DURRËS- Në një kohë kur armëmbajtja pa leje është bërë një “trend” negativ, policia e Durrësit ka “goditur” rastin e tretë brenda javës në qarkun e Durrësit.

Teksa policia vijon kontrollet për parandalimin e paligjshmërisë, ky rast, me protagonist një 17-vjeçar është konstatuar në lagjen 6 në Durrës, rreth orës 4 të mëngjesit.

Pasi i mituri nuk iu bind urdhrit të policisë për të ndaluar, ai e hodhi armën e zjarrit të cilën mbante me vete në oborrin e një personi, me shpresën se mund t’i shpëtonte dënimit.

Por polici shumë shpejtë identifikoi çantën e 17-vjeçarit brenda së cilës gjendej arma, që u sekuestrua në cilësinë e provës materiale.

Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Durrës, për veprime të mëtejshme.

Një tjetër rast i armëmbajtjes pa leje u konstatua në Durrës të martën. 20-vjeçari Kejvin Gjegja u arrestua, ndërsa përveç armës tip pistoletë, iu gjetën edhe dy palë pranga njëlloj si ato të policisë. I riu është konstatuar nga patrulla e “Shqiponjave” rreth orës 04:00 të mëngjesit, ndërsa fillimisht nuk pranoi të ndalonte. Ndërkohë, një tjetër rast u konstatua pak ditë më parë ku një grup prej tre personash u kapën në flagrancë me tre pistoleta dhe një mitraloz, të gjitha armët me fishekë në fole gati për të qëlluar. Ky grup dyshohet se ishte porositur për një vrasje. Në fokus të bluve në muajt e fundit kanë qenë personat me rrezikshmëri të lartë shoqërore dhe që qarkullojnë me armë në zona të banuara. Si pasojë, një numër i konsiderueshëm krimesh kanë ndodhur, ndërsa vetëm në muajin qershor janë regjistruar 13 vrasje me armë.