Kryeregjistruesja e Republikës, Blerina Doracaj u shpreh sot gjatë një deklarate për mediat, drejtuesit e hipotekave në rrethe do i nënshtrohen një konkursi brenda muajit gusht. 

Deklarata e Doracajt vjen pak ditë pasi kryeministri Edi Rama kërkoi zyrtarisht nga drejtorët të jepnin dorëheqje pasi kishin torturuar njerëzit. 

"Për ecurinë e punës dhe situatën e çdo zyre të ZRPP, është hartuar një informacion dhe i është paraqitur Kryeministrit pa fshehur asgjë.

Mbi bazën e kësaj analize fillestare të situatës kam kërkuar që të gjithë drejtuesit e zyrave vendore të futen në një garë për të merituar nderin për t'i shërbyer qytetarëve.

Regjistruesit do të zgjidhen kundrejt një procedure të hapur e cila do të përmbyllet në fund të muajit gusht. Për këtë do të ngrihet një grup punë për përcaktimin e rrepta dhe ngushtësisht teknike për aplikuesit për regjistruesit në të gjithë zyrat vendore",
u shpreh Doracaj. 

Ajo deklaroi gjithashtu se ZRPP do nisë edhe një Vetting për punonjësit e zyrave në rrethe për të zbuluar shkelësit e ligjit të cilët do çohen për ndjekje penale si dhe do të largohen nga puna. 

"Paralelisht me hapjen e konkursti për regjistruesit do të nisë edhe një proces verifikimi apo vettingu për të gjithë punonjësit e zyrave të regjistrimit nga i pari tek i fundit. Për çdo rast që do të konstatohet shkelje ligji do të procedohet me kallëzime penale dhe për çdo rast të shkeljes administrative do të bëhet largimi nga puna i këtyre punonjësve", tha drejtorja e Hipotekës, Blerina Doracaj.