Pas përfundimit të tubimit të dhunshëm, kryepolici Skender Hita, vizitoi në Spitalin e Traumës punonjësit e Policisë të dëmtuar si pasojë e sulmeve me gurë, sende të forta dhe bomba molotov nga protestuesit e maskuar.

Ai u uroi punonjësve të dëmtuar shërim të shpejtë, i falënderoi për profesionalizmin, përgjegjësinë dhe përmbajtjen e treguar përballë sulmeve të pandërprera, si dhe i siguroi për mbështetjen e plotë të tij dhe të institucionit që drejton.

Hita bisedoi edhe me stafin drejtues të spitalit dhe ekipin mjekësor, nga të cilët u informua se punonjësit e Policisë që kanë pësuar dëmtime më të rënda dhe do të vijojnë të qëndrojnë në spital, po marrin trajtimin e duhur mjekësor.

Gjatë protestës, u dëmtuan 51 punonjës policie, të cilët ishin në krye të detyrës për garantimin e rendit dhe sigurisë publike.

Deri më tani janë shoqëruar 65 protestues, të dyshuar për sulme ndaj punonjësve të Policisë, institucioneve dhe pronës publike e private.


Lajmi kryesor:

‘Gjendje lufte’ në Tiranë, kaosi ‘padron’ i rrugëve! Sulmohen 8 prej institucioneve kryesore, zjarr 3 ministrive e 4 bankave! Në flakë dhe plaçkiten biznese private! 51 policë të lënduar dhe 65 të shoqëruar