Hiqet me kushte TVSH-ja
për importin e makinerive 

Hiqet me kushte TVSH-ja <br />për importin e makinerive 
Ndryshe nga sa është deklaruar në një nga mbledhjet e fundit të Këshillit të Ministrave nga kryeministri Sali Berisha, heqja e TVSH-së për importin e makinerive dhe pajisjeve nga bizneset do të jetë e kufizuar. Këtë të drejtë mund ta fitojnë vetëm ato biznese, që investojnë shifra nga 50 milionë lekë të reja e sipër.

Projektligji është miratuar në qeveri më datë 3 tetor, por, deri tani, nuk ka parë dritën e publikimit. Në mbledhjen e qeverisë të asaj date, Berisha deklaroi se "tani çdo investitor e di që do të paguajë çmimin e blerjes dhe te transportit të makinerive të tij dhe do t'i çojë në sheshin e ndërtimit, pa patur asnjë detyrim ndaj administratës shtetërore. E konsideroj këtë një nga vendimet më të rëndësishme që kemi ndërmarrë në përpjekjet e kësaj qeverie për të nxitur dhe ndihmuar biznesin për të krijuar një mjedis sa më miqësor. Kam informacione se janë kompani të shumta, të cilat duan të shpërngulen në Shqipëri se kjo krizë në vende të tjera ka vështirësuar performancën ekonomike," tha kryeministri.

Bizneset prej kohësh kishin kërkuar heqjen e TVSH-së për makineri dhe pajisje duke ndryshuar vendimin e mëparshëm, që lejonte pagesën me një afat kohor deri në dy vjet. Por, sipas këtij projektligji, qeveria është shprehur se "importimi i makinerive dhe pajisjeve në funksion të realizimit të kontratave të investimeve me vlerë në dhe mbi 50.000.000 lekë është furnizim i përjashtuar nga Tatimi mbi Vlerën e Shtuar. Procedura e përjashtimeve përcaktohet me Vendim të Këshillit të Ministrave dhe do t'u akordohet vetëm makinerive dhe pajisjeve që janë direkt të lidhura me investimin".

Ligji do të hyjë në fuqi 15 ditë pas botimit në Fletoren Zyrtare, por burime të ndryshme nga biznesi vlerësojnë se zbatimi i tij do të fillojë në janar të 2013-s. Sipas ekspertëve, përmirësimi i klimës me anë të këtij ligji do të ndihej pjesërisht në treg. Të gjitha ndërmarrjet që duan të shtojnë makineri, apo të plotësojnë linjat e tyre të prodhimit, për të cilat u nevojiten më pak se 50 milionë lekë të reja (500 mijë dollarë), duhet të ecin në të njëjtën rrugë të vështirë, të bërë deri më tani. Nga kjo mundësi rrezikojnë të mos fitojnë asgjë pikërisht ata sektorë, që aktualisht kanë ndikimin më të gjerë në treg, duke filluar nga prodhuesit ushqimorë e deri te ata të veshjeve e këpucëve.

PR/LIGJI
Importimi i makinerive dhe pajisjeve në funksion të realizimit të kontratave të investimeve me vlerë në dhe mbi 50.000.000 lekë është furnizim i përjashtuar nga Tatimi mbi Vlerën e Shtuar

Për makineritë dhe pajisjet e importuara zbatohet skema e shtyrjes së pagesës së TVSH-së deri në 12 muaj

Procedura e përjashtimeve do të përcaktohet me Vendim të Këshillit të Ministrave dhe do t'u akordohet vetëm makinerive dhe pajisjeve që janë direkt të lidhura me investimin
Ligji do të hyjë hyn në fuqi 15 ditë pas botimit në Fletoren Zyrtare

(Shkrimi u publikua sot ne gazeten Shqiptarja.com)
(sg/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:
    25 Nëntor, 08:30

    Takimet jashtë, mendoni se diaspora do marrë pjesë masivisht në votime?



×

Lajmi i fundit

Në pranga me urdhër të SPAK, ish-gjyqtarja Pajtime Fetahu porositi vrasjen e gazetarit Saimir Kodra, krimi do të kryhej nga grupi Çopja

Në pranga me urdhër të SPAK, ish-gjyqtarja Pajtime Fetahu porositi vrasjen e gazetarit Saimir Kodra, krimi do të kryhej nga grupi Çopja