Kryeministri Edi Rama ka publikuar një video për Samitin e katërt të Diasporës që do të mbahet në datat 13, 14 dhe 15 prill në Tiranë.

Videoja e mirëseardhjes është një përmbledhje e figurave më të rëndësishme shqiptare, të realizuara me Inteligjencë Artificiale. Kontributorë, gjuhëtarë, shkrimtarë, piktorë e rilindas të shquar kanë marrë ‘jetë’ përmes teknologjisë.

I pari që çel ‘paradën’ virtuale është autori i “Mesharit”, Gjon Buzuku, për të vijuar me tre vëllezërit Frashëri që i dhanë zemër Rilindjes, At Gjergj Fishta ose ‘Homeri’ shqiptar, Heroi Kombëtar Gjergj Kastriot Skënderbeu, Ismail Qemali e Nënë Tereza.

Secili prej tyre ulet në një fron me shqiponjën dykrenare apo thjesht ngrihet për të përshëndetur.

Figura të tjera janë Fan Noli, Faik Konica, Jeronim de Rada, por nuk janë lënë pas as artistë si Marie Kraja, Ibrahim Kodra, Onufri, Aleksandër Moisiu, Bekim Fehmiu, Pietro Marubi etij.

Më pas, froni u lihet penës së artë si Ismail Kadare e Migjeni për ta mbyllur me Mit’hat Frashërin që ishte ideologu i çështjes kombëtare.