HAGË, 6 korrik /ATSH-AFP/ - Kreu i Eurogrupit, Jeroen Dijsselbloem theksoi sot se fitorja e "jo"-së në referendumin në Greqi nuk e afron Evropën në një zgjidhje me Athinën.
"Rezultatet e referendumit (...) nuk na afrojnë në një zgjidhje", theksoi për gazetarët, Dijsselbloem, i cili është gjithashtu ministri holandez i Financave para një takimi me kryeministrin, Mark Rutte.
"Në fakt, refuzimi i propozimeve i bën gjërat më të vështira", shtoi ai duke theksuar se do të takohej të martën në Bruksel me ministrat e tjerë të Financave të Eurogrupit.
Diskutimet do të përqendrohen jo vetëm në "jo"-në e referendumit, por edhe në planin e ri të ndihmës kërkuar nga Athina.
"Ne do të shikojmë hap pas hapi nëse do të mundemi të shpëtojmë procesin", deklaroi Dijsselbloem.
Grekët votuan masivisht "jo" gjatë referendumit për reformat dhe shkurtimet buxhetore kërkuar nga kreditorët e Athinës në këmbim të një ndihme të re financiare.//ec/ a.jor.