Hitzfeld është i bindur se Shaqiri do t'i tregojë cilësitë e veta edhe te një skuadër me nam botëror si Bayerni. Sipas trajnerit zviceran, Shaqiri ka vepruar shumë mirë kur vendosi që këtë verë ta lërë Baselin për një ekip më të fortë në një ligë më të fortë.
"Shaqiri është ende shumë i ri, por ka qenë në gjendje të fitojë një përvojë të madhe. Transferimi i tij nga Baseli në Bundesligë ka ndodhur në kohën e duhur", ka thënë Hitzfeld. "Shaqiri jo vetëm që është lojtar i klasit botëror, por ai ka edhe karizmën e duhur. Qysh tani mund ta imagjinoj atë si idhullin kryesor të tifozëve në Mynih".
Hitzfeld insiston se për Shaqirin do të jetë më mirë nëse holandezi Arjen Robben mbetet te Bayerni. Mirëpo mendimin e njëjtë me Hitzfeldin nuk e ndajnë edhe të tjerët që insistojnë se Shaqiri do ta ketë të vështirë të sigurojë vendin e titullarit para Robbenit në krahun e djathtë.
"Çështja e Robbenit më brengos fare pak. Robben nuk mund t'i mbijetojë edicionit pa u lënduar. Kështu që, Shaqiri do ta ketë rastin e tij për të treguar veten ", tha Hitzfeld 63-vjeçar. "Në rast se Robben largohet, atëherë pritjet nga Shaqiri do të jenë të mëdha. Më mirë për Shaqirin do të jetë nëse rritet nën hijen e Robbenit".(rb/shqiptarja.com)
