Himarë, 25 korrik/ATSH-Harilla Koçi/.-Dy vjet pas bllokimit të vjeljes, grumbullimit dhe tregtimit të sherebelës, Bashkia e Himarës ka forcuar masat e kontrollit në zbatim të vendimit të këshillit bashkiak, që synon disiplinimin e këtij aktiviteti.
Burime zyrtare vendore, thanë për ATSH-në se, policia bashkiake dhe inspektorë të bashkisë, kanë ushtruar kontrolle të herë pas hershme në territor duke aplikuar edhe gjoba, në të paktën 15 raste. Ndalimi i grumbullimit të sherebelës dhe aktivitetit të çdo subjekti dhe individi në këtë drejtim, u bë me një vendim të posaçëm të këshillit bashkiak dhe ishte rrjedhojë e abuzimeve të shumta dhe e papërgjegjshmërisë që është treguar në procesin e vjeljes, çka e ka dëmtuar rëndë këtë bimë.
"Për vite me rradhë nuk janë respektuar kriteret dhe periudha e vjeljes së sherebelës, përkundrazi, të gjithë individët dhe subjektet që janë përfshirë në këtë aktivitet e kanë dëmtuar atë në mënyrë të pariparueshme", thane burimet. Sipas tyre, masive të tëra me këtë bimë, janë shkatërruar nga rrënjët, për shkak të papërgjegjshmërisë në procesin e grumbullimit, ndërkohë që ajo është vjelë edhe në periudhat kur ndalohet, për shkak të proceseve të rritjes. Në këto kushte, u vlerësua domosdoshmëri bllokimi i aktivitetit për një periudhë të paktën 2 vjeçare, aq sa nevojitet rikuperimi i kësaj bime, ndërkohë që inspektorët e shërbimit pyjor pranë bashkisë kanë ushtruar kontrolle në terren, duke aplikuar të patën 10 gjoba gjatë javëve të fundit.
-Tradita-
Grumbullimi, përpunimi dhe tregtimi i sherebelës është një traditë e hershme e popullsisë së bregdetit të Himarës. Dikur, gratë e kësaj zone angazhoheshin rregullisht në grumbullimin e kësaj bime me vlera kuruese, duke e mbledhur në të gjitha shpatet e vargmalit nga Llogoraja deri në Himarë e më tej. Sherebela, krahas ullinjve, agrumeve etj, ishte një nga burimet kryesore të të ardhurave. Në dekadat e periudhës së komunizmit, ky aktivitet u shndërrua në një sipërmarrje me vlera dhe qindra kooperativiste përfshiheshin në mbledhjen e kësaj bime që rritej masivisht në pllajat e maleve.Por, pas viteve 1990-të, tradita u zbeh. Largimi masiv drejt emigracionit u reflektua edhe në këtë drejtim. Sherebela, një bimë që përdoret në industrinë farmaceutike dhe atë të kozmetikës, mbeti pa u vjelë për vite me rradhë.
Bregderi i Himarës është i pasur me këtë bimë dhe aktualisht rezervat vjetore të të ardhurave që mund të sigurohen nga tregtimi i saj, arrijnë në rreth 2 milionë euro. Specialistë të Bashkisë së Himarës, po përgatisin dokumentacionin përkatës për ta shndërruar grumbullimin dhe tregtimin e kësaj bime, në një sipërmarrje të qeverisjes vendore. Kjo, sepse përmes këtij aktiviteti mund të rriten kapacitetet e punësimit, por edhe të sigurohen të ardhura të konsiderueshme, krahas turizmit.
-Sherebela, përdorim të gjerë në industrinë kimike dhe farmaceutikë-
Sherebela ka një fushë të gjerë përdorimi dhe gjithashtu edhe vlera të larta kurative. Ajo përdoret për prodhimin e vajrave bimore, për qëllime estetike, për prodhimin e shampove, në kulinari, në prodhimin e qetësuesve të ndryshëm kundër alergjive. Sipas specialistëve edhe paracetamoli ka një përqindje të konsiderueshme prej sherebelës./z.t//a.ke/