PRISHTINË, 27 Shkurt/ATSH/.- Ministri i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, Memli Krasniqi zhvilloi sot një takim me ambasadorin e Holandës në Kosovë, Robert Bosch, me të cilin bisedoi për prioritetet e MBPZHR-së për këtë vit.
Sipas KosovaPress, ministri Krasniqi e njoftoi ambasadorin më hollësisht rreth programit për bujqësi dhe zhvillim rural të këtij viti, përmes të cilit ai tha se, synojnë zhvillimin dhe fuqizimin e mëtejshëm të sektorit të bujqësisë.
Krasniqi e falënderoi ambasadorin Bosch për mbështetjen që Holanda i ka dhënë në vazhdimësi Kosovës për zhvillimin e sektorëve të ndryshëm dhe shprehu gatishmërinë e tij, që të thellohet dhe zgjerohet edhe më tej bashkëpunimi mes Kosovës dhe Holandës.
Nga ana e tij, ambasadori Robert Bosch, ka uruar ministrin Krasniqi për detyrën e re dhe vlerësoi përkushtimin e tij për avancimin dhe fuqizimin e sektorit të bujqësisë në përgjithësi dhe rikonfirmoi gatishmërinë e shtetit të tij për të ndihmuar zhvillimin bujqësor të vendit./m.m/











