Historia 160-vjeçare e fototekës
“Marubi”, si mbijetoi trashëgimia!

Historia 160-vjeçare e fototekës<br />“Marubi”, si mbijetoi trashëgimia!
Fototeka “Marubi”, që nga themelimi e deri në ditët e sotme është e vendosur në qytetin verior të Shqipërisë, Shkodër. Kjo fototekë është një ndër institucionet kulturore më të vjetra në Shqipëri, me një histori 160-vjeçare. 

Si datë themelimi e Fototekës njihet hapja e studios fotografike e themeluar nga Pietro Marubi (Pjetër Marubi) në vitin 1856 në Shkodër. 

Arkivi i Fototekës është shumë i pasur. Vetëm njëri nga arkivat përmban rreth 500 mijë fotografi të gjitha prej negativi, në xham dhe në rula film, të përmasave të ndryshme. Fotot fillojnë që nga themelimi i studios më 1856 dhe deri në vitin 1989. 

Studioja Marubi është trashëgimi e tre 3 personaliteteve, që janë themeluesi italian Pietro Marubi dhe 2 shqiptarët që e trashëguan duke marrë edhe mbiemrin, Kel Marubi dhe Geg Marubi.

Pietro Marubi nuk kishte fëmijë. Ai mori si shërbyes të tij një familje nga Zadrima e Shkodrës, me mbiemrin Kodheli, familje e cila kishte dy djem, Matia dhe Kel dhe disa vajza.

Pietro Marubi u trashëgoi atyre profesionin dhe vendosi t’i shkollojë në Itali, në një nga studiot më të njohura të kohës. Duke qenë se Matia vdes në moshë të re, Pietro Marubi përkushtohet për t’i mësuar artin e fotografisë Kel Kodhelit, i cili më vonë do të merrte emrin Kel Marubi.

Në vitin 1903 me vdekjen e Pietro Marubit, Kel Marubi do të trashëgonte studion fotografike. Kel Marubi jetoi në një periudhë të rëndësishme historike për shqiptaret që përkon edhe me aktivitetin politik të Mbretit Zog, prandaj ai do të ishte edhe fotograf zyrtar i Oborrit Mbretëror, ku janë fiksuar foto nga data të rëndësishme historike për Shqipërinë, aktivitetin e Mbretit Zog, etj. Kel Marubi e dërgoi djalin e tij Geg Marubi për shkollim në Francë, dhe kur u kthye në Shqipëri ai së bashku me të atin vijuan aktivitein në studio. 

Familja Marubi përcolli përmes fotografive periudha të rëndësishme të historisë së Shqipërisë, si gjatë periudhës së Perandorisë Osmane, Periudhës së Mbretit Zog dhe regjimit komunist. 

Pietro Marubi lindi në Piacenza të Italisë më 1834 dhe i detyruar nga disa rrethana historike të kohës u zhvendos në Shkodër ku iu përkushtua pasionit të tij për artin e fotografisë.

Pas një shekulli Pietro Marubi nuk shihet vetëm si një fotograf, por ai njihet edhe si arkitekt e piktor, me veprat prkatëse. Si arkitekt vlen të përmendet projekti i katedrales katolike të qytetit të Shkodrës. Ndërkohë Marubi është edhe autor i afreskeve të Kishës ortodokse të qytetit të Shkodrës. Pietro Marubi ka qenë edhe fotografi zyrtar i familjes mbretërore në Malin e Zi.

Në Shqipëri ai njihej si një mik i ngushtë i zyrtarëve dhe personaliteteve jo vetëm të Shkodrës, por edhë më gjerë. Falë fotove të Marubit me dhjetëra personalietete që kontribuan për Shqipërinë plotësojnë arkivat historike. 

Aktualisht në Fototekën “Marubi” ruhen edhe objekte muzeale, si aparat fotografikë, llamba , blice të ndryshme, perdet e studios, karrige, dhe sende të tjera të studios ku ushtruan aktivitetin përfaqësuesit e familjes Marubi. Gjithashtu ruhen edhe dokumente të rëndësishme rreth aktivitetit të Fototekës.

Në vitin 1970, Geg Marubi të gjithë arkivin e familjes së tij ia dhuroi shtetit shqiptar dhe kështu do të ishte fillimisht si një seksion i Muzeut të Qytetit të Shkodrës “Fototeka Marubi”. Në vitin 2003 Fototeka Marubi merr statusin Monument Kombëtar i Kulturës nën varësi të Ministrisë së Kulturës.

Redaksia Online
(u.s/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    Ku po i kaloni pushimet e verës?



×

Lajmi i fundit

Aksident tragjik në Lushnjë, makina e marrë me qira del nga rruga dhe bëhet copash! Shoferi gjendet i vdekur në timon, ende i paidentifikuar

Aksident tragjik në Lushnjë, makina e marrë me qira del nga rruga dhe bëhet copash! Shoferi gjendet i vdekur në timon, ende i paidentifikuar