Kreu i Partisë së Lirisë, Ilir Meta, ka reaguar nga qelia, për përmbytjet në vend, duke akuzuar qeverinë për korrupsion dhe keqmenaxhim të qëllimshëm të investimeve publike.
Sipas Metës, mbledhja e Komitetit të Emergjencës Civile katër ditë pas përmbytjeve ishte e vonuar dhe shërbeu vetëm për të mbrojtur, siç u shpreh ai, “korrupsionin qeveritar të mishëruar tek hidrovorët”. Ai kundërshtoi shpjegimet e dhëna nga qeveria, që fajësoi reshjet e shiut dhe ndotjen e shkaktuar prej qytetarëve, duke theksuar se përgjegjësia bie mbi institucionet që nuk kanë pastruar kanalet kulluese dhe kanë lejuar ndërtime mbi kolektorë.
Meta u ndal veçanërisht tek përmbytjet në Gjirokastër, duke i cilësuar një dështim të rëndë dhe duke akuzuar kryeministrin Edi Rama për reagim të vonuar.
Meta e krahasoi funksionimin e hidrovorëve me çështjen e inceneratorëve, duke deklaruar se ato shërbejnë më shumë për të justifikuar shpenzimin e fondeve publike sesa për të mbrojtur qytetarët nga përmbytjet. Sipas tij, me 19 milionë euro mund të ishin ndërtuar pesë hidrovorë funksionalë dhe efektivë.
Postimi i plotë i Metës në Facebook
"Kreu i Organizatës Kriminale, i cili u kujtua të mblidhte Komitetin e Emergjencës Civile vetëm 4 ditë pas përmbytjeve që shkaktoi korrupsioni skizofrenik i Qeverisë dhe bashkive të tij, mori në mbrojtje korrupsionin (hidrovorët) e tij.Në kundërshtim me banorët e përmbytur dhe specialistët e hidrologjisë, ai me pacipësinë që e dallon, ia vuri fajin "qametit" por edhe popullit që flak qese plastike.Ndërsa administrata e tij e dyfishuar nuk ka asnjë faj pse nuk pastron kanalet në verë apo jep leje ndërtimi mbi kolektorë.Veçanërisht përmbytja e Gjirokastrës është një "arritje" historike që vetëm Edi Rama mund ta realizonte, ndërkohë që sasia e reshjeve ishte nën mesataren mujore.Sepse Edi Rama, në vend që të marrë masa në verë për të parandaluar përmbytjet në dimër, apo të përgatitet në dimër për të parandaluar zjarret në verë, ka vendosur të mbrojë pa i'u dridhur qerpiku korrupsionin e tij edhe me hidrovorët. Sepse për të, hidrovorët punojnë po aq mirë sa inceneratorët që nuk ekzistojnë, me të vetmin ndryshim që hidrovorët ekzistojnë për të na treguar që Edi Rama nuk bën vepra publike në shërbim të qytetarëve, por vetëm për të justifikuar grabitjen e fondeve publike. Me 19 milionë euro mund të ishin bërë 5 hidrovorë efektive dhe funksionalë. Megjithatë, rëndësi ka që hidrovorët "punojnë" si inceneratorët që nuk ekzistojnë. Këtu turpi nuk ka më turp nga turpi"
Komente









