Historia e trishtë/ Misteri i vdekjes së Islam Kullës në Zelandën e Re dhe si mundi i biri i tij të gjente familjen e të atit në Shqipëri, pas 40 vitesh?

Historia e trishtë/ Misteri i vdekjes së Islam Kullës në Zelandën e Re dhe si mundi i biri i tij të gjente familjen e të atit në Shqipëri, pas 40 vitesh?

Që nga dita kur u arratiset Islami prindërit, motrat, farefisi humbin lidhjet me të, duke jetuar me vite të tëra në ankth, pa ditur gjë, është apo nuk është gjallë Islami?! Në fund të vitit 1975, kur morën lajmin e hidhur për vdekjen e Islamit, motrat kanë qarë në fshehtësi, në fshehtësi janë djegur e përvëluar, për të mësuar se vërtet ndërroi jetë Islami, apo ndoshta është gjallë, nëse ka vdekur, a pati kush ta varrosë, ku prehet trupi i tij pa jetë, çka u bë me trashëgimtarin e tij…?! “Gjatë qëndrimit në Tiranë, mësova; pse isha me ‘karakter ndryshe’ nga rrethi ku u rrita, në Shqipëri, mësova se në dejtë e mi, rrjedh gjak shqiptari dhe për ketë jam krenar. Ja shihe, më thotë, duke hequr xhaketën dhe me tregon tatuazhin, shqiponjën me dy krerë, në krahun e majtë, kurse në veturë, kish varur flamurin shqiptar.

Derisa po bisedoja për ardhjet e para të shqiptareve në Zelandë të Re dhe në mesin e ardhësve sa përmenda emrin e Islam Kullës, bashkëbiseduesi Enis Baçova, i ardhur nga Tirana, me shtetësi neozelandeze, student i magjistraturës në Shkollën e Ligjit pranë Universitetit te Aucklandit, më thotë: “E di historinë e këtij personi që e përmende”?!

Po –  i them – ishte nga Korça, në moshën 16-vjeçare arratiset së pari në Greqi, në vitin 1948 dhe pastaj me grupin e emigrantëve shqiptarë, vjen më 1 maj 1951, këtu në Zelandë, tashmë i ndjerë.

Për ketë jam i informuar nga Petrit Alliu, person i cili edhe vetë është arratisur nga Shqipëria, së pari në Stamboll dhe pastaj ka udhëtuar me të njëjtin vapor me Islam Kullën dhe emigrantët e tjerë.

Duhet pranuar se secili prej këtyre emigrantëve, si pasojë e përndjekjeve të egra të regjimit komunist të Enver Hoxhës, u detyruan të merrnin në sy çdo rrezik dhe u arratisën si mundën. Fundja, kush nuk ka dëgjuar e lexuar rrëfimet e tyre rrëqethëse e të dhimbshme.

“Ka gati një vit që po merrem me historinë e Islamit, ndërhyri Enisi. – Historia e tij është tepër e dhimbshme. Që nga dita kur u arratiset Islami, prindërit, motrat e gjithë farefisi, humbin lidhjet me të, duke jetuar me vite të tëra në ankth, pa ditur gjë, është apo nuk është gjallë Islami, kurse në anën tjetër, regjimi komunist, i burgosi e i persekutoj pamëshirshëm.

Motrën e madhe të Islamit, e mbajnë dhe e torturojnë për 8 muaj rresht në hetuesi. Tri ditë pasi e lirojnë si të pafajshme, ajo vdes. Familjarët e saj nuk u lejuan të marrin pjesë në varrimin, lamtumirën e fundit të së ndjerës. Kullajt u goditën në mënyrë më barbare, nga vorbulla e luftës së klasave, duke i trajtuar si armiq e kundërshtarë të shtetit, për 50 vjet me radhë.

Në fund të vitit 1975, kur morën lajmin e hidhur për vdekjen e Islamit, motrat kanë qarë në fshehtësi, në fshehtësi janë djegur e përvëluar për të mësuar se vërtet ndërroi jetë Isalmi, apo ndoshta është gjallë, nëse ka vdekur, a pati kush ta varroste, ku prehet trupi i tij pa jetë, çka u bë me trashëgimtarin e tij…? Me hapjen e Shqipërisë, mbesa e Islamit, vendoset në Belgjikë.

Nga Belgjika, vajza e mbesës, Erisa, nis gjurmimet për të mësuar të vërtetën ne lidhje me Islam Kullën. Me të marrë vesh për këtë niciativë të Erisës dhe i prekur shpirtërisht me ketë dramë të dhimbshme, iu përvesha punës, për ta ndihmuar motrën Diturie, gjyshen e Erisës. E kërkoja trashëgimtarin e Islamit, me emrin Arben, e gjeta me emrin Richard…!

Pas shumë peripecive, hulumtimeve gati njëvjeçare, në zyrat e gjendjes civile, në Arkivat e Departamentit të Punëve te Brendshme, pata sukses dhe gjeta të dhënat se: Islami është martuar me Patrica Walton, në vitin 1966. Po atë vit ata janë bërë me një djalë, i cili është regjistruar me emrin Richard Xhemali Kulla, pra jo Arben siç mendohej.

Në vitin 1974, Isalmi e Patrica janë divorcuar. Në vitin 1975, Islami është ndarë nga kjo jetë. Pas ndarjes, Patricia ia ka ndryshuar të birit emrin, prej Richard Xhemali Kulla, ne: Richard Thomas Mulvena. Ky ndryshim, më nxori shume telashe gjatë kërkimit, por sidoqoftë me 29.3.2006, enigma u zbardh, arrita ta kisha në dorë adresën, numrin e telefonit të Richardit, trashëgimtarit të Islam Kullës.

E thërras në telefon Richardin. U befasua. Mbeti pa fjalë. Megjithatë e mori veten shpejt… kujtoj që tha – një sekondë Enis, sa ta marr një karrige. U gëzua jashtë mase. Ndër të tjera, më tha se qysh fëmijë, ka dashur të gjejë rrënjët, trungun, gjakun, fisin e vet, por nuk ka mundur.

Me nuanca të paqëndrueshme të zërit përfundoi – ky lajm është dhuratë më e ëmbël, më e mirë, me e shtrenjtë për ditëlindjen time të 40-të, që po përgatitem ta festoj më 2 prill. Ja pra, edhe një arsye më shumë për Richardin, që më 2 prill, të jetë dyfish i lumtur – mendova dhe, i trazuar, mezi e mbaja receptorin e telefonit në dorë.

Sidoqoftë, tashmë Richardi është në lidhje me hallën Diturie, kushërirën Erisa, dhe po bëhet gati që sa me shpejt të jetë e mundur te niset për te halla, kushërinjtë, te njerëzit e gjakut të tij në Shqipëri, të cilët gjashtë dekada po presin një lajm prej Ishullit të largët dhe, mirësia e Zotit deshi që ky lajm të jete i gëzuar për ta”. – përfundoi Enisi..

Richard Thomas Mulvena, këto ditë u kthye nga vizita në Shqipëri, atje Richardi ka takuar njerëzit e babait, hallën, kushërinjtë dhe i ngazëllyer me pritjen, flet me admirim dhe entuziazëm, për gjithë ato që i ka përjetuar, parë në Tiranë.

“Gjithmonë nëna, por edhe shokët, me thoshin; kujt i ke ngjarë ti me këtë karakter, ndryshe nga të tjerët, i rrëmbyer, i dhembshur, inatçi, dorëlirë, i afërt me njerëz, i gatshëm për t’i dalë në ndihmë të ligshtit, të pambrojturit, asnjëherë nuk dija si t’u thosha, si t’u përgjigjesha.

Gjatë qëndrimit në Tiranë, mësova pse isha me “karakter ndryshe”, nga rrethi ku u rrita, në Shqipëri mësova se në dejtë e mi, rrjedh gjak shqiptari dhe për këtë jam krenar. Ja shihe, – më thotë, duke hequr xhaketën dhe me tregon tatuazhin, shqiponjën me dy krerë, në krahun e majtë, kurse në auto veturë, kishte varur flamurin shqiptar.

Do të kthehem në Tiranë, atje do të jem për Vitin e Ri, gjaku ujë nuk bëhet. Gëzohem që tashmë nuk jam fill i vetëm, por kam shumë njerëz të fisit tim, mburrem me historinë aq të bujshme të babait, gjyshit tim, kënaqesha kur më thoshin; “pinjolli i Isalm Kullës”. Sa e sa herë, – vazhdoi Richardi, – më kujtohet momenti kur takova babin, për herë të fundit.

Ngrohtësinë e atij takimi kurrë nuk e harroj. Më qafoi e ledhatoi, më foli ëmbël-ëmbël, sa nuk  mund ta imagjinoni, prandaj këto ditë, do ta nis procedurën për kthimin e mbiemrit Kulla dhe do ta mbaj me nder, për jetë të jetës. Do ta mësoj edhe gjuhën shqipe. Këto ia kam borxh babait….! T’ju them edhe këtë, pas vizitës në Tiranë, për mua ka filluar një jetë më dinamike, më e vrullshme dhe shumë interesante” – më tha në fund të bisedës, Richardi./Memorie.al

SI.E./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    Si ka qenë për ju viti 2024?



×

Lajmi i fundit

Këlliçi në SPAK, Valteri: I implikuar edhe me bursa në call center! Do japë llogari, ishte aq i shqetësuar sa aludoi edhe ndarjen

Këlliçi në SPAK, Valteri: I implikuar edhe me bursa në call center! Do japë llogari, ishte aq i shqetësuar sa aludoi edhe ndarjen