Historiania angleze: Si i bëri aleancat Enver Hoxha me Titon, Stalinin e Mao Ce Dunin, ç’mori në këmbim

Historiania angleze: Si i bëri aleancat Enver Hoxha me Titon, Stalinin e Mao Ce Dunin, ç’mori në këmbim

Enveri dhe Stalini

Historiania angleze Miranda Vickers analizon regjimin komunist të Enver Hoxhës. Si u vendos diktatura dhe aleancat e çuditshme që ai bëri me Titon në fillim, me Stalin më pas dhe në fund me Mao Ce Dunin. Çfarë përfitoi Enveri si në planin e brendshëm dhe në atë ndërkombëtar. Cilat janë disa nga arritjet më të rëndësishme të asaj kohe që nuk mund të mohohen edhe sot e kësaj dite…

– Zonja Vickers, komunistët erdhën në pushtet në vitin 1944, pasi sikurse e kini pohuar edhe ju, partizanët shqiptarë nën udhëheqjen e Enver Hoxhës ishin e vetmja forcë që luftuan për çlirimin e vendit. Pse atëherë e kritikoni Enverin për vendosjen e diktaturës?

– Është e vërtetë se partizanët komunistë e çliruan Shqipërinë dhe kjo është një vlerë e mkadhe edhe pas kaq shumëvitesh. Megjithatë, diktatura u vendos, por kjo nuk erdhi e menjëhershme. Kur Enver Hoxha formoi qeverinë e tij në Tiranë më 1944, menjëherë pas lufte, ai e ruajti të paktën në dukje bashkëpunimin me ata elementë të rezistencës jokomuniste që ekzistonin ende dhe që ishin të gatshëm t’i bashkoheshin Frontit të ri Demokratik (emërtimi i ri i Frontit Nacionalçlirimtar). Kjo organizatë zëvendësoi tashmë haptas Frontin Nacional-Çlirimtar komunist të viteve të luftës, por nevoja për lëshime ndaj forcave atdhetare, nacionaliste dhe demokratike në vend zvogëlohej sa më shumë që Partia Komuniste forconte kontrollin e saj mbi të. Mijëra mbështetës të Ballit Kombëtar dhe Legalitetit u arratisën nga vendi, shumica e të cilëve u vendosën në Amerikë. Në dhjetor 1944 shteti mori nën kontroll industrinë, bankat dhe transportet. Pasuritë industriale, tregtare dhe bujqësore që u përkisnin atyre që ishin larguar nga vendi për arsye politike u konfiskuan pa të drejtë kompensimi për pronarët e mëparshëm. Në verën pasardhëse u shpall një kushtetutë e re shqiptare e cila në të vërtetë ishte një kopje e kushtetutës jugosllave. Qeveria e re shqiptare nisi nga riformësimi i vetvetes sipas modelit të fqinjëve të saj veriorë dhe, pavarësisht nga entuziazmi dhe besueshmëria ndaj regjimit të ri, PKSH u bë vetëm një shtojcë e PKJ-së. U krijua një bashkim doganor në kuadrin e përgatitjeve për shkrirjen tërësore të Shqipërisë në Federatën Jugosllave. Monedha shqiptare, leku, që ishte zhvlerësuar së tepërmi gjatë luftës për shkak të inflacionit të shfrenuar, u bashkua me dinarin jugosllav, ndërsa studimi i gjuhës serbo-kroate u bë i detyrueshëm në shkollat shqiptare. Të gjitha këto sollën në të vërtetë zhdukjen nga ana e Jugosllavisë të pavarësisë shqiptare.

– Sidoqoftë, më 1948 ndodhi prishja me jugosllavët. Shqipëria u lidh me Bashkimin Sovjetik e mandej me Kinën. Si i konsideroni këto aleanca të Enverit, pasi në atë kohë këto vende ishin superfuqi komuniste?

– Për Hoxhën, çështja e vetme më e rëndësishme ishte ajo e mbijetesës jo vetëm të sovranitetit të Shqipërisë, por edhe të klikës së tij të vogël. Kjo do të thoshte eliminimin e të gjithë rivalëve realë apo potencialë. Gjatë sundimit të tij, shqetësimi për sovranitetin kombëtar ishte gjithmonë faktori kryesor për përcaktimin e politikës së jashtme shqiptare. Ndonëse udhëheqja shqiptare kishte zhvilluar krenari dhe besim për shkak të kurorëzimit nga mbrojtës të fuqishëm të huaj, Hoxha mbeti i kujdesshëm dhe thellësisht i dyshimtë ndaj motiveve dhe veprimeve, jo vetëm të armiqve të deklaruar, por edhe të të ashtuquajturve “mbrojtës” të Shqipërisë, Bashkimi Sovjetik dhe më në fund Kina.

Pas ndarjes me Kinën në vitin 1978, Shqipëria e gjeti veten pa një “mbrojtës” të huaj për herë të parë në historinë e saj moderne. Rrethuar nga kërcënimi shumë i vërtetë dhe potencial i fqinjëve grabitqarë, kishte çdo justifikim për ankthin, shqetësimin dhe dyshimin e Hoxhës. Prandaj ai shpalli një politikë të vetë-mjaftueshmërisë maksimale, e cila përfshinte mbështetja në fuqinë punëtore të brendshme dhe burimet materiale dhe zbatimin e një regjimi të rreptë kursimi. Hoxha kërkoi të krijonte përshtypjen se Republika Popullore Socialiste e Shqipërisë ishte e vetmja vend real “socialist” në botë dhe u përball me një bllokadë “imperialiste-revizioniste” të gjithanshme, Shqipëria nuk kishte alternativë tjetër veçse të shkonte vetë.

Megjithatë, politika e Hoxhës për të provuar se praktikonte “socializmin në një vend” ishte plotësisht jopraktike për Shqipërinë. Më e mira që mund të arrinte ishte një politikë që synonte thjesht mbijetesën. Kur liderët shqiptarë me krenari deklaruan se rritja e tyre ekonomike ishte vetëm për shkak të përpjekjeve të Shqipërisë dhe se Shqipëria nuk i detyrohej askujt qindarkë, ata injoruan faktin se sa herë që lidershipi shqiptar zhvendoste besnikërinë nga një vend në tjetrin, të gjitha borxhet kalonin ndaj ish-aleatit të saj. Borxhi vetëm për Kinën është llogaritur në vlerë prej 5 miliardë dollarësh.

– Sa i ka shfrytëzuar Hoxha këto miqësi dhe aleanca me sovjetikët dhe kinezët, para se të tërhiqej në izolim?

– Padyshim që i shfrytëzoi maksimalisht.Megjithëse udhëheqja shqiptare ndihej krenare dhe plot besim, gjendja e rënduar si në Bashkimin Sovjetik dhe në Kinë, e bënte të ishte e matur dhe thellësisht dyshuese për motivet dhe veprimet jo vetëm të armiqve të deklaruar, por edhe të të ashtuquajturve ‘protektorë’. Në fund të majit 1960, Hrushovi kishte patur një takim me kreun e liberalëve grekë, Sofokli Venizellos, i cili ishte ankuar për trajtimin e pakicës greke në Shqipëri. Hrushovi kishte premtuar ta diskutonte çështjen e pavarësisë së brendshme për Epirin e veriut me delegacionin shqiptar në Konferencën e ardhshme të Bukureshtit që do të mbahej në qershor. Pasi kishte rifilluar kontaktet me regjimin jugosllav në interes të ‘ofensivës së tij të paqes’ në Ballkan, Hrushovi tashmë dukej se ishte duke punuar me grekët. Shqipëria e interpretoi gjestin si dëshmi e padyshimtë e mbështetjes sovjetike për pretendimet territoriale greke mbi Shqipërinë jugore; përderisa ekzistonte ende ligji i luftës midis Shqipërisë dhe Greqisë, Shqipëria trembej edhe më shumë për sigurimin e 460 miljeve të kufirit tokësor me Greqinë.

Në mesin e vitit 1960, marrëdhëniet e Shqipërisë me Bashkimin Sovjetik u përkeqësuan më tej. Në mbledhjen e Bukureshtit në qershor u shfaqën kontradiktat midis Kinës dhe Bashkimit Sovjetik. Atje Shqipëria mbështeti fuqimisht  kinezët, vuri në dyshim haptazi mbizotërimin sovjetik midis shteteve socialiste dhe e akuzoi Hrushovin për revizionizëm. Duke u ndjerë të zemëruar dhe të tradhtuar nga Hrushovi, as Hoxha dhe as Shehu nuk morën pjesë në mbledhjen e Bukureshtit, por në vend të tyre dërguan numrin tre të Shqipërisë, Hysni Kapon. Pas Bukureshtit, Hrushovi ndërmori një sulm të bashkërenduar për t’i detyruar shqiptarët të ktheheshin në binarë duke urdhëruar ndërprerjen e furnizimit me drith, që ishte aq shumë i nevojshëm për Shqipërinë. Në atë kohë Shqipëria ishte duke vuajtur nga uria për shkak të një vargu thatësirash, përmbytjesh dhe tërmetesh, ndërsa kishte rezerva drithi në depo vetëm për 15 ditë. Por gati menjëherë ndërhynë kinezët duke dërguar një ngarkesë të madhe me grurë, të cilin e blenë në Francë dhe transportuan në Shqipëri. Ndërkohë pati një seri shkarkimesh të zyrtarëve shqiptarë pro-sovjetikë, duke përfshirë Liri Belishovën, sekretare e Komitetit Qendror. Belishova, tok me familjen e saj u internua për 30 vjet, e akuzuar për përfshirje në një komplot sovjetik për të përmbysur udhëheqjen shqiptare. Kryeinxhinieri sovjetik për ndërtimin e Pallatit të Kulturës në Tiranë (një dhuratë e Moskës për Shqipërinë në vitin 1959) papritmas iku për në Moskë në tetor, duke marrë me vete të gjitha projektet e ndërtimit. Ai nuk u kthye kurrë. Moska tha se shqiptarët në prill të atij viti i kishin rritur aq shumë kërkesat e tyre për përmasat e pallatit, saqë kostoja ishte rritur dy herë e gjysmë.

– A ka pasur të drejtë Enveri në dyshimet ndaj këtyre aleatëve të mëdhenj?

– Unë do të theksoja problemet që u krijuan. Në nëntor në Moskë u mbajt një tjetër mbledhje komuniste, me pjesëmarrjen e delegacioneve të 81 partive nga e gjithë bota. Këtë herë Hoxha dhe Shehu morën pjesë. Sërish çështja qendrore ishte konflikti kino-sovjetik, ku edhe një herë shqiptarët mbajtën anën e Kinës. Ata e akuzuan Hrushovin se kishte braktisur luftën ideologjike dhe politike kundër ‘imperializmit’. Në të vërtetë, në fjalimin e Hoxhës kishte aq shumë pasion në denoncimin e Hrushovit, saqë edhe delegatët kinezë u vunë në siklet. Hoxha dhe Shehu e lanë mbledhjen para kohe, duke udhëtuar nëpërmjet tokës nga Austria dhe Italia për t’i shpëtuar rrezikut të ndonjë ‘aksidenti’ në aeroplanin sovjetik. Ata nuk u kthyen kurrë më në Bashkimin Sovjetik. Njëherësh ky ishte dhe udhëtimi i fundit publik i Hoxhës jashtë Shqipërisë. Në Konferencën e Moskës Hoxha u ndje i zënë ngushtë, ndaj dhe që nga ajo kohë ai ishte i bindur se Hrushovi donte ta hiqte qafe. Paranoja e tij duket se ishte disi e justifikuar, pasi deri atëherë vetëm pas lufte kishte patur të paktën tri kërcënime të rrezikshme ndaj sovranitetit të Shqipërisë. Para prishjes me Stalinin, Titoja kishte planifikuar përfshirjen e sigurt të Shqipërisë brenda Jugosllavisë. Nga viti 1949 deri më 1953 anglezët dhe amerikanët u përpoqën të përmbysnin regjimin e Hoxhës; ndërsa gjatë periudhës 1960-61 Hrushovi padyshim që donte të izolonte Hoxhën dhe në këtë mënyrë ta bënte më të cënueshëm territorin shqiptar. Pas Konferencës së Moskës marrëdhëniet e Shqipërisë me bllokun sovjetik u përkeqësuan së tepërmi. Shqipëria u bë një problem i vogël por mjaft irritues për Hrushovin.

– Çfarë e shtynte Enverin të mbante këto qëndrime?

– Një arsye madhore pas kryeneçësisë së udhëheqësit shqiptar ndaj Moskës ishte dukja e tij si skajshmërisht nacionaliste. Hoxha, si edhe Mao Ce Duni, besonte se Hrushovi ishte duke sfiduar lëvizjen komuniste botërore me anë të ndrydhjes së nacionalizmit vetiak dhe se në këtë mënyrë ai ishte duke devijuar nga praktika e vërtetë marksiste-leniniste. Hoxha nuk ishte i përgatitur të bënte kompromis me Hrushovin mbi rolin e Stalinit ose  për rehabilitimin e Koçi Xoxes. Duke pretenduar se Hrushovi ishte duke zhvilluar kultin e tij personal, Hoxha ende ruante mendimin (krejtësisht të gabuar) se Stalini kishte qenë një mbrojtës i interesave kombëtare të Shqipërisë kundër Jugosllavisë. Ai e përshkruante Hrushovin si ‘sharlatanin dhe kllounin më të madh kundërrevolucionar që kishte njohur bota ndonjëherë’. Hrushovi nga ana e tij e quante Hoxhën një ‘majtist, nacionalist, deviator’. Ministri i jashtëm hungarez, Janosh Kadar, i etiketoi shqiptarët në një fjalim si ‘trockistë’. Grupi qeverisës i Shqipërisë mundi t’i mbijetonte shkëputjes me Moskën duke iniciuar një seri spastrimesh të përgjakshme, gjatë të cilave u eliminuan elementët anti-Hoxhë dhe prosovjetikë. Më 1962, nga 31 anëtarë të Komitetit Qendror të zgjedhur në Kongresin e parë më 1948, vetëm 9 mbijetuan: 14 ishin likujduar dhe 8 u detyruan të ‘tërhiqeshin’ nga jeta politike. Ata që mbijetuan ishin të lidhur së toku nga besnikëria tradicionale dhe klanore si dhe nga bashkëfajësia në spastrimet e pamëshirshme. Midis 61 anëtarëve të Komitetit Qendror ishin pesë çifte bashkëshortësh… dhe jo më pak se 20 vetë të lidhur me njëri-tjetrin si dhëndurrë apo kushërinj.

– Por a nuk e vlen të kujtojmë edhe disa arritje të asaj kohe, pasi Shqipëria ndryshoi shumë në ato vite. A duhen vlerësuar ato?

– Enver Hoxha pa dyshim ishte një diktator i pamëshirshëm dhe për këtë ai do të kujtohet kryesisht. Megjithatë, ka pasur disa përmirësime të rëndësishme shoqërore që nuk mund të shpërfillen. Dy fusha ku regjimi i Hoxhës po bënte përparim të dukshëm ishin në fushën e arsimit dhe shëndetit. Para luftës, Shqipëria ishte vendi i vetëm në Europë pa një universitet. Që nga viti 1945, fushata kundër analfabetizmit u zhvillua pa u lodhur duke regjistruar mijëra njerëz në shkollat e natës, ku ata përparonin nga klasa fillore në kurset e mesme. Shumë ndoshta pyesnin nëse ndoshta shkrim-leximi ishte një punë e ngatërruar, pasi pas një pune të vështirë, ata duhej të ndiqnin kurset e detyrueshme për të gjithë në marksizëm-leninizëm, plus tekstet dhe ligjëratat mbi materializmin dialektik dhe historik. Megjithatë, çrrënjosja virtuale e analfabetizmit duhet të konsiderohet si një nga arritjet më mbresëlënëse të viteve të Hoxhës. Disa përmirësime të dukshme janë bërë edhe në fushën e kujdesit shëndetësor, me trajtim mjekësor falas për të gjithë. Spitalet, klinikat dhe sanatoriume u ndërtuan dhe jetëgjatësia mesatare u rrit nga 54 vjet në 1950 në 67 vjet deri në 1970.

Dua të shtoj edhe diçka tjetër shumë të rëndësishme qëkandodhur gjatë regjimit të Hoxhës, revolucionin nëjetën shoqërore. Në shkurt 1967, në një fjalim mbi ‘revolucionarizimin e mëtejshëm të Partisë’, Hoxha paralajmëronte: ‘Partia dhe i gjithë populli duhet të djegin në zjarr dhe t’i thyejnë kokën kujtdo që shkel ligjin e shenjtë të Partisë për mbrojtjen e të drejtave të grave dhe vajzave’.

Menjëherë pas luftës, angazhimi i grave në forcat e punës kishte kontribuar në zgjidhjen e mungesës fillestare të fuqisë punëtore në vend. Teorikisht, tashmë gratë ishin të barabarta me burrat. Por në të vërtetë, megjithëse ato nuk mund të shiteshin më si pronë e burrave, tani ishin shndërruar në pronë të shtetit. Gratë vazhduan të punojnë po aq shumë në fushë sa kishin punuar edhe para luftës. Si në Rumani, atyre u ishte mohuar e drejta e kontrollit të shtatzanisë, ndërsa aborti dhe kontraceptimi ishin ilegal. Kjo ishte në përputhje me politikën e partisë për shtimin e popullsisë. Lindshmëria arriti pikën më të lartë të saj në vitin 1955, me 43.8 për mijë, ndërsa zbriti ngadalë në 30.6 për mijë më 1975. Nga ana tjetër, vdekshmëria vazhdonte të ulej, duke arritur në 7.2 për mijë më 1975. Rritja pasuese në popullsi rëndoi së tepërmi problemin e mprehtë të strehimit, duke krijuar kushte ngërçi dhe ndyrësie. Praktikisht duke ruajtur rolin e tyre tradicional si nëna, regjimi i Hoxhës i vlerësonte më shumë gratë, sikurse ndodhte në të vërtetë edhe në kohën e para luftës. Për lindjen e gjashtë fëmijve jepej Medalja e Nënës, për nëntë Medalja e Lavdisë, ndërsa për 12 fëmijë akordohej Medalja Nënë Heroinë. Por vazhdonte të kishte një kontradiktë të madhe në qëndrimin e shumë burrave që, megjithëse mund ta pranonin rolin e ri të grave në jetën publike, vazhdonin t’i trajtonin gratë si shërbetore në jetën shtëpiake.

Sulmi i bashkërenduar ndaj besimeve fetare ishte një tjetër aspekt në përpjekjen për të shkatërruar zakonet tradicionale. Ndër të tjera, feja ishte fajësuar për pengimin e përparimit shoqëror me lejimin e fejesave të fëmijëve që në djep, duke ndërhyrë në jetën private të njerëzve dhe penguar lëvizjen për emancipimin e grave. Lufta e pamëshirshme e Partisë kundër atyre që quheshin ‘shfaqje të prapambetura’ arritën kulmin me mbylljen e shumicës së 2169 objekteve të kultit në gjithë vendin, disa nga të cilat u shndërruan në vatra kulture, qendra sportive, teatro dhe magazina.

– Pas prishjes me Kinën ndodhi izolimi total i Shqipërisë… Megjithatë, entuziazmi vazhdonte në rrugën e socializmit…?

– Faktori kyç për përcaktimin e politikës së jashtme shqiptare, si gjithmonë, kishte të bënte me sovranitetin kombëtar. E detyruar nga kushtet, Shqipëria do të hiqte dorë nga të gjitha programet e saj ambicioze të zhvillimit, por tashmë vendi siguronte me forcat e tij drithërat e bukës, naftën dhe energjinë elektrike, nga të cilat madje edhe eksportonte në Jugosllavi. Shqipëria ishte tkurrur në një shkallë izolimi ideologjik dhe politik të vetë-imponuar, me të cilin është e vështirë të gjendet ndonjë krahasim bashkëkohor. Ndërsa gjithë pjesa tjetër e botës, me përjashtim të fqinjëve ballkanikë, vazhdonte ta injoronte Shqipërinë, vendi tërhiqej në një vetmi thuajse tërësore, i harruar pas maleve të frikshëm dhe të shkretë. Vizitorët e paktë që e shkelnin këtë vend i përkisnin delegacioneve të biznesit dhe të sindikatave, ndërsa turizmi me paramendim kishte zbritur në nivele shumë të ulëta. Për herë të parë në historinë e saj moderne, Shqipëria gjendej pa një ‘mbrojtës’ të jashtëm. E rrethuar nga rreziku potencial i fqinjëve të saj grabitqarë, pranohej çdo justifikim  për ankthin, shqetësimin dhe dyshimin e Hoxhës. Ai filloi të lëshojë bubullima kërcënuese për t’i treguar kujtdo që mund të dyshonte se vendi ishte në gatishmëri të lartë: ‘Ata nuk do të na gjejnë kurrë në gjumë, sepse ne kurrë nuk do ta humbasim vigjilencën, le ta ketë këtë të qartë kushdo: muret e kalasë sonë janë të patundura si shkëmb graniti’./Dita

Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    27 Nëntor, 11:43

    Si e vlerësoni vendimin e GJKKO që liroi Berishën nga arresti shtëpiak?



×

Lajmi i fundit

Ja pse 'lirimi' i Sali Berishës i gëzoi të gjithë

Ja pse 'lirimi' i Sali Berishës i gëzoi të gjithë