Historia e panjohur, Kongresi i Elbasanit që historiografia e regjimit komunist e fshiu dhe fallsifikoi, pasi Ahmet Zogu ishte kryetar i komisionit nismëtar

Historia e panjohur, Kongresi i Elbasanit që historiografia e regjimit komunist e fshiu dhe fallsifikoi, pasi Ahmet Zogu ishte kryetar i komisionit nismëtar

Memorie.al publikon historinë e panjohur të Kongresit Kombëtar të Elbasanit i cili u përgatit për t’u mbajtur më 16 mars të vitit 1916, ku do të merrnin pjesë disa nga politikanët dhe patriotët shqiptarë më në zë të asaj kohe, si: Ahmet Bej Zagolli, Qemal Bej Elbasani, Ahmet Efendi Haxhisinani, Ymer Efendi Stringa, Shefqet Daiu, Sava Papajani, Simon Shuteriqi, Thanas Floqi, Lef Nosi, etj., i cili kishte si qëllim forcimin e shtetit shqiptar.  E gjithë historia e panjohur e Kongresit të Kombëtar të Elbasanit e cila u fshi dhe u fallsifikua nga historiografia zyrtare e para viteve ’90-të, për shkak se ai u organizua nga disa prej politikanëve dhe patriotëve më të shquar të asaj kohe, me në krye Ahmet Zogun që ishte kryetar i Komisionit nismëtarë për mbajtjen e atij Kongresi, ku pjesa më e madhe e tyre u burgosën, internuan, apo u pushkatuan nga regjimi komunist i Enver Hoxhës që me ardhjen e tij në pushtet në fundin e vitit 1944.

Një nga ngjarjet më të mëdha të ndodhura pas shpalljes së pavarësisë së Shqipërisë, në nëntorin e vitit 1912 e deri në Kongresin e Lushnjes, mbetet ajo e përpjekjeve për mbajtjen e Kongresit të Elbasanit, më 16 mars të vitit 1916. Çfarë ishte Kongresi i Elbasanit, kush ishin njerëzit që u përpoqën për mbajtjen e tij dhe çfarë do të sanksiononte ai? Po të shohim “Historinë e Shqipërisë” (botimi vitit 1984) në kapitullin e tretë të saj, ku flitet e trajtohet periudha nga viti 1914 -1921, për këtë ngjarje flitet krejt shkarazi dhe ajo përmblidhet në pesë reshta (fq.175) dhe pesë rreshta të tjerë për ndalimin e këtij Kongresi, nga autoritetet austro-hungareze (fq.176). Por edhe në këto pak rreshta që flitet për përpjekjet e mbajtjes së këtij Kongresi në Elbasan, nuk jepen emrat e figurave dhe personaliteteve politike të asaj kohe, që u morën me organizimin e tij.

Lidhur me këtë ngjarje, ndërsa historiografia zyrtare e regjimit komunist të para viteve ’90-të e pranon politikën e Austro – Hungarisë në Shqipëri, si: “pushtuese dhe që kishin si qëllim, për të mos e lënë krijimin e një shteti të pavarur shqiptar dhe të bashkuar”, mbajtjen e Kongresit të Elbasanit, nga një grup politikanësh patriot shqiptar, që kishin si qëllim, vetëqeverisjen e vendit dhe kthimin në Shqipëri të Princ Widit, që konsiderohej si simbol i pavarësisë dhe i sovranitetit, e kanë trajtuar si sekondare dhe pa interes. Ky Kongres ose më saktë përpjekjet për mbajtjen e tij, nuk dalin në këtë kapitull, duke e fshirë atë tërësisht nga tekstet e historisë së Shqipërisë, pasi politikanët kryesorë që ishin në krye të tij, si: Ahmet Zogu (një nga organizatorët kryesor për mbajtjen e tij), Fejzi Alizoti, Lef Nosi, Mehdi Borshi, etj., ishin shpallur “armiq të popullit” nga regjimi komunist dhe ishin pushkatuar apo internuar. Për më shumë rreth këtij kongresi po publikojmë dokumentet dhe shkrimet që u publikuan në shtypin e kohës, duke e dhënë atë në gjuhën e shkruar siç u publikuan nga shtypi i asaj kohe.

Kongresi Elbasanit në dokumentet e kohës kur u mbajt ai

(Proçesverbali i të 18-ës shkurt 1916)

Në mbledhjen e sotme në të cilën u ndodhën Z. Ahmet Bej Zagolli, Qemal Bej Elbasani, Ahmet Efendi Haxhisinani, Ymer Efendi Stringa, Shefqet Daiu, Sava Papajani, Simon Shuteriqi, Thanas Floqi dhe Lef Nosi, komisioni me zana të bashkëta vendosi këto:

Më 2 prill allafranga, të mblidhet në Elbasan një kongres kombëtar, i cili të bisedojë për shtetin që ndodhen punët e atdheut sot edhe për masat që duhen marrë për forcimin e shtetit shqiptar.

Pasi kur u largua Mbreti prej Shqipnie, u shtërngua edhe Qeveria, të përdahet pa hekun dorq ministrit prej detyrave që kishin, komisioni do t’i propozojë z. Aqif Pashës, Ministrit të Punëve të Brendshme, për me thirrun këtu edhe ministrit e tjerë, që të marrin së bashku masat prap punën që kishin lanë kur u përndanë. Për ato Ministri qi ndodhen të zbrazuna edhe q’i detyrat e tyne i qenë ngarkueme prej Mardhënies së Tija Mbretit z. Aqif Pashës e Mid’hat Beut, i proponohet Aqif Pashës, të zgjedh tre Ministra nga lista e përbame prej Z…. që po ja dorzon sot komisionit. A.M. Zogolli, Qemal, (Beu) Simon Shuteriqi, Ymer (Stringa), S.Papajani, A.Sinani, Sh. Daiu, Lef Nosi, Th. Floqi.

Lista (Pas votavet të fitueme në votim të komisionit), Kara Seid Pasha (vota 9), Luigj Gurakuqi (9), Ahmet Muhtar Zogolli (8), Lef Nosi (7), Hasan Bej Prishtina (3), Kristo Floqi (3), Grigor Cilka (3), Refik Bej Toptani (3), Qemal Bej Elbasani (3), Feizi Alizoti (2), Pandeli Cale (2), Mehmet Ali Bej Zaimi (2), Sotir Peci (1), Nexhip Bej Draga (1), Mehdi Borshi (1), Ahmet Dakli (1). (z. Ahmet Muhatar Zogolli e Lef Nosi s’pranuan).

Thirjet e Kongresit

Telegrama Kryesisë së Katundarisë, Berat, Skrapar, Ballsh, Fier, Lushnje, Kavajë, Durrës, Peqin, Shijak, Tiranë, Krumë, Lesh, Shkodër, Mat, Dibër, Starovë.

Marrim nderin me u lejmue se u vendos qi të mblidhet këtu në kët qytet me 5/18 Mars një Kongres Kombëtar, për me bisedue për punët e Shqipnisë. Lutemi dërgoni dy delegate, të cilët të kenë me vete edhe shkresën e përfaqësimit.

Kryetari i Komisionit nisiator të Kongresit.

            Ahmet Muhtar Zogolli     

Elbasan 3 Mars 1916. OF.

Me anë të Komandës Bulgare. Nexhip Bej Dragës (Mitrovicë), Bajram Currit (Gjakovë), Hasan Bej Prishtinës (Prishtinë), Mehmet Pashë Dërrallës (Tetovë). Marrim nderin me mu lajmue se u vendos me u mbledh këtu më 5/18 Mars, një Kongres Kombëtar Shqiptar, për me bisedue mbi punët e Shqipnisë.

Lutemi me lajmnue menjiherë gjithë qytetet e qarkut tuej, për me u përfaqsue me nga dy delegatë, të cilët të kenë me vete dokumenta përfaqsimi.

Kryetari i Komisionit nisiator të Kongresit

                            Ahmet Muhtar Zagolli

  Elbasan 3 Mars 1916.

Me anë të Komandës Bulgare, Kolonies Shqiptare, Bukurest, Sofia, Lausanne. Marrim nderin me lajmue me u mbledhë këtu me 5/18 Mars, një Kongres Kombëtar Shqiptar, për me bisedue mbi punët e Shqipnisë. Lutemi të përfaqsoheni me dy delegatë të cilët të kenë me vete dokumenta përfaqësimi. Shk. Tija Prenk Bibdode Pashës Shkodër … Lutemi të na urdhërnoni e na nderoni me dy delegate nga Mirdita. Fëmijës së Ndershme të Toptanëve Tiranë…

Lutemi urdhëroni për me u ndodhë në të, i shkëlqyeshmi Zotin August Kral. Gjithë ne shqiptarët, ndiejmë një gëzim të madh në ardhjen tuej në Shqipni, sot kur vendi ka nevojë të madhe për ndihmën e zotnisë tuej, qi e keni dashun kurdoherë e jeni përpjekur shumë për me i dhanë rrugën përparimit. Emni i zotnisë tuej qindron i gjallë në zemrat e gjithë atdhetarëve të vërtetë, qi e dinë mirë sa jeni mundue për atdheun tonë të dashun në kohët e shkueme edhe ajo na jep shpresë, se edhe paskëtaj do të punoni ashtu si keni punue për çashtjen tonë kombëtare. Shpresa që keni mbështetur me zotnin tuaj, na dha guxim dhe vendosëm që të bahet më 18 Mars, këtu një Kongres Kombëtar me anë të cilit të sillet bashkimi e vllazënia, ndërmjet fiseve Shqiptare edhe të mejtohet se çduhet me u bamë që atdheu ynë paskësaj të marri rrugën e përparimit e të dijë e të gëzojë lirinë, që po ja japin sot armët e shkëlqyeshme, të trimneshës ushtri austro-hungareze, nga e cila presim zgjerimin e kufijve, pas principit të kombësisë. Duke pritun pëlqimin e zotnisë suej edhe këshilla të çmueshme, për punët që do të bëjë kongresi.

Mbetem jueji përjetë.

 Kryetari i Komisionit, Ahmet Bej Zogolli.

                   Prefektura e Beratit O.T. Nr.502.

 Ihsan Bej Leskovikut

Prej shkresës së votimit që na u dha nga ana e të gjithë leskoviqarëve, kuptohet se zotnia juej, jeni zgjedhë përfaqësues në emën të nënprefekturës së Leskovikut, për të marrë pjesë në kongresin e përgjithshëm, që është vendosë me u marrë pjesë në Elbasan në 18 maj allafranga. Prandaj pasi u banë veprimet e duhuna nga ana e prefekturës, ju jepet ky dokument zyrtar që vërteton barrën që ju asht ngarku. Zëvëndës prefekti i Beratit, Sulejman Luzati. 29 shkurt 1916.

Të penguemet e kongresit

O.F. Elbasan 20 mars 1916.

                       Të ndershmes bashki e Elbasanit

Kam nderin me ju komunikue, se pas mendimit të mjekëve rreziku i shtimit të kolerës në qytetin e Elbasanit, mund të konsiderohet si i larguem, pasi nuk është shfaqun ndonjë gjë e re. Pra kam marrë urdhën që të ngrihet nesër në mëngjes kordoni ushtarak i njerëzve të mi. Prapë lutemi që ta dini se çdo njeri që don me shkue në qarkun e Durrësit, d.m.th., në perëndim të vijës Skalnjeri Bazar Shijak Arzen, duhet të ketë lejen e kryekomandës së Durrësit.

Leja, merret me ndërmjetësinë e komandës së Elbasanit. Veç kësaj, për me i shpëtue mosmarrveshjeve, asht porositun se për çdo udhëtim civilët duhet të kenë pashaportat të komandës së Elbasanit, megjithëse ato nuk janë të detyrueshme. Në fund fare, lutemi që asambletë që kanë qëllim politik, janë të ndualume në viset e shkelura nga ushtria perandorake, kurse në kohë lufte dhe ato austro-hungare janë të ndalueme. Në rast se sajohen asambletë ekonomike, asht nevoja me pas lejen e kryekomandës së cilës, duhet me ju paraqitë programin e plotë të asamblesë në fjalë.

St.K. Nr.121.

 Komandanti i Elbasanti Czapek Mjn

 Largimi i Zogut në Austri

Qeveria austriake mori masat për mosmbajtjen e Kongresit të Elbasanit dhe këtë e bëri nëpërmjet forcave të shumta ushtarake që kishte në Shqipëri. Kështu kongresi i thirrur, nuk arriti të mbahej dot. Autoritetet austriake, duke parë se kjo gjë mund të sillte trazira të brëndshme, nuk i interesonte një gjë e tillë. Prandaj vendosi që të dërgonte për një takim, kryetarin e komisionit nismëtar për mbajtjen e kongresit, Ahmet Zogun, me princin Ëindichgraetz. Qëllimi i këtij takimi të organizuar nga austriakët ishte që të bindte Zogun për një bashkëpunim dypalësh. Në këto bisedime austriakët, i premtuan Zogut gradën e kolonelit të cilën ai, e refuzoi. August Kral vendosi ta takojë personalisht Zogun. Kështu Kral e thirri atë, në zyrën e tij në Shkodër për të dëgjuar kundërshtimet e Zogut në lidhje me bashkëpunimin austro-shqiptar. Që në fillim të bisedës Zogu i theksoi Kralit se Austria kishte ardhur në Shqipëri që të dëbonte Serbinë dhe të mos përzihej në punët e brëndshme të saj. Zogu insistoi që administrata duhej të ishte nën kontrollin e shqiptarëve. Kështu austriakët, mbetën përballë dy alternativave, ose ta arrestonin atë, ose ta joshnin. Kështu ata, vendosën variantin e dytë dhe e ftuan Ahmet Zogun në një udhëtim turistik në bregdetin dalmat, së bashku me njerëzit e besuar të tij dhe një oficer austriak. Gjatë këtij udhëtimi austriakët sipas porosive të Vjenës, i bënë atij të gjitha nderimet e mundshme, ndonëse ai nuk kishte mbushur 21 vjeç. Gjatë këtij udhëtimi Zogu, vizitoi instalimet ushtarake në Dalmaci, si dhe flotën detare austro-hungareze. Kur u kthye në Shkodër, komandanti austriak i vëndit i bëri sërisht të njëjtin propozim Zogut për bashkëpunim dypalësh. Duke qënë i bindur se gjatë udhëtimit turistik Zogu e kishte parë mirë forcën ushtarake austriake dhe cdo kundërshtim ndaj saj do ishte i kotë. Por Zogu pranoi bashkëpunimin me kushtin që administrata të ishte nën kontrollin e shqiptarëve. Atëherë austriakët, arrestuan sekretarin personal të tij dhe deklaruan mosmbajtjen e Kongresit të Elbasanit, duke shpërndarë të gjithë ushtarakët që kishin lidhje me të. Kjo klimë tensioni do të conte në një përplasje të armatosur midis trupave austro-hungareze dhe ushtarakëve besnikë të Ahmet Zogut gjë që do të sillte viktima nga të dy palët. Trupat austro-hungareze do të vijonin fushatën e arrestimeve ndaj njerëzve të tij duke e detyruar Zogun të largohej nga Elbasani për në Mat. Në vijim austriakët e rithirrën Zogun në Shkodër dhe për ta bindur që nuk kishin qëllime të këqija ndaj Shqipërisë, më 23 shkurt 1916 nxorën një proklamatë ku njihnin pavarësinë e shtetit shqiptar. Në 21 nëntor të po atij viti, vdes Perandori austriak Franz Joseph dhe një delegacion shqiptar ku ishte pjesëmarrës dhe vetë Zogu, u nis për në Vjenë. Por pas përfundimit të homazheve, austriakët duke gjykuar rrezikshmërinë e mundshme që mund t’u sillte ai si person, vendosën ta mbanin aty dhe të mos lejonin rikthimin e tij në Shqipëri. Me gjithë protestat e tij Ahmet Zogu, u detyrua të qëndronte në Vjenë deri në mbarimin e Luftës se Parë Botërore në vitin 1918.

Kongresi i Elbasanit në versionin zyrtar të historiografisë së para viteve ’90-të

“Politika e autoriteteve austro-hungareze të pushtimit, u përkrah fuqimisht nga rrethet klerike katolike të Shkodrës që kishin qënë edhe më parë  zëdhënësit kryesorë të politikës së Vjenës në Shqipëri. Me ndihmën e pushtuesve të rinj të “Perandorisë Apostolike” ata, synonin të konsolidonin pozitën e kishës katolikë, të zgjeronin veprimtarinë e saj anti-kombëtare, dhe të siguronin një mënyrë sundimi në Shqipëri. Përkrahës u bënë dhe bajraktarë e çifligarë si Ahmet Zogu, etj. Propagandës së Vjenës, i besoi në fillim edhe një pjesë e mirë e personaliteteve politike shqiptare si, Bajram Curri, Aqif Pashë Elbasani, Luigj Gurakuqi, etj. Ata shpresuan se Austro-Hungaria, nuk do ta kundërshtonte rimëkëmbjen e shtetit shqiptar të pavarur ku të përfshihej edhe Kosova. Ata kujtuan se ishin krijuar rrethanat e favorshme për krijimin e një qeverie shqiptare dhe për të kthyer në Shqipëri Vilhelm Ëidin të cilin, për shkak të caktimit nga ana e Fuqive si kryetar i shtetit shqiptar, vazhdonin ta quanin si simbol i pavarësisë dhe sovranitetit të këtij shteti. Në këtë drejtim, u bënë dhe përgatitjet për të filluar në Elbasan më 18 mars 1916, një kongres kombëtar por këto përfunduan pa rezultate. Për arsye se pushtuesit austro-hungarezë, e luftuan me forcë cdo përpjekje të shqiptarëve që binte ndesh me planet e tyre ekspansioniste në Shqipëri. Qeveritarët e Vjenës, ishin të mendimit se nuk duhet të ekzistonte më një shtet shqiptar i pavarur dhe i bashkuar. Në disa rrethe, kryesisht në ato ushtarake të cilat luanin një rol të rëndësishëm në jetën politike të Austro-Hungarisë, ekzistone mendimi për copëtimin e Shqipërisë dhe të aneksimit të saj nga Vjena zyrtare. Rrethe të tjera sidomos ajo e Ministrisë së Jashtme, ishin të mendimit se shteti shqiptar duhet të vihej me patjetër nën protektoratin efektiv austro-hungarez ndërsa pjesa jugore ti kalonte Greqisë konstandiniste. Si pretekst për hartimin e plane e të tilla armiqësore shërbeu mendimi reaksionar i “papjekurisë” së shqiptarëve për vetëqeverisje prapa së cilës, fshihej synimi i Vjenës për ta parë Shqipërinë e pas luftës jo më një mollë sherri me Italinë si në 1915, por të tërën të përfshirë brënda Austro-Hungarisë dhe për të penguar depërtinin italian në Ballkan. Në përshtatje të këtyre planeve vepruan në Shqipëri, autoritetet austro-hungareze pushtuese. Ata, e ndaluan mbledhjen e Kongresit të Elbasanit, shpërndanë administratën shqiptare nën drejtimin e Aqif Pashë Elbasanit, dhe për të mos njohur ekzistencën e shtetit shqiptar, hapën shkollat shqipe, formuan “komësinë letrare” për gjuhën shqipe, organizuan një administratë civile me nënpunës shqiptarë, por në kontrollin ushtarak të tyre. Qëndrën e administratës shqiptare, e vendosën në Shkodër ku krijuan drejtorinë e përgjithshme të financave, të arsimit, të drejtësisë, etj”.

Prill 1916, Fjala e Ministrit të Brëndshëm Aqif Pasha

Elbasan në 14 prill 1916.

                          Prefekturave Berat, Durrës

Pasi nga shkaku i veprimeve ushtarake, të qeverrisunit e Shqipnisë, përkohësisht do të bahet prej Ushtrisë së Mbretnies së madhe të Austro-Hungaris, qysh prej kësaj minute po largohem nga detyra. Pasi ashtë nevoja që të gjithë nënprefekturat të lidhen drejti me kryekomandën e Tiranës, dhe prefekturat do të titullihen nënprefektura. Gjithësecili nënprefekt, do të merret pas kësaj vetëm me punët e nënprefekturës së vet duke qënë i lidhur me kryekomandën. I’a komunikoni me të shpejtë nënprefekturave e krahinave dhe me këtë komunikim, ngrihet me të lidhunit e tyne me prefekturat. Pasi kjo formë qeverimi është e përkohshme nuk ka shkak me u idhnue. Me të vërtetë se kjo formë qeverimi, të cilët ajo Mbretnie e Madhe asht shtrëngue me e vue në veprim përkohësisht nga nevoja e veprimeve ushtarake, nuk e cënon aspak qëllimin e mirë të saj për shpëtimin e atdheut tonë të dashur që ka mbi ne. Ju falemi ndërsa për përpjekjet tuaja, në kryemjen e detyrës në këtë kohë të shkurtër bashkëpunimi me ne dhe ju porosisim të të veproni pas urdhnave që do tju jepet nga kryekomandanti i Tiranës dhe nga komandantët e atyshëm dhe tukë undamun nga bashkëpunimi, ju paraqesim nderime juve dhe bashkëpuntorëve tuej. Memorie.al

Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:

    Kë doni ju që të fitojë zgjedhjet në SHBA?



×

Lajmi i fundit

Nesër zgjedhjet në SHBA/ Ish-ambasadori: Duhet ndryshuar rendi botëror! Endri Shabani: Trump thotë 'Amerika e para'! Po kur ka qenë ndonjëherë e dyta?!

Nesër zgjedhjet në SHBA/ Ish-ambasadori: Duhet ndryshuar rendi botëror! Endri Shabani: Trump thotë 'Amerika e para'! Po kur ka qenë ndonjëherë e dyta?!