Kur lindi në Sarajevë më 1 qershor 1936, askush nuk mund ta imagjinonte se Bekim Fehmiu do të bëhej një nga aktorët më të njohur që ka nxjerrë ndonjëherë hapësira shqiptare. Në një kohë kur rruga drejt kinemasë botërore dukej e paarritshme në mos e pamundur për artistët e Ballkanit, ai arriti të ndërtojë një karrierë që kaloi kufijtë e rajonit dhe e çoi deri në Hollywood.

Fehmiu studioi film në Universitetin e Beogradit dhe shumë shpejt u shndërrua në një nga fytyrat më të kërkuara të ekranit. Filma si “Mbledhësit e puplave” dhe “Odisea” e vendosën në qendër të vëmendjes, ndërsa talenti i tij i dha mundësinë të interpretonte personazhe të ndryshëm në disa gjuhë, nga shqipja dhe maqedonishtja, deri te anglishtja, italishtja, frëngjishtja e spanjishtja.

Bekim Fehmiu dhe Irene Papas
Ajo që e bëri të veçantë nuk ishte vetëm fama. Bekim Fehmiu u bë aktori i parë nga Evropa Juglindore që arriti të luante në Hollywood gjatë periudhës së Luftës së Ftohtë, duke hapur një derë që deri atëherë dukej e mbyllur për artistët e rajonit. Në ekran ndau role me emra të mëdhenj të kinemasë botërore si Ava Gardner, Claudia Cardinale, Irene Papas, Robert Shaw dhe Dirk Bogarde.
Karriera e tij u shtri në dhjetëra filma e projekte artistike, ku la gjurmë me interpretimet e fuqishme dhe praninë e veçantë skenike. Për shumëkënd, Fehmiu nuk ishte thjesht një aktor i suksesshëm, por simbol i talentit që arriti të kapërcejë kufijtë politikë, kulturorë dhe gjuhësorë të kohës.
Shqipërinë e vizitoi për herë të parë në vitin 1972, ndërsa jeta e tij personale lidhej ngushtë me aktoren Branka Petriq, me të cilën pati dy djem. Më 15 qershor 2010, Bekim Fehmiu u nda nga jeta në moshën 74-vjeçare, por emri i tij vazhdon të mbetet një nga kapitujt më të rëndësishëm të historisë së kinemasë klasike shqiptare dhe asaj botërore.
Komente






