Hydro" S.r.l. në Itali me kapital themeltar 17.850.000 euro dhe të përbërë nga kontrata e koncensionit për Kalivaçin, etj. Po në 2007, BEG krijon "Kalivaç Green Energy" sh.p.k. në Shqipëri me NIPT K72326018B, me kapital themeltar 500.000 lekë dhe i kalon kësaj koncensionin, pa asnjë miratim dhe në kundërshtim me kushtet e vendosura nga shteti shqiptar. Pak ditë më vonë, "Kalivaç Green Energy" sh.p.k. i shitet 100% "Hydro" S.r.l. dhe kjo e fundit bëhet gati kështu për të mashtruar Deutsche Bank. Pak muaj më vonë, Deutsche Bank blen 45% të aksioneve për më shumë se 8 milionë euro dhe mori përsipër detyrimin për të financuar në vazhdimësi punimet në Kalivaç.
Deri në 2009 BEG financon punimet në Kalivaç duke paguar nënkontraktorët si "Salillari" Sh.p.k., "Arti" Sh.p.k., "C.A.E." Sh.p.k. dhe të tjerë me paratë e paguara nga Deutsche Bank. Sipas CAE, pagesat u ndërprenë kur Deutsche Bank kuptoi mashtrimin, ndërpreu financimin, u tërhoq nga Hydro dhe nisi procedurat ligjore kundër BEG. Në fund të vitit 2009, nga punimet u tërhoq edhe CAE Sh.p.k. pasi punimet e papaguara arritën në vlerën mbi 2 milionë euro.
Kompania nënkontraktore ka paraqitur padi penale me akuzën për mashtrim ndaj qytetarit italian, sipërmarrësit Francesco Becchetti.
(Shkrimi u publikua ne Shqiptarja.com me 14 tetor 2012)
(sg/shqiptarja.com)