Historia e masakrës së Kabashit të Vitisë/ ‘Fshatit i vinte era shkrumb dhe gjëma e të vrarëve u dëgjua për ditë të tëra, pasi u therën me thika e u groposën 54 veta’

Historia e masakrës së Kabashit të Vitisë/ ‘Fshatit i vinte era shkrumb dhe gjëma e të vrarëve u dëgjua për ditë të tëra, pasi u therën me thika e u groposën 54 veta’

Fshati Kabash, ndodhet rrëzë maleve të Kopilaçës, tani i bashkuar plotësisht me qytezën e Vitisë, në anën jugore me hapësirë kodrinore-malore, kurse në anën veriore, me sipërfaqe të rrafshët bujqësore. Në anën lindore kufizohet me lumin Morava, kurse në anën perëndimore, me fshatin Smirë. Kabashi është një ndër fshatrat më të reja në Moravën e Epërme. Kabashin e themeluan kabashët e ardhur nga Kabashi i Prizrenit, në gjysmën e dytë të shekullit XVIII-të, mes viteve 1780-1785. Sot Kabashi, është një ndër fshatrat më të mëdha në Komunën e Vitisë, me afro 400 shtëpi dhe me 3000 e më tepër banorë.

Me shpërbërjen e perandorisë osmane në vitin 1912, trupat serbe e pushtuan Kosovën. Me të arritur në Kosovë: “Oficerët serbë (shkruan New York Times, 31 dhjetor 1912), urdhëruan mënyrën më efikase për t’i paqësuar shqiptarët, pra zhdukjen e tyre totale. Në shumë fshatra i digjnin shtëpitë. Kur banorët e pafat përpiqeshin t’i shpëtonin flakës, vriteshin si minjtë. Burrat vriteshin para grave dhe fëmijëve. Pastaj, ata i detyronin gratë që t’i shikonin fëmijët e tyre, kur ata brutalisht i thernin me bajoneta”.)

Planeve serbe për zhdukjen sistematike të shqiptarëve, nuk i shpëtuan as kabashët. Në pjesën e dytë të muajit tetor të vitit 1913, një grup kaçakësh të udhëhequr nga Rrustem Januz Kabashi, (1891-1914), zbresin nga mali në katund, hetohen nga rojat serbe dhe thirrjeve të tyre për t’u dorëzuar, për të treguar se kush janë, kaçakët u kundërpërgjigjen me armë, duke vrarë dy serbë. Ngjarja ndodh në mbrëmje vonë, në anën perëndimore të xhamisë së fshatit, në largësi prej 20 metrash.

Dikush prej kabashëve e alarmon fshatin për rrezikun pas vrasjeve të serbëve, duke bërtitur rrugëve të fshatit: “Hiqni o katund, nji sahat e ma parë, se veç sa nuk na kanë ra shkijet”! (Lëshoni shtëpitë, dilni prej tyre një orë e më parë (sa më shpejt) se veç sa nuk na kanë sulmuar serbët.) Sipas Ruhan Abdylit, 1906-1983. Nga frika se do të shpalleshin fajtorë edhe ata kabashë që dëgjuan për rrezikun, nuk dolën nga shtëpitë.

Pushtuesi serb me kohë e priste një rast të këtillë, për t’i shfryrë epshet shoviniste mbi kabashët’ për t’ia ndërruar pamjen etnike fshatit. Atë natë u rrethua i tërë fshati nga forca të shumëfishta të xhandarmërisë, ushtrisë dhe civilëve serbë. Sipas dëshmive të atyre që mbetën gjallë, që e përjetuan llahtarinë, në mëngjes të asaj vjeshte, u arrestuan të gjithë meshkujt mbi moshën 15-vjeçare.

Së pari të arrestuarit i ngujuan në xhaminë e fshatit, me pretekst se janë duke bërë hetime. Po atë ditë të arrestuarit i dërgojnë (i ngujojnë) te Kulla e Mbretit në Viti. Kulla ishte te udhëkryqi ku ndahet rruga, që vjen prej mëhallës së Debelldasve, për te tregu i sotëm i pemë-perimeve. Këtë kullë, para 1912-ës e shfrytëzonte xhandarmëria turke, kurse më vonë xhandarmëria serbe, si postëkomandë.

Atë që nuk arriti ta bënte ushtria serbe më 1912, siç veproi në fshatrat fqinje, kur u dogjën, u masakruan, u pushkatuan edhe fëmijët: në Smirë, në Goshicë, në Lugishtë (Lubishtë), në Mogillë, në Mollëkuq (Trestenik) etj., ky rast u desh të shfrytëzohej që t’i zhdukte nga faqja e dheut banorët e fshatit kryeneç, të cilët në vitin 1912, kishin shpëtuar vetëm me një të vrarë (Vesel Hasanin 43 vjeç) dhe të “realizohej plani i Serbisë për kolonizimin, më mirë të thuhet për serbizimin e vendeve ku popullata ishte më tepër shqiptare” (Dr. Millovan Obradoviq, Reforma agrare dhe kolonizimi në Kosovë, 1918-1941, Prishtinë, faqe 5.)

Fshati ende nuk kishte arritur t’i shëronte plagët që ia kishte shkaktuar Shefqet Turgut Pasha (1910), kur u dogj gati gjysma e fshatit dhe u vranë me tradhti, vëllezërit Adem e Mustafë Kabashi, frymëzues, organizatorë dhe pjesëmarrës të luftës në Grykën e Kaçanikut dhe në Luginën e Moravës kundër Turgut Pashës, dhe ja tani erdhi okupatori tjetër edhe më i egër e më mizor. “Atëherë, Kabashi kishte 424 banorë … “(Z. Rexhepi “Kabashi i Anamoravës së Epërme”, Prishtinë, 2003, faqe 12). Në Kullën e Mbretit, të arrestuarit u mbajtën dy ditë.

Ditën e tretë, në mbrëmje, në këmbë, të lidhur me shoka të të arrestuarve, dorë për dore, dy nga dy dhe me forca të mëdha sigurie, i nisin për në Gjilan. Kështu i gënjenin të burgosurit, sikur në Gjilan, do t’i nxirrnin para gjyqit të “drejtësisë”. Kurse në anën tjetër, ata e kishin përgatitur humnerën ku do t’i masakronin. Fshatit ia vunë zjarrin. U dogjën të gjitha shtëpitë, plevicat, gardhiqet, me përjashtim të dy shtëpive, të cilat i përballuan zjarrit, ose u lanë me qëllim (shtëpia e Rexhep Çaushit dhe ajo e Hetem Hasanit). Në plevica, ku ishin fshehur, u dogjën Zenel Rexhepi 40-vjeçar, Qazim Shabani, 20-vjeçar, Rrustem e Shaban Sallahu, njëri 19 e, tjetri 17-vjeçar, në praninë e nënës së tyre, e cila u kacafyt me xhandarët për t’i shpëtuar djemtë, Ibish Jakupi, 48-vjeçar u vra në fshat,

Agush Ahmeti, 30-vjeçar, po ashtu u vra në dalje të fshatit. Murat Salih Abdylin, 50-vjeçar, të sëmurë, veshur në këmishë e done (brekë), e vret shërbëtori i dikurshëm i tij, pasi e lirojnë si të sëmurë. I vrari u varros në vendin e ngjarjes, 300-350 metra larg Kullës, skaj rrugës në hyrje të fshatit Kabash, 30 m., afër mullirit të Miftijajve, bash te bërryli ku është ndërtuar tash pompa e benzinit (Karburanti). Fshati u plaçkit. Të gjitha gjërat e vlefshme u grabitën: pajën e nuseve e të vajzave, bulmetin, fasulen, dimërishtat e rezervuara, misrin, grurin…! Dyert e oborreve, hambarët, qerret deri vonë janë vërejtur në shtëpitë e plaçkitësve në Viti, në Binçë, në Vërbovcë e në Kllokot.

Jahi Selmani (1896-1968), person i cili i shpëtoi pushkatimit, pas shumë vitesh, në rrojtoren e Misin Kabashit, në Gjilan, Gata Veleshanit nga Velekinca, xhelat në plojën e madhe të kabashëve, i’a ka parë në dorë kutinë e argjendtë për duhan dhe qelibarin e Aziz Abdylit (hoxhë i fshatit, i pushkatuar). Çfarë mjerimi, të vrarët janë plaçkitur! Plaçkitësit i morën me vete të gjitha, duke lënë pas vetëm vajin e nënave për djemtë, vajin e nuseve për burrat, vajin e fëmijëve për prindërit dhe mallkimin e grave drejtuar vrasësve, barbarëve.

Fshatit i vinte era shkrumb me javë të tëra. Gjëma e të vrarëve u dëgjua me ditë të tëra. U vranë, u therën me thika dhe u groposën aty 54 veta, (ndoshta edhe më shumë) disa për së gjalli, në një humnerë të përgatitur më parë te Zabeli i Sahit Agës, në afërsi të Kllokotit (tash pronë e Banjës së Kllokotit).
Sipas Jahi Selmanit, i cili e pa me sy ngjarjen, aty ku u masakruan bashkëvendësit e tij, thoshte se pas thirrjes së Rexhep Çaushit (1850-1913), i cili megjithëse ishte i sëmurë (“…serbët e kishin marrë thuaja nga shtrati…” (Z. Rexhepi “Kabashi i Anamoravës së Epërme”, Prishtinë, 2003, faqe 57), gjeti forcë, me atë zërin e tij pushkë, tërë nerv e shpërthyes, si dikur në luftën e vitit 1910 kundër ushtrisë turke në Kaçanik dhe fshatrat e Moravës së Epërme, për t’u dhënë zemër kabashëve: “Qëndroni vllazën, mos u dorëzoni … kundër anmikut duhet me luftue edhe me duer lidhun”!

Pas thirrjes së tij për qëndresë, shpërtheu një revoltë e rrufeshme, u krijua një rrëmujë e pështjellim i përzier me krisma pushkësh e britma shurdhuese. Shkijet të tmerruar nga revolta e të arrestuarve, e humbin kontrollin dhe filluan të shtinin pa ndërpre mbi të lidhurit. Gjatë rrëmujës, thuhet se ka pasur të vrarë edhe xhandarë.

Në saje të këtij kundërshtimi të paparë, arritën të shpëtonin gjallë, përveç Jahi Selmanit edhe, Feriz Osmani, Ramë Kaçarremi, Deli Muçaj dhe Qerim Mehmetuka. Në mesin e të vrarëve, pati edhe mysafirë që u gjetën atë natë të kobshme në odën e Sylë Jasharit. Ata ishin tre veta, njëri prej tyre dhëndër i xha Sylës nga Ballanca, fshat në komunën e Vitisë. Në këtë plojë, u vra edhe një mysafir tjetër nga Mogilla, Misin Luzha.

Fshati mbeti në duar të grave dhe fëmijëve. Shumica e nënave i rritën fëmijët në gjini, për t’u kthyer pas tre vjetësh, e për të rifilluar jetën në fshatin e djegur. Me mund të madh arritën t’i shëronin plagët sadopak dhe t’u dilnin zot trojeve që ua lanë amanet të parët. Ata nuk i harruan fjalët, mesazhin e Bajram Currit, Isa Boletinit, Mustafë Kabashit, në vitin 1909 para se të çlirohej Shkupi, ku qëndruan dy net në Kabash, për ta mobilizuar popullin në luftë kundër turqve. Që atëherë, u kishin thënë të tubuarve në oborrin e xhamisë së fshatit: “Ky truall është i yni. Ta ruajmë e ta mbrojmë si sytë e ballit”! (Sipas Sakip Misin Salihut, 1882-1961).

Peripecitë nuk kanë të sosur. Duhej të ndërtoheshin shtëpitë dhe gjithçka tjetër që u nevojitej për jetë. Disa familje u shuan, disa të tjera u shpërngulën në Turqi. Pastaj filloi kolonizimi i fshatit me serbë të ardhur nga Vllasina. Toka u merret, po dëshira për të jetuar në trojet e të parëve, vazhdon me ngulm.
Pas një hulumtimi, kam gjetur emrat e 44 kabashëve të vrarë dhe tre mysafirëve, kurse të tjerët janë të familjeve të shuara, të shpërngulura ose numri i të vrarëve ndoshta ka qenë më i vogël se sa flitej.

Është për të ardhur keq, që vendi ku janë groposur të masakruarit, e kanë mbuluar ferrat dhe nuk është i shënuar me asgjë. Kjo papërgjegjësi ndaj së kaluarës, të të vrarëve nuk falet, kjo papërgjegjësi është e porositur nga vrasësit, është e dëmshme, kundër vetvetes, kundër interesave tona kombëtare, kundër të së ardhmes. Asnjë nga varrezat masive (mbi 350 viktima) të vitit 1912-1913 në komunën e Vitisë, nuk është e shënuar.

Turp i madh! Njerëzit e përgjegjshëm, të mirë, duhet të ndërhyjnë një orë e më parë. Të shënohen këto vende të plojës, se gjaku i derdhur edhe pa dëshirën e të masakruarve na ndëshkon. Të shkruhet historia e të të pushkatuarve, t’i tregojmë vetes, gjeneratave, botës, se masakrat, plojat mbi shqiptarët, janë të hershme që nga periudha e ngritjes së shtetit serb.

Emrat e të ekzekutuarve:

  1. Misin Salih Cenaj, (52-vjeçar),
  2. Murat Salih Cenaj (50),
  3. Avdyl Salih Cenaj (32),
  4. Hysen Jakup Cenaj (35),
  5. Ibish Jakup Cenaj (52),
  6. Isak Jakup Cenaj (31),
  7. Agush Ahmet Cenaj (30),
  8. Hamëz Nezir Cenaj (18),
  9. Qerim Ali Cenaj (50),
  10. Alush Ali Cenaj (26),
  11. Hafiz Qerim Cenaj (22),
  12. Halit Qerim Cenaj (20),
  13. Azem Kamer Cenaj (48),
  14. Sefedin Azem Cenaj (16),
  15. Aziz Elez Cenaj (47),
  16. Rexhep Çaush Veselaj (63),
  17. Smajl Bajram Veselaj (60),
  18. Bajram Smajl Veselaj (39),
  19. Hamit Selman Veselaj (50),
  20. Jashar Islam Muçaj (60),
  21. Islam Jashar Muçaj (30),
  22. Murtez Brahim Muçaj (52),
  23. Hamdi Murtez Muçaj (17),
  24. Kadri Brahim Muçaj (37),
  25. Isuf Brahim Muçaj (22),
  26. Qamil Osman Muçaj (18),
  27. Zenel Rexhep Muçaj (40),
  28. Hazir Shaban Muçaj (45),
  29. Qazim Hazir Muçaj (20),
  30. Shabi Sadik Muçaj (37),
  31. Ramadan Ramadan Kuklubeci (30),
  32. Rrahim Sallah Trakalaçi (53),
  33. Ali Sallah Trakalaqi (50),
  34. Hebib Ali Trakalaçi (25),
  35. Aziz Avdyl Trakalaçi (47),
  36. Faik Aziz Trakalaçi (19),
  37. Abaz Sallah Trakalaçi (65),
  38. Veli Abaz Trakalaçi (45),
  39. Rrustem Veli Trakalaçi (19),
  40. Shaban Veli Trakalaçi (17),
  41. Hysen Abaz Trakalaçi (18),
  42. Misin Luzha (mysafir, fshati Mogillë),
  43. Shefki Qerimi (mysafir, fshati Ballancë),
  44. Tahir Musliu (mysafir, fshati Ballancë).

(Fragment i shkëputur nga libri: “Na Kabashi jem t’ndam nji zjarrmi”, Gjilan, 2013, Sabit Abdyli)./Memorie.al

SI.E./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    21 Dhjetor, 15:03

    Si e vlerësoni mbylljen e TikTok në Shqipëri për një vit?



×

Lajmi i fundit

Ish-gjyqtarja Fetahu i kërkon nga qelia Gjykatës së Lartë rrëzimin e masës ‘arrest në shtëpi’ të vendosur ndaj saj në gusht

Ish-gjyqtarja Fetahu i kërkon nga qelia Gjykatës së Lartë rrëzimin e masës ‘arrest në shtëpi’ të vendosur ndaj saj në gusht