Një takim tjetër mes kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, dhe presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiç që u zhvillua dje në Bruksel, përfundoi pa ndonjë rezultat konkret. Qeveria e Kosovës tha se ishte e gatshme të nënshkruante propozimin e diplomatëve evropianë për Asociacionin e komunave me shumicë serbe në Kosovë, por sipas saj Aleksandër Vuçiç insistoi në zbatim të marrëveshjeve të kaluara.

Deputeti i PDK Hisen Berisha i ftuar në “Studio Live” në Report Tv me gazetaren Esmeralda Dodaj tha se propozimi për Asociacionin shkel Kushtetutën.

“Drafti ka elementë antikushtetues. Në pikën 5 të draftit thotë se kompetencat i delegon qendra te njësia, kurse tani kemi të bjëmë me një status i cili e krijon një njësi administrative territoriale e cila përmes vetëmenaxhimit si mekanizëm që ka pranuar Kurti në dialog krijon vetë detyrimet e veta dhe e ka nivelin e asamblesë që i legjitimon ato. Sa i përket bazës juridike mbi të cilën krijohet tani është e perjashtuar kushtetuta e Kosovës. Tani flitet për modele moderne evropiane. Atje ka një mbyllje të plotë të procesit, ky është asocacion i hapur. Do të thotë se nuk mbyllet ky me katër komuna por munden dhe komunitetet e tjera. Deri më sot çdo dokument që është prodhur Serbia nuk e ka zbatu kurse Kosova e ka zbatuar dhe sot është në sanksione. Ne duhet të fokusohemi nga partneriteti jonë me SHBA në çdo vendimmarrje”, tha Berisha për Report Tv.

Kosova dhe Serbia përmbyllën edhe një maratonë takimesh ditën e djeshme në Bruksel pa ndonjë pajtim. Sipas Qeverisë së Kosovës, Kurti përsëriti se është i gatshëm ta nënshkruajë Marrëveshjen Bazë për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë, si dhe draftin e ofruar nga diplomatët perëndimorë për themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe, por pala tjetër nuk është. Nga ana tjetër, Vuçiç tha se Serbia nuk mund ta pranojë anëtarësimin e Kosovës në Kombet e Bashkuara apo pavarësinë e Kosovës” - hapa që në njëfarë mënyre, i kërkon Marrëveshja Bazë.