Histori/ Bashkimi, historia e një “shoqnie” dhe e fjalorit të saj

Histori/ Bashkimi, historia e një “shoqnie” dhe e fjalorit të saj

Foto ilustruese

Shthurja e Perandorisë osmane në mesin e shek. XIX, për popullin shqiptar do shënohet si kohë e lëvizjeve të reja politike, shoqërore, kulturore dhe arsimore.  Edhe pse të ngadalëta për shkak të kushteve të rënda politike e sociale, këto lëvizje patën rezultatet e veta. Me rëndësi historike qe hapja e shkollave private pranë kishave ku mësohej gjuha shqipe dhe përhapja pastaj në popull e mësimit dhe e këndimit shqip, një atribut i klerit katolik shqiptar e të huaj. Shkolla zyrtarisht  fetare ku mësohej gjuha shqipe dhe lëvroheshin ndjesitë kombëtare pati pothuajse pranë çdo kishe dhe kuvendi në Veri të Shqipërisë.Këtu zë fill edhe sentenca, që  disa studiues e pohojnë “Një kishë një shkollë”.

Në lidhje më këtë situatë arsimore e kulturore, Dom Ndoc Nikaj do shprehej: “Shkrimi e leximi asht porsi nji ziarm i mbuluem qi ndezët perkadal ne terr e me ma te paren rase qi nje guximtar i largon hinin, shpërthen ne flake. Turkija prandaj me arsye, dronte kulturën e shkrimet e këndimet se sa per gjuhen e folun gojarisht nuk u interesu me ba ndryshime”.

Meqenëse librat shkollorë dhe revistat në veri të Shqipërisë, me qendër në Shkodër, kah fundi i shek. XIX,  botoheshin në tre alfabete: në alfabetin e vjetër (të Jezuitve), në atë të Shoqërisë "Bashkimi" (1899) të abat Pregë Doçit dhe në alfabetin e Shoqërisë "Agimi" (1901) të Dom Andre Mjedës, u ndie i nevojshëm përshpejtimi për një unifikim sa më parë të alfabetit. Me këtë rast disa klerikë intelektualë shqiptarë, të përkrahur edhe nga Imzot Pashk Guerrini, kishin hedhur idenë për krijimin e një akademie (instituti) për studimin e dialekteve, vendosjen e gjuhës së përbashkët, hartimin e gramatikës e të fjalorit të gjuhës shqipe. Kjo ide e nxitur edhe nga situata e krijuar në terren u bë temë diskutimi ndërmjet (krye)ipeshkvijve të të gjitha dioqezave (Shkupit, Durrësit, Shkodrës, Lezhës, Pultit, Sapës dhe abacisë së Mirditës) në një takim të mbajtur nga 1-6 Maj 1902 në Shkodër. Më vonë, pjesë e kësaj nisme u bënë edhe Propaganda Fide në Romë dhe Konsullata Austro-hungareze në Shkodër. Kjo e fundit kishte dedikuar në llogari të Arqipeshkvisë së Shkodrës 400 franga për formimin kësaj Akademie studimore. Porse nga letra e Imzot Guerrinit, dos. 28, dt. 26 maj 1902. nr. Prot. 377, mësohet se kjo ide fisnike kishte mbetur e parealizuar për arsye të mosarritjes së konsensusit ndërmjet ipeshkvijve, kërkesë kjo e qeverisë Austro-hungareze dhe e Propaganda Fide.

Zanafilla e shoqnisë "Bashkimi"

Në vazhdën e lëvizje politike e kulturore  që zhvilloheshin në fundin e shek. XIX  brenda dhe jashtë Shqipërisë për unitetin e kombit dhe arsimimit në shqip, duhet veçuar mbledhjen e disa klerikëve të veriut me në krye Dom Ndoc Nikajn, famullitarin e Shkrelit dhe abatin e Mirditës, Preng Doçin, në vitin 1893. në Shkrel, Malësia e Madhe.

Sipas dëshmitarit të kohës, Dom Ndoc Nikaj, kjo qe mbledhje e fshehtë dhe ,në përfundim të saj,aty u krijua lidhja kombëtare e quajtur “Bashkimi Shqyptar”. Nikaj, më tej shprehet se kjo mbledhje:“kishte për detyrë Bashkimin e Shqyptarve pa dallim feje dhe fisi”... “U lidhme me shkrue në giuhen shype, seicilli si mbas andjes së vet dhe si mbas priret përkatëse”.  Nga kjo mbledhje e pati zanafillën e vet edhe formimi i shoqërisë “Bashkimi” në Shkodër e cila në vitin 1899 mori formën e vet zyrtare, me kryetar abat Preng Doçin. Në takimin themelues të Shoqërisë “Bashkimi” ishin: Imzot, Preng Doçi, Imzot Lazer Mjeda, Dom Jak Sarreqi,  Atë Gjergj Fishta, Dom Ndoc Sheldia, Dom Gjon Koleci, Dom Mark Shllaku, Atë Pashk Bardhi, Dom Ndoc Nikaj, Dom Dodë Koleci, Dom Mëhill Çuni si dhe laikët Mati Logoreci, Gaper Beltoja,  Ndue Paluca etj.

Qëllimi kryesore i kësaj Shoqërie ishte, përhapja sa më shumë e gjuhës shqipe nëpërmjet shtypit të shkruar si dhe shtimi i botimit të librave nga fushat e ndryshme në alfabetin latin, veprime atdhetare, te cilat shërbyen si parapërgatitje për shpalljen e Pavarësisë se vendit tonë ne vitin 1912.

Vepra e parë dhe themeltare që doli nga shoqëria “ Bashkimi”, qe “Fialuer i Rii i Shcypes”,  Shkodër, 9 Janar 1908, i udhëhequr nga  abat Doçi dhe hartuesit, sipas dëshmisë së d. Ndoc Nikajt, dëshmitar pjesëmarrës, qenë: Dom Dodë Koleci, dom Ndoc Nikaj dhe dom Mark Shllaku. Fjalori me germa latine, prej 538 faqesh dhe me afro 13614 fjalë (sipas Shefkije Islamaj), ishte një udhërrëfyes i pa zëvendësueshëm për ngjarjen e ndodhur në Kongresin e Manastirit, më 14-22 nëntor 1908, kur me pëlqimin  e të gjithë anëtarëve të komisionit u vendos që populli shqiptarë, pas shumë shekujve të kishte  alfabetin e vet unik.

Ndër aktorët që kontribuan për unifikimin e alfabetit, i cili  pati për bazë fjalorin e shoqërisë “Bashkimi”, përmenden:  Atë Shtjefën Gjeçovi dhe letërkëmbimi i tij me konsullin austro-hungarez , Atë Vinçens Prenushi dhe korrespodenca e tij e datës 14 shkurt dhe 27 korrik 1908  rreth punës se Kongresit, me A.S.Drenoven, F.Nolin, P. Luarasin etj. dhe Seminari i Jezuiteve ne Shkodër. Në Kongresin e Manastirit, në komisionin  e alfabetit, kryetar i të cilit ishte At Gjergj Fishta, përfaqësuese i shoqërisë “Bashkim”, ishin dom Ndre Mjeda përfaqësues i shoqërisë “Agimi” dhe Dom Nikollë Kaçorri, i dërguari i Kryedioqezës së Durrësit. Sipas dokumentacionit të Kryedioqezës së Shkodrës, dosja 26, viti 1908, letër urimi i ka dërguar Kongresit edhe Imzot Pashk Guerrini së bashku me 30 intelektualë shkodranë,  të firmosur më dt. 9 nëntor 1908. Ndër të tjera në këtë letër thuhet:“Gnjiesia e abees asct ner maa scejte cestie per gith nee..”

Vendimet e Kongresit të Manastirit, i cili nuk mund të imagjinohet pa Shoqërinë “Bashkimi”, kanë qenë të mirëpritura edhe tek faktorët e tjerë të rëndësishëm.Këtë e dëshmon  korespodenca e mëvonshme ndërmjet Arqipeshkvit të Shkodrës, Imzot Guerrinit, atij të Durrësit, Imzot Preng Bianchut me Propaganda Fide në Romë dhe konsullatën austro-hungareze në Shkodër. Në këtë korrespodencë ndër të tjera citohej se,  botimi i librave shqip tani e tutje do bëhej sipas vendimit të Kongresit të Manastirit. E kësaj rëndësie  është edhe letra e rektorit të Seminarit, Liugi Cattaneo, e  13 Marsit 1909, drejtuar të gjithë ipeshkvijve për botimin e katekizmit të Papa Pio i X-të në gjuhën shqipe sipas Manastirit.

Shoqëria “Bashkimi”, brenda  nëntë viteve të ekzistencës së vet, ka nxjerrë në dritë 32 vepra në fushë të gjuhës, tekste shkollore, vepra letrare, historike e fetare, që mbanin në vetvete, një rëndësi, jo vetëm filologjike por edhe kombëtare.

Veprat e Shoqërisë “Bashkimi” botoheshin, në shtypshkronjën e Jezuiteve, "Zoja e Paperlyeme” në Shkodër, shtypshkronja më e vjetër në Shqipëri, e krijuar që nga viti 1870.

Fjalori i Shoqërisë “Bashkimi”, për vlerën që pati, u bë model dhe pikë referimi për hartuesit e më vonshëm të fjalorëve, si: Nobert Jokli (më1911e më 1923), P. Antonio Busetti-1911(Vocabolario italiano-albanese), Atë Fulvio Cordigano, (më1929 e më1934), Dom Nikollë Gazulli (më 1939 e më 1941), Atë Bendikt Dema, (më 1966), si dhe për studiuesit: Aleksander Xhuvani, Eqrem Çabej etj. e deri të hartuesit e  Fjalorit të Gjuhës Shqipe të vitit 1954.

Botimi anastatik, që po i jepet në dorë lexuesit, është i pari mbas 110 vitesh në Shqipëri, për shkakun parësor të armiqësisë së njohur të rrëgjimit të shkuar ndaj klerit katolik. Në  Prishtinë, është bërë një botim anastatik në vitin 1978, nga shtëpia botuese “Rilindja”, nën drejtimin redaksional të prof. Ahmet Kelmendit. Kurse, nga Instituti i Studimeve Albanologjike në Shkodër është mbajtur një konferencë në vitin 2008 në përkujtim të 100 vjetorit të botimit të parë.

Tani që fjalori “u rikthye”, duhet falënderuar biblioteka e Universitetit te Shkodrës që vuri në dispozicion të nismës kopjen e rrallë të fjalorit si dhe Entin botues, “Gjergj Fishta” në Lezhë, që mundësoi botimin e tij.

Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    26 Dhjetor, 08:05

    Si ka qenë për ju viti 2024?



×

Lajmi i fundit

Norvegji, autobusi me 60 pasagjerë del nga rruga dhe përfundon në liqen! 3 të vdekur

Norvegji, autobusi me 60 pasagjerë del nga rruga dhe përfundon në liqen! 3 të vdekur