Hillary Clinton, George Soros dhe Denzel Washington ndër të dekoruarit me medaljen më të lartë civile

UASHINGTON – Ish-Sekretarja e Shtetit Hillary Clinton, filantropi demokrat George Soros, si dhe aktori dhe regjizori Denzel Washington morën të shtunën medaljen më të lartë civile në një ceremoni në Shtëpinë e Bardhë.

Presidenti Joe Biden u dha Medaljen Presidenciale të Lirisë 19 personaliteteve të politikës, sporteve, industrisë së argëtimit, grupeve të të drejtave civile, aktivistëve për të drejtat e komunitetit LGBTQ+ dhe të shkencave.

Shtëpia e Bardhë tha se të dekoruarit kanë dhënë “kontribut shembullor për begatinë, vlerat dhe sigurinë e Shteteve të Bashkuara, paqen ndërkombëtare dhe përpjekje të tjera domethënëse shoqërore, publike dhe private”.

 

Presidenti Biden duke i dhënë Medaljen Presidenciale të Lirisë, ish-sekretares së Shtetit, Hillary Clinton (4 janar 2025)

Katër personalitete u nderuan pas vdekjes: Fannie Lou Hamer, e cila themeloi Partinë Demokrate në Mississippi dhe përgatiti terrenin për Ligjin e të Drejtës së Votës së vitit 1965; ish-prokurori i përgjithshëm dhe senatori Robert F. Kennedy; George W. Romney, i cili shërbeu si guvernator i Miçiganit dhe sekretar për strehimin dhe zhvillimin urban; si dhe Ash Carter, ish-sekretar i mbrojtjes.

Zoti Kennedy ishte babai i Robert F. Kennedy Jr., tashmë i emëruar nga Presidenti i zgjedhur Donald Trump në postin e sekretarit të shëndetësisë dhe shërbimeve njerëzore. Zoti Romney është babai i ish-senatori republikan të shtetit Utah, Mitt Romney, i cili është një ndër konservatorët më kritikë ndaj Presidentit të zgjedhur Trump.

 

Aktori Denzel Washington

Ndër filantropët që u nderuan me medalje janë: shefi spanjollo-amerikan i kuzhinës, Jose Andres, organizata e të cilit “World Central Kitchen” është bërë ndër organizatat më të njohura të ndihmave në botë; si dhe Bono, ish-anëtari i grupit të muzikës rock U2 dhe aktivist për drejtësinë sociale.

Ndër yjet e sportit dhe industrisë së argëtimit që vlerësohen me medalje janë: lojtari i futbollit Lionel Messi; ish-lojtari legjendar i ekipit të basketbollit “Los Angeles Lakers”, Earvin “Magic” Johnson; aktori Michael J. Fox, që shërben si aktivist për punën kërkimore për sëmundjen Parkinson; si dhe William Sanford Nye, i njohur nga disa breza studentësh si “njeriu i shkencës Bill Nye”.

 

Presidenti Biden duke i dhënë medaljen ish-basketbollistit "Magic" Johnson

Ndër personalitetet e tjera janë: aktivistja për mbrojtjen e mjedisit Jane Goodall; kryeredaktorja e hershme e revistës “Vogue Magazine”, Anna Wintour; stilisti amerikan i modës Ralph Lauren; themeluesi i Institutit Amerikan të Filmit, George Stevens Jr.; sipërmarrësi dhe aktivisti për të drejtat e komunitetit LGBTQ+, Tim Gill; si dhe David Rubenstein, bashkëthemelues i firmës globale të investimeve “The Carlyle Group”.

Një vit më parë, Presidenti Biden dha Medaljen Presidenciale të Lirisë për 19 persona: për aktivistin për të drejtat civile Medgar Evers (pas vdekjes); për ish-kryetaren e Dhomës së Përfaqësuesve, Nancy Pelosi; ligjvënësin James Clyburn, nga Karolina e Jugut dhe aktoren Michelle Yeoh./ VOA

K.M/r.k./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • elona: 04/01/2025 20:10

    prandaj i humben zgjedhjet biden me shoke se u moren me LGBT e me sorosin e me radhe, hajde qerohuni nga zyrat sa me shpejt sa pa ber akoma deme

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës: 3 Janar, 17:13

    A jeni dakord me vendimin e gjykatës për detyrim paraqitje të Berishës?



×

Lajmi i fundit

Temperaturat e ulëta zbrazin 'depozitat' e gazit në Europë, ulen 'pikiatë' rezervat

Temperaturat e ulëta zbrazin 'depozitat' e gazit në Europë, ulen 'pikiatë' rezervat