Kur Hollywood vendosi të sillte në ekran historinë e një bosi të pamëshirshëm të mafias në Çikago, Al Capone nuk qëndroi duarkryq. Gangsteri më i famshëm i Amerikës jo vetëm që ndoqi nga afër projektin, por, sipas një dokumentari të ri, ushtroi presion mbi skenaristin dhe producentët që filmi të mos ishte një pasqyrim i drejtpërdrejtë i jetës së tij.

Kjo histori rrëfehet në dokumentarin "Hollywood Crime Story: The Mob Takes Over the Movies", që ka nisur të transmetohet në AMC+. Sipas tij, organizata kriminale e Capones dërgoi përfaqësues në Los Anxhelos për të parë se si po realizohej "Scarface", filmi i vitit 1932 që konsiderohet sot një klasik i kinemasë.

Edhe pse personazhi kryesor quhej Tony Camonte, për publikun e kohës ishte e qartë se ai ishte frymëzuar nga Al Capone. Edhe nofka "Scarface" ishte identike me atë të gangsterit, i cili e kishte marrë pas një plage në fytyrë.

Sipas Claire White nga Muzeu i Mafias në Las Vegas, Capone u shqetësua sapo mori vesh për filmin dhe kërkoi që historia të mos tregonte besnikërisht jetën e tij. Ai donte që personazhi të shfaqej si elegant, karizmatik dhe jo si një kopje e tij.

Për këtë arsye, njerëzit e mafias u interesuan drejtpërdrejt për projektin. Ata u takuan me skenaristin Ben Hecht, i cili u dha garanci se filmi nuk do të bazohej plotësisht në jetën e Capones.

Në atë kohë, lidhjet mes mafias dhe Hollywood-it po forcoheshin. Bashkëpunëtori i Capones, Johnny Rosselli, ishte vendosur në Los Anxhelos për të krijuar kontakte me drejtuesit e studiove filmike. Ai shoqërohej me yje të kinemasë, luante golf me drejtues të studiove dhe kishte krijuar marrëdhënie me producentë të rëndësishëm.

Vetë Capone vizitoi Los Anxhelosin në vitin 1927. Ai qëndroi në hotelin Biltmore me emër të rremë dhe, sipas dokumentarit, vizitoi edhe rezidencën e aktorit Douglas Fairbanks. Megjithatë, prania e tij tërhoqi menjëherë vëmendjen e mediave dhe policisë, e cila e detyroi të largohej nga qyteti.

Xhirimet e "Scarface" nisën në vitin 1931, me regji të Howard Hawks dhe producent Howard Hughes. Dokumentari thotë se producentët u kujdesën që njerëzit e mafias të ndiheshin pjesë e procesit, për të shmangur përplasjet me organizatën kriminale.

Kur filmi u publikua në vitin 1932, ai hasi probleme me censurën, ndërsa skenat e dhunshme tronditën publikun. Sipas raportimeve të kohës, një grua humbi ndjenjat gjatë ditës së parë të shfaqjes.

Dokumentari argumenton se marrëdhënia mes Hollywood-it dhe krimit të organizuar është po aq e vjetër sa vetë industria amerikane e filmit. Sipas producentit dhe regjisorit Tom Patterson, mafia ka qenë e pranishme që në fillesat e Hollywood-it, ndërsa zhvillimi i studiove filmike dhe fuqizimi i organizatave kriminale në SHBA ndodhën pothuajse paralelisht gjatë viteve 1920.

Në atë periudhë, ndërsa studiot e para filmike po merrnin formë në Kaliforni, organizata si The Outfit në Çikago dhe Mafia në Nju Jork po zgjeronin ndikimin e tyre falë fitimeve të mëdha nga kontrabanda e alkoolit gjatë Prohibicionit. Nuk kaloi shumë kohë dhe këto dy botë nisën të ndërthureshin.

Një rol kyç në këtë histori kishte Johnny Roselli, bashkëpunëtor i Al Capones, të cilin bosi i mafias e dërgoi në Los Anxhelos për të krijuar kontakte me industrinë e filmit. Roselli u afrua me producentë, drejtues studiosh dhe yje të Hollywood-it, duke ndërtuar një rrjet marrëdhëniesh që, sipas dokumentarit, i hapi mafias dyert e një prej industrive më të fuqishme amerikane.

Dokumentari pretendon se Roselli siguroi edhe një hua prej rreth 500 mijë dollarësh për Harry Cohn, presidentin e Columbia Pictures. Sipas autorëve, kjo i mundësoi Cohnit të blinte aksionet e ortakëve të tij dhe krijoi një nga lidhjet e para të rëndësishme mes një studioje të madhe filmike dhe botës së krimit.

Me kalimin e viteve, ndikimi i mafias nuk mbeti vetëm te studiot. Dokumentari tregon se organizatat kriminale arritën të depërtonin edhe në sindikatat e industrisë së filmit, duke vendosur njerëzit e tyre në poste drejtuese dhe duke ushtruar ndikim mbi prodhimin e filmave.

Një nga historitë më të bujshme lidhet me aktorin James Cagney, i cili drejtonte Screen Actors Guild. Sipas dokumentarit, bosë të krimit kishin planifikuar eliminimin e tij pasi ai refuzoi t'u dorëzonte kontrollin e sindikatës. Autorët pretendojnë se jeta e tij u shpëtua vetëm pas ndërhyrjes së aktorit Paul Muni, protagonistit të "Scarface", pranë Al Capones.

Në episodet pasuese, dokumentari ndalet edhe te figura si Benjamin "Bugsy" Siegel, Mickey Cohen dhe Johnny Stompanato, të cilët krijuan lidhje të forta me elitën e Hollywood-it, duke e bërë edhe më të paqartë kufirin mes botës së filmit dhe asaj të krimit.

Sipas dokumentarit, kjo marrëdhënie vazhdoi edhe në dekadat e mëvonshme. Figura si Lew Wasserman dhe Sidney Korshak u shndërruan në emra me ndikim të madh në Hollywood, ndërsa rrjeti i njohur si "Supermob" ose "Kosher Nostra" thuhet se kishte ndikim në financimin e filmave, përzgjedhjen e aktorëve, sindikatat dhe marrëveshje të rëndësishme brenda industrisë.

Dokumentari ndalet edhe te realizimi i "The Godfather", duke pretenduar se projekti mori mbështetje jozyrtare nga bosi i mafias Joe Colombo, ndërsa një pjesë e financimit lidhej me bankierin Michele Sindona, i cili kishte lidhje me Mafian dhe Vatikanin.

Sipas Tom Patterson, suksesi i jashtëzakonshëm i "The Godfather" ndryshoi jo vetëm historinë e kinemasë, por edhe mënyrën se si mafiozët e perceptonin veten. Ai thotë se, pas daljes së filmit, shumë bosë të krimit nisën të imitonin stilin, ritualet dhe imazhin e personazheve të ekranit, duke e kthyer kinemanë në një burim frymëzimi për vetë mafian.