Historia e panjohur e ‘grupit të falsifikatorëve’: Shitësja e biletarisë, merrte bileta false nga inxhinieri që punonte me djalin e Enverit e u lidhën me Gaspër Çurçinë

Historia e panjohur e ‘grupit të falsifikatorëve’: Shitësja e biletarisë, merrte bileta false nga inxhinieri që punonte me djalin e Enverit e u lidhën me Gaspër Çurçinë

Njeriu që çoi drejt pushkatimit, muzikantin Gasper Çurçia dhe inxhinierin e postës, Shkëlzen Doçin (nga Tropoja), në prill të vitit 1985, për ironi të fatit, ishte i njëjti, që i kishte joshur e futur po këta të dy, në lojën e falsifikimit me qëllim përfitimin. Kjo është pak a shumë përmbajtja e vendimit të Gjykatës së Tiranës, të datës 6 mars 1985, për çështjen e famshme të vjedhjes me anë të biletave të trenit. Ky njeri, ishte pikërisht shitësja e biletave të trenit në stacionin e Tiranës, Bukurie Gjeçi, në atë kohë, nënë e dy fëmijëve të mitur.

Sipas vendimit të gjykatës, Gjeçi, në mënyrë sistematike një vit pasi kishte nisur punën në stacionin e Trenit të Tiranës, si shitëse biletash, kishte nisur të fuste duart në arkë, duke marrë prej andej shuma të ndryshme të hollash, por pa i kthyer kurrë, duke shkaktuar me kalimin e viteve, mungesë të një sasie të konsiderueshme të hollash. Në vendimin në fjalë, thuhet: “Nga zhvillimi i hetimit gjyqësor, ka rezultuar se e pandehura Bukurie Gjeçi, ka filluar punë si sporteliste e shitjes së biletave të trenit në Stacionin e Trenit të Tiranës, qysh në vitin 1972.

Kjo e pandehur, si rrjedhojë e koncepteve të huaja mikroborgjeze që ka pasur për mënyrën e të jetuarit dhe të së fituarit të së ardhurave, në mënyrë të vazhdueshme dhe sistematike, ka vënë dorë duke përvetësuar pasurinë socialiste që ka pasur në administrim, derisa është kapur në datën 12 dhjetor 1984. Në këtë mënyrë, e pandehura Bukurie, qysh nga viti 1973, deri në vitin 1984, ka përvetësuar nga xhirua e arkës, nga shitja e biletave të trenit, pasurinë socialiste në përpjesëtime të mëdha, në shumën 220.000 lekë. Këto shuma të përvetësuara, e pandehura Bukurie Gjeçi, i ka konsumuar për nevojat e saj familjare, për të ndihmuar prindërit e saj, në mënyrë të vazhdueshme për disa vjet me radhë, të afërmit e saj, si dhe duke dhënë borxhe të shumta dhe në shuma të konsiderueshme, personave të ndryshëm, me të cilët ka pasur njohje…”!

I implikuari i dytë

Rreth dy vjet pasi kishte nisur me shumë sukses të merrte nga lekët e grumbulluara pas shitjes së biletave të trenit, Gjeçi, implikon në këtë çmenduri të sajën, bashkëpunëtorin e parë. Gjykata nuk e saktëson statusin e tij, por thotë se ai quhej N. Hyskaj, ishte punëtor i NTUS (Ndërmarrja Tregtare e Ushqimit Social) të Tiranës dhe se shuma e përfituar, pa u kthyer kurrë në arkë, ishte 20 mijë lekë, deri në vitin 1978.

“…Në këtë mënyrë, e pandehura Bukurie Gjeçi, qysh nga viti 1975, i ka dhënë herë pas here nga arka të pandehurit Nevruz Hyskaj, shuma të mëdha, të cilat kanë mbetur pa u kthyer nga ky i fundit, qysh në vitin 1978, në 20.000 lekë. I pandehuri N. Hyskaj, kishte dijeni që këto të holla, ishin nga arka e shtetit, koha e gjatë e marrjes së tyre, pamundësia e kthimit të tyre si dhe fakti tjetër që i pandehuri N. Hyskaj, nga fundi i vitit 1983, kishte dijeni për mungesat e mëdha që kishte Bukurie Gjeçi në arkë, si rezultat i vënies dorë prej saj në pasurinë socialiste, si dhe përpjekjet e përbashkëta të këtyre dy të pandehurve, për të gjetur mënyrën se si të mbulonin këto mungesa me anën e falsifikimit të biletave të trenit, siç u realizua më vonë në fakt, provon në mënyrë bindëse se, kjo shumë në 220.000 lekë, është përvetësuar nga dy të pandehurit, Bukurie Gjeçi dhe S. Hyskaj, në bashkëpunim me njëri-tjetrin…”!

Gasper Çurçia

Pra, muzikanti i njohur, mjeshtri i trombës, Gaspër Çurçia, është futur në lojë, pikërisht në momentin kur dy bashkëpunëtorët e vjedhjes së shumave nga arka e shitjes së biletave të trenit, kishin vjedhur aq shumë, sa nuk kishin lënë asnjë mundësi për të riparuar ndonjë gjë me punë të ndershme. Pikërisht në këtë kohë, atyre u lind ideja e falsifikimit të biletave, me qëllim përfitimin, por edhe mbushjen e arkës së boshatisur.

“Për të realizuar falsifikimin e biletave të trenit, i pandehuri N. Hyskaj, me dijeni dhe pëlqimin e të pandehurës Bukurie Gjeçi, ka biseduar me të pandehurin Gasper Çurçia, të cilin e kishte shok, gjatë muajve të fundit të vitit 1983 dhe aty nga muaji mars-prill 1984, ka rënë dakord me të për falsifikimin e biletave të trenit. Në këtë mënyrë, të dy të pandehurit, janë interesuar dhe kanë gjetur mjete dhe pajisje të ndryshme, të cilat do të përdoreshin për falsifikim.

I pandehuri Hyskaj, ka siguruar rrjetat përkatëse, serinë e numrave, ndërsa i pandehuri Gaspër, filmat, zhvilluesit dhe pajisje të tjera. Pas kësaj, dy të pandehurit e mësipërm janë takuar me të pandehurën Bukurie, e kanë vënë në dijeni për masat që kishin marrë dhe mostra të rregullta të biletave dhe në shtëpinë e të pandehurit Gaspër Çurçia, kanë realizuar plotësisht përpilimin e një tabaku me bileta treni, të falsifikuara…”!

Por, i frikësuar prej faktit se N. Hyskaj, ishte i shumë i dhënë pas alkoolit dhe se në gjendje të dehur, eventualisht mund të dekonspironte grupin, Gasper Çurçia, në marrëveshje me Bukurie Gjeçin, e largojnë atë nga grupi dhe vazhdojnë bashkëpunimin të vetëm, duke e ndarë fitimin e shitjes së biletave false, jo më në tri pjesë, por në dy të tilla.

“Si rrjedhojë e këtyre veprimeve, nga të pandehurit Gaspër Çurçia dhe Bukurie Gjeçi, është realizuar falsifikimi i letrave me vlerë (biletave të trenit) në grup të organizuar dhe në përpjesëtime të mëdha, në shumën 252.940 lekë. Prodhimi i biletave të falsifikuara, ka filluar qysh nga muaji prill, deri në dhjetor 1984, duke i vënë në shitje në sportel, nga e pandehura Bukurie.

Të hollat e realizuara nga këto veprime, janë konsumuar nga dy të pandehurit, për shpenzime të ndryshme në familje, dhënie borxhi personave të ndryshëm, për mbulimin e deficiteve në arkë, nga ana e të pandehurës Bukurie, për krimin e përvetësimit të pasurisë socialiste në përpjesëtime të mëdha, të gjetura në banesën e të pandehurit Gaspër, 15.050 lekë, etj”.

Linja e dytë e falsifikimit

Nuk dihet përse hetimi dhe gjykata, kanë pasur si linjë të parë të gjithë çështjes së ngritur, pikërisht Gaspër Çurçinë, edhe pse të paktën në një rast, kuptohet se kishte një tjetër grup falsifikatorësh të biletave të trenit, që e kishin nisur këtë punë, të paktën disa muaj para tij në kohë. Një e vërtetë që mund të gjejë zgjidhje, vetëm duke lexuar politikën e kohës së komunizmit, kur arrestimi, demaskimi dhe dënimi maksimal i një personazhi që e ka treguar edhe më parë se nuk i bindej rregullave të përcaktuara, ishte më i preferuar për të ndodhur.

Kështu ka të ngjarë që të ketë ndodhur me Gasper Çurçinë, muzikantin e njohur, që ishte “goditur” për “shfaqje të huaja” në Festivalin e 11-të Kombëtar të Këngës në Radio-Televizionin e vetëm shqiptar, në vitin 1973.

Nga ana tjetër, kreu i grupit të dytë të falsifikatorëve që quhej Shkëlzen Doçi, edhe pse e kishte nisur më parë veprimtarinë e falsifikimit të biletave të trenit, për shkak se konsiderohej me biografi të mirë, për shkak se punonte në të njëjtën ndërmarrje, me djalin e Enver Hoxhës, për shkak se kishte një të afërm në Komitetin Qendror, lihet më në hije. Sigurisht që ky grup i dytë, i favorizuar edhe nga koha më e shumtë të dispozicion, kishte arritur të përfitonte shuma më të mëdha të hollash, përmes falsifikimit.

Ja vazhdimi i mëtejmë i vendimit të Gjykatës së Tiranës: “E pandehura Bukurie Gjeçi, duke u munduar gjithmonë për të realizuar të ardhura të kundërligjshme dhe për të gjetur edhe mënyrën e mbulimit të diferencave të mëdha, të krijuara si rrjedhojë e përvetësimeve të kryera për një kohë të gjatë, fillimisht, para se të bisedonte me të pandehurin N. Hyskaj, ka biseduar edhe me të pandehurin S. Sadkaj, të cilin e ka njohur prej shumë vitesh, për të gjetur mundësinë e falsifikimit të biletave të trenit, duke marrë vetë përsipër, se ajo ishte e gatshme që t’i shiste ato në sportel dhe të ardhurat prej tyre, të ndaheshin proporcionalisht midis tyre…”!

Grupi i Shkëlzen Doçit

Kështu shitësja e biletave të trenit, nuk kishte mbërritur menjëherë te biletat perfekte të sajuara nga Gasper Çurçia, duke përdorur të njëjtën mënyrë të stampimit, të atyre origjinale. Ajo më parë kishte provuar të shiste, gjithsesi me sukses, bileta false, të sajuara me anë të metodës së fotokopjimit të thjeshtë, nga një tjetër grup. Sipas vendimit të gjykatës, pikënisje për këtë, ishte bërë pikërisht një i njohur i saj, S. Sadkaj, një punëtor i Fabrikës së Këpucëve.

Por edhe ky nuk kishte shkuar menjëherë te njeriu kyç, që do të zgjidhte gjithçka, falë fatit dhe pozicionit që kishte në shoqëri. Ai quhej Shkëlzen Doçi, kishte mbaruar inxhinierinë dhe ishte me detyrë nëpunës, në Ndërmarrjen e Shërbimeve Tranzite në Drejtorinë e Përgjithshme të Postë Telekomunikacioneve, mbase i vetmi shqiptar që në atë kohë, kishte në zyrën e vet, një makineri fotokopjuese.

Por S. Sadkaj, nuk e njihte Shkëlzen Doçin. Që të shkonte deri tek ai, atij i duhej ndihma e dy të njohurve të tjerë. “…Nga ana e tij, i pandehuri S. Sadkaj, për këtë bisedë që kishte bërë me të pandehurën Bukurie, ka informuar dy shokë të tij, të pandehurit D. Vasho dhe B. Koxhaxhiku, duke kërkuar ndihmën e tyre, për të gjetur mënyrën e falsifikimit të biletave, duke u vënë në dukje dhe fitimet që do të kishin, duke ndarë të hollat e realizuara, në mënyrë proporcionale.

I pandehuri S. Sadkaj, pasi ka marrë aprovimin për këtë veprim nga të pandehurit D. Vasho dhe B. Koxhaxhiku, i ka propozuar të pandehurit Shkëlzen Doçi. për të falsifikuar bileta treni. Ky i fundit, duke qenë i komanduar në punë në Drejtorinë e Përgjithshme të Postë Telekomunikacioneve, dhe në dhomën ku punonte kishte një makinë fotokopjuese, me anë të së cilës mund të realizohej prodhimi i biletave të trenit të falsifikuara, e pranon këtë propozim, duke u treguar entuziast, për të ardhurat e kundërligjshme, qe do të realizonin nga kjo veprimtari kriminale…”! Për të realizuar qëllimin e tyre, Doçi, Sadkaj e Vasho, kishin marrë nga Bukurie Gjeçi, disa bileta origjinale, për t’i pasur si mostra për fotokopjim. Por pas prodhimit të tyre, duket u del një problem i madh, me prerjen e tabakëve të letrës, pasi ajo duhet të ishte perfekte. Për këtë gjë, që të gjithë interesohen dhe sajojnë presa artizanale, si dhe një tjetër makineri, që shërbente për lidhjen e biletave në blloqe.

Shpërbërja e grupit 

Sipas vendimit të Gjykatës së Tiranës, pasi nis të marrë përfitimet e para nga shitja e biletave, që ishin falsifikuar bardhë e zi, pra, pa atë ngjyrën karakteristike të një versioni të jeshiles, që kishin biletat origjinale, grupi i Shkëlzen Doçit, shpërbëhet. Si shkak për këtë, bëhet vetë Shkëlzen Doçi, i cili e kupton se një veprimtari e tillë, nëse do të shkonte në derë të drejtësisë, do të provokonte dënime të rënda, për shkak të konsumimit të veprës penale të bashkëpunimit.

Në vendimin e gjykatës, thuhet se; Shkëlzeni i largoi të tjerët, për të marrë vetë të gjithë fitimin, por po aty, sqarohet edhe një tjetër rrethanë, sipas të cilës, të tjerët e grupit të tij, u binden përfundimisht të tërhiqen nga kjo ndërmarrje edhe pasi mësuan se, Bukurie Gjeçi kishte në arkë një mungesë prej 200.000 lekësh. “Kështu, i pandehuri Shkëlzen Doçi, nëpërmjet të pandehurit D. Vasho, njihet me të pandehurën Bukurie Gjeçi, pasi bisedon me atë veçmas, duke qenë se ajo kishte dijeni për të, nëpërmjet të pandehurit S. Sadkaj, që kishte fotokopjuar biletat e trenit, bie dakord me të që veprimet ti kryenin bashkërisht.

Në këtë mënyrë, i pandehuri Shkëlzen, ka vazhduar që fotokopjimin, prerjen dhe lidhjen e biletave të falsifikuara, ta kryente vetëm, por për pak kohë, i detyruar nga vështirësitë e krijuara, për prerjen dhe lidhjen e biletave, ai është lidhur fillimisht me të pandehurin K. Shefqeti dhe më vonë me të pandehurin B. Erebara. Dy të pandehurit e fundit, sipas porosive të së pandehurit Shkëlzen, kanë gjetur dhe përgatitur pajisje dhe mjete, për prerjen dhe lidhjen e biletave, në qendrat e tyre të punës, ashtu edhe në shtëpinë e të pandehurit K. Shefqeti dhe në studion e të pandehurit B. Erebara, i cili ishte piktor dhe anëtar i Lidhjes së Shkrimtarëve…”! Sipas vendimit të Gjykatës, ky grup arriti të falsifikonte bileta treni, në vleftën 222.380 lekë, ndërkohë që të dy grupet së bashku, realizuan falsifikimin e biletave në shumën e përgjithshme, pra, të shitura dhe të pa shitura, në totalin 475. 320 lekë, ose 4.7 milionë lekë të vjetra, të asaj kohe.

Ish-kolegët: Gasper Çurçia, një muzikant që nuk vjen më…!

Gasper Çurçia prej Shkodre, nuk ka mbetur në mendjen e shqiptarëve, vetëm sepse u dënua për falsifikimin e biletave të trenit. Shumë më tepër se kaq, bashkëkohësit kujtojnë me respekt, shkëlqimin e tij si muzikant, duke e barazuar me epitetin “brilant”, ndërsa pjesën e falsifikimit, po t’i dëgjosh me kujdes, e shtojnë në fund, si një shtojcë të parëndësishme, madje e shtojnë, duke e shqiptuar gjithë hidhërim, sikur ajo që i ndodhi atij, mund ti kishte ndodhur gjithkujt prej tyre në rrethana të njëjta. Pashmangshmërisht.

Aleksandër Lalo, kompozitori i njohur, një mik i afërt, pohon se: Gasper Çurçia ishte njeri i ndërmarrjeve të guximshme dhe një ndër katër-pesë muzikantët më të talentuar shqiptarë të asaj kohe, saktësisht në nivelin e shpatullave të Agim Krajkës, apo Alfons Balliçit. “Ishte i pasionuar, modern dhe i guximshëm. S’pyeste shumë dhe i thoshte mendimet hapur. Kjo, mbase për faktin se, ishte një nga muzikantët më të mirë, pra kishte si një farë mburoje, pikërisht suksesin, mbase edhe për shkak se ai ishte pinjoll i një familjeje shumë të pasur, por të shpronësuar nga sistemi në Shkodër. Pra, e tregonte se ishte një i pakënaqur”, nis të flasë maestro Lalo, për mikun e vet. Sipas kompozitorit të njohur, ai, Gasperi, krijoi për herë të parë një formacion Big-Band (orkestër prej 12-25 muzikantësh që u bien veglave, si saksofona, trumbeta, trombona, pianoforte, etj), të përbërë prej 15 muzikantësh, me instrumente që i kishte siguruar me këmbëngulje, nga shteti. Shumë shpejt, Gasperi nis të bëjë incizimet e para për Radio Tiranën. Po sipas kompozitorit të njohur, Çurçia, ka bërë rreth 30-40 pjesë të tilla, që ende ruhen. Njëkohësisht, Çurçia bëhet i njohur për publikun edhe si një mjeshtër i trombës.

“Luante në restorantet më të mira. Ishte në modë në këtë kohë dhe shpejt iu hap nami. Bënte një duet fantastik me Xhekun, (Muharrem Dautin), me të cilin punonin bashkë në Radio”, kujton kompozitori Lalo. Të njëjtin moment, atë të suksesit të Çurçisë në lokalet më të njohura, e kujton edhe publicisti Fisnik Sina. Sipas tij, Çurçia bashkë me një profesionist tjetër, që e thërrisnin Bebeku dhe që i binte xhazit në mënyrë të përkryer, çonin peshë (duke luajtur xhaz) hotel “Adriatikun” në Durrës.

“Kujtoj se ishin aq të suksesshëm, saqë në atë hotel, vinin nga Tirana enkas, diplomatë të huaj me makina me targa CD, që të dëgjonin orkestrën e drejtuar nga Gasperi. Edhe në plazh, mblidhej një turmë e madhe entuziaste. Madje kujtoj se, orkestra që luante në mënyrë perfekte pjesët “rock”, arrinte t’i çonte dëgjuesit apo kërcyesit në ekstazë”, rrëfen me nostalgji publicisti Sina. Me pamje visive, Çurçia dhe orkestra e tij, dalin për herë të parë për publikun në Festivalin e 11 Kombëtar të Këngës në Radio Televizionin Shqiptar, që u zhvillua më 22 dhe 25 dhjetor të vitit 1972 në Tiranë. Por ky do të ishte edhe fundi i shkëlqimit të muzikantit të njohur. Kohët e vështira, vijnë menjëherë pas goditjes nga partia, pikërisht të këtij festivali. Gasper Çurçia, krejt pa “imunitet”, për shkak të prejardhjes së tij, hiqet nga puna te Radio-Tirana dhe degdiset në Peshkopi. Por ai refuzon të shkojë, duke pranuar qoftë një punë ordinere, për të mos u larguar nga familja.

“Kujtoj se nisi punë si rojë te Mjetet Mësimore dhe se rrogën e merrte aty ku e merrnin hamejtë. Por nuk dorëzohej”, rrëfen miku i Gasper Çurçisë, Aleksandër Lalo. Sipas të njëjtit, duke bërë letra të ndryshme, duke trokitur në dyert e pushtetit, Gasperi sërish arrin të ndërtojë një formacion tijin, këtë radhë të justifikuar, si një orkestër me instrumente popullore. Bëri edhe një shfaqje në Pallatin e Kulturës, madje, por sërish ja rrëzuan projektin, duke e akuzuar se; muzika nuk tingëllonte si shqiptare. Ndërsa falsifikimi, ishte momenti i fundit. Këtu shkoi pasi i rrëzuan edhe iniciativën e fundit”, e mbyll rrëfimin kompozitori Lalo.

Por sërish, edhe pse arrestohet dhe përfundon në gjyq, dëshmitarët thonë se, Çurçia mbetet besnik i vetvetes. “Kujtoj se në gjyq nuk e mohoi falsifikimin. U tha gjykatësve se, e kishte bërë, por shtoi se, ajo që kishte përfituar, ishte një pjesë fare e vogël përballë asaj, që shteti u kishte sekuestruar prindërve të tij, tregtarë në Shkodër”, përsërit një batutë të njohur në Tiranë publicisti Fisnik Sina./Memorie.al

SI.E./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    27 Nëntor, 11:43

    Si e vlerësoni vendimin e GJKKO që liroi Berishën nga arresti shtëpiak?



×

Lajmi i fundit

Dita e mësueses së baletit në ‘Një nga ne’, Romina Kaso: Më frymëzojnë sytë e fëmijëve, do kërcej sa të kem fuqi

Dita e mësueses së baletit në ‘Një nga ne’, Romina Kaso: Më frymëzojnë sytë e fëmijëve, do kërcej sa të kem fuqi