Ronald Koeman ka dhënë dorëheqjen nga posti i trajnerit të kombëtares së Holandës, menjëherë pas eliminimit zhgënjyes nga Maroku në fazën e 1/16-ave të Kupës së Botës 2026.
Në një deklaratë të publikuar në rrjetet sociale, 63-vjeçari konfirmoi vendimin e tij, duke marrë përgjegjësinë për dështimin e “Tulipanëve”.
“Dje mora vendimin për t’i dhënë fund periudhës sime si trajner i kombëtares holandeze. Të gjithë ndanim ëndrrën për të bërë histori në këtë Botëror, por nuk ia dolëm. Askush nuk është më i zhgënjyer se unë. Si trajner, përgjegjësia bie mbi mua”, shkroi Koeman.
Ish-mbrojtësi legjendar i Holandës kishte marrë drejtimin e skuadrës në janar të vitit 2023, pasi më parë kishte qenë në krye të saj edhe në periudhën 2018-2020.
Koeman la të kuptohej gjithashtu se mund të tërhiqet edhe nga puna si trajner, duke zbuluar se situata familjare ka ndikuar në vendimin e tij.
“Vitet e fundit më kanë bërë të kuptoj se ka gjëra më të rëndësishme se futbolli. Futbolli ka qenë jeta ime, por shëndeti është i paçmuar. Kur njeriu që do më shumë po përballet me një betejë të vështirë, këndvështrimi yt ndryshon. Pavarësisht sëmundjes së saj, bashkëshortja ime Bartina më ka mbështetur çdo ditë për ta përfunduar këtë mision. Jam pafundësisht mirënjohës ndaj saj”, shtoi ai.
Drejtori teknik i Federatës Holandeze të Futbollit (KNVB), Nigel de Jong, e cilësoi paraqitjen në Botëror si një dështim.
“Objektivi ynë ishte të arrinim në gjysmëfinale, ndërsa ambicia ishte të shpalleshim kampionë bote. Fatkeqësisht nuk e realizuam. Duhet të jemi të sinqertë, jemi ende larg nivelit që synojmë”, deklaroi ai.
Ndërkohë, Federata Holandeze dënoi ashpër komentet raciste të drejtuara ndaj Justin Kluivert, Quinten Timber dhe Crysencio Summerville, të cilët humbën penalltitë në ndeshjen ndaj Marokut.
KNVB bëri të ditur se do t'i raportojë rastet tek autoritetet përkatëse për diskriminimin në internet, me qëllim që autorët e komenteve të urrejtjes të përballen me pasoja ligjore.
“Futbolli bashkon miliona njerëz, ndërsa diskriminimi bën të kundërtën. Ai bie ndesh me gjithçka që përfaqëson futbolli”, thuhet në reagimin e Federatës Holandeze.
Komente







