Holanda konfirmon forcën edhe përballë Kilit duke kaluar grupin B me 9 pikë të plota në 3 ndeshjet e grupit. Portokallinjtë kanë mundur kilianët me rezultatin e pastër 2-0. Golat janë shënuar të dy në pjesën e dytë të sfidës.

Fillimisht ka qenë  Leroy Fer në minutën e 77 që ka kaluar në avantazh portokallinjtë. Kili tentoi që të reagonte pas golit të pësuar me shpresën për të barazuar, por në minutën e 90 pëson edhe golin e dytë me Memphis Depay.  

Ndeshja dhuroi mjaft raste dhe emocione nga të dy ekipet. Kili tregoi karakter të fortë në fushë përballë holandezëve ashtu si me Spanjën dhe Australinë, por në disa raste edhe fati nuk ishte me ata.

Megjithatë, pavarësisht humbjes, Kili duhet të jetë i kënaqur, pasi siguroi vendin e dytë në grup duke qenë surpriza e parë e botërorit, pasi eliminoi kampionen e botës në fuqi.

Spanja në ndeshjen e fundit të grupit përballë Australisë ia doli të merrte një fitore nderi. Ndeshja përfundoi 3-0 për iberikët që shënuan fillimisht me David Villa në minutën e 36 të pjesës së parë pas shumë rasteve.

Me këtë rezultat u mbyll edhe pjesa e parë, në të dytën spanjollët janë më të lirshëm në fushë duke dyfishuar në të 69’ me sulmuesin Fernando Torres. 8 minuta nga fundi ka vend edhe për golin e tretë dhe të fundit për Spanjën këtë edicion të botërorit që shënohet nga Juan Mata.

Fitorja ka vlerë vetëm për statistika për ekipin e Del Boskes që mbylli finalet e kampionatit botëror para kohe. Ndërsa Australia e mbylli në vendin e fundit me zero pikë.


d.b/shqiptarja.com