Trajneri i Anglisë, Roi Hoxhson, pas eliminimit në çerekfinale në Euro 2012 nga Italia pas serisë së penalltive, ka deklaruar se futbollistët e tij kanë dhënë maksimumin në këtë sfidë.

“Ne dhamë maksimumin dhe i tejkaluam problemet e ndryshme që kishim. U përpoqëm që gjatë 90 minutave, e më pas edhe 30 minutave shtesë t’i shmangemi serisë së penalltive, por nuk ia arritëm këtij qëllimi. Italianët na mbajtën nën presion të madh gjatë gjithë ndeshjes. Ne luajtëm mirë dhe jam i kënaqur me atë çfarë tregoi skuadra ime”, ka theksuar Hoxhson.

Sfida e zhvilluar në Kiev pas 120 minutave lojë u mbyll pa gola, kurse në serinë e penalltive italianët ishin më të mirë, duke fituar 4:2.

“I kemi ushtruar penalltitë në stërvitje, pasi ishin ters për ne në të kaluarën. Lojtarët i realizuan shumë mirë penalltitë në stërvitje, por presionin dhe nervozen nuk mund ta ushtroni. Kjo është diçka e pamundur. Penalltitë gjithmonë janë krejtësisht ndryshe nga loja e rregullt”, ka shtuar Hoxhson.(rb/shqiptarja.com)