Holanda i dhuron dy zjarrfikëse të reja Tiranës, Veliaj: Kryeqyteti, një histori suksesi në ‘luftën’ ndaj flakëve, piromanët po marrin përgjigjen e merituar

Holanda i dhuron dy zjarrfikëse të reja Tiranës, Veliaj: Kryeqyteti, një histori suksesi në ‘luftën’ ndaj flakëve, piromanët po marrin përgjigjen e merituar

Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj

TIRANË- Drejtorisë së Shërbimit Zjarrfikës në Tiranë i janë shtuar edhe dy mjete të reja zjarrfikëse, dhuratë nga shteti i Hollandës, automjete të cilat do shërbejnë në zonat urbane të qytetit të Tiranës, në Kinostudio dhe në Kombinat. Gjatë ceremonisë së dhurimit të dy mjeteve të reja, kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, falenderoi miqtë që iu gjendën pranë vendit tonë pas tërmetit tragjik të Nëntorit 2019, dhe u shpreh se shërbimi zjarrfikës në kryeqytet këtë verë ka qenë një histori suksesi falë, edhe rrjetit të vullnetarëve të cilët kanë sinjalizuar në kohë kudo ku ka pasur vatra zjarri.

“Jam krenar sesi kemi arritur që Tirana, me një performancë sfiduese në vitin 2015 me zjarret e shumta dhe dëmin më të madh, është sot më e shpejtë në dhënien e shërbimit dhe më e përgatitur. Këtë verë kemi pasur rreth 180 zjarre në Tiranë, sigurisht më pak seç kishim përpara vitit 2015, por fokusi ka qenë tek parandalimi I tyre. Më vjen mirë që sot kemi një rrjet të madh vullnetarësh, që na lajmërojnë kur diçka ndodh në Petrelë, në Pezë, Zall-Herr, Zall-Bastar, apo Kashar. Është një punë e jashtëzakonshme,” u shpreh Veliaj.

Ai e vuri theksin te piromanët, të cilët, siç u shpreh Veliaj, prej 6 vitesh dështojnë me qëllimet e tyre të tjetërsimit të truallit dhe të pronave publike në Tiranë.

“Në këto 6 vite ka pasur mjaftueshëm prova se plani urban i Tiranës nuk ndryshon nga pasioni piroman që ka dikush për t’i vënë zjarrin fshatit. Kjo vlen si për shkollën “Kosova”, kur vënia e zjarrit për ta kthyer në pallat dhe tolerimi nga ish-administrata u përball me përgjigjen tonë të shpronësimit dhe shkolla sot është 3 herë më e madhe, më e fortë dhe më e bukur, ashtu edhe për “Sarajet”, ku tentativa për zjarr nga keqbërësit, i lidhur apo jo me pronarët, jo vetëm që dështoi, por përkundrazi, u kthye në një lloj inkurajimi për ne që të shpejtonim me procedurën e shpronësimit dhe në mbledhjen e parë të qeverisë do të kalojë VKM-ja për shpronësimin e dy shtëpive muze në Tiranë, “Sarajet” dhe “Libohovitët”,” tha kryebashkiaku.

Vitin e kaluar shërbimit zjarrfikës iu shtuan 50 punonjës të rinj, ndërsa për herë të parë këtë vit është bërë i mundur dhe sigurimi i jetës së punonjësit të shërbimit zjarrfikës. Megjithatë, Veliaj tha se borxhi që qyteti ka ndaj njerëzve që përballen çdo ditë me rrezikun për vetë jetën është më i madh.

“Çdo zjarrfikës, sa herë del nga shtëpia në mëngjes është shumë i ndërgjegjshëm që mund të jetë edhe hera e fundit. Por më vjen mirë dhe është shumë e rëndësishme ajo që bëmë për sigurimin e jetës së zjarrfikësve, e cila është vetëm fillimi i një pakete të trajtimit”, tha Veliaj, teksa shtoi se për herë të parë në Tiranë, pas 40 vjetësh, është duke përfunduar edhe ndërtimi i stacionit të ri në zonën e Kinostudios me parametra dhe kushte bashkëkohore.

“Dua të vazhdojmë me një stacion të ri zjarrfikës në Lundër sepse është zona që mbulon pjesën rurale, e cila preket më së shumti nga zjarret dhe pastaj edhe me një stacion të ri në Qytetin Studenti, duke qenë se aty është një fuzion i madh midis pjesës periferike dhe pjesës suburban. Në qoftë se ne - siç po bëjmë me mjetet, me shtimin e stafit, me siguracionet, me rrogat, por edhe stacionet e reja, - arrijmë të kryejmë këtë mozaik, që është shërbimi zjarrfikës, arrijmë t’i japim këtij qyteti me punë atë që na ka dhënë me besim nëpërmjet votës,” deklaroi kreu i Bashkisë.

J.GJ./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

MPJD i kundërpërgjigjet Beogradit, ia refuzon kërkesën për vizitë një ministri serb

MPJD i kundërpërgjigjet Beogradit, ia refuzon kërkesën për vizitë një ministri serb