Në kohën kur në Lindjen e Mesme ka shpërthyer lufta dhe Tirana zyrtare është radhitur krah Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Izraelit, posta elektronike e Kuvendit të Shqipërisë ra pre e një sulmi kibernetik, pas të cilit qëndron një grup iranian i quajtur “Homeland Justice”.
Hakerat kanë publikuar në një grup në aplikacionin Telegram, foto që shfaqin e-maile të administratës së Kuvendit dhe mbajnë datën 3 mars të vitit 2026. E-mailet i drejtohen deputetëve, ku në disa prej tyre janë njoftime edhe për seancat plenare apo kalendari i punës së Kuvendit.
“Të gjitha bisedat dhe korrespondencat e anëtarëve të korruptuar të Kuvendit muajt e fundit, janë në Duart e Homeland Justice. Jemi pranë jush më shumë nga sa mendoni. A i keni strehuar vërtetë ata vrasës dhe vrasës fëmijësh? Ne do sigurohemi që ky turp te mbetet me ju përgjithmonë. Nuk do t’i lejojmë mbështetësit e terroristëve të MEK-ut të flenë të qetë”, thuhet në mesazhin e shpërndarë prej tyre.
Nga ky grup janë publikuar dhe disa komunikime të brendshme të deputetëve Gazment Bardhi, Belinda Balluku, Edi Paloka dhe Damian Gjiknuri. Postimi i parë është pasuar nga një tjetër mesazh me tone kërcënuese drejtuar “anëtarëve të korruptuar të parlamentit”.
“Kjo është gjithashtu nga qasja e Homeland Justice në të gjithë infrastrukturën kibernetike të Kuvendit të korruptuar dhe sponsorizues të terrorizmit. Përshëndetje një fillimi të ri. Së shpejti anëtarët e korruptuar të këtij parlamenti do të turpërohen për veprat e tyre të urryera”, shkruhet në postimin e Homeland Justice në Telegram.
Autoriteti Kombëtar për Sigurinë Kibernetike tha për Report Tv se ka ngritur grupin e punës për analizimin e rastit dhe ekipet ndodhen në terren duke kryer analizën teknike, si dhe duke ndërmarrë hapat e nevojshëm lidhur me këtë situatë. Ndërkohë, Kuvendi në një reagim zyrtar konfirmon sulmin dhe fshirjen e disa të dhënave që ka qenë edhe synimi, por nuk janë prekur sistemet kryesore. Janë marrë të gjitha masat e nevojshme për izolimin dhe neutralizimin e sulmit, ndërsa është ofruar edhe mbështetja e ndërkombëtarëve.
"Nga analizat e para rezulton se infrastruktura kryesore e punës nuk është prekur. Faqja zyrtare e Kuvendit të Shqipërisë dhe sistemet e tjera që mbështesin funksionimin e institucionit vijojnë të funksionojnë normalisht. Menjëherë pas konstatimit të incidentit janë marrë masa për izolimin e trafikut të dyshimtë dhe për neutralizimin e sulmit. Ndërkohë, ekipet teknike po punojnë për rikuperimin e të dhënave të fshira në llogaritë e përdoruesve”, thotë njoftimi.
NATO ka reaguar për Report Tv lidhur me sulmin kibernetik ndaj Kuvendit të Shqipërisë. Për gazetarin Ermal Qori, një zyrtar i NATO-s thotë se Aleanca "mbështet një hapësirë kibernetike të lirë, të hapur, paqësore dhe të sigurt".
"Sa i përket sulmit kibernetik që përmendni në emailin tuaj, NATO mbështet një hapësirë kibernetike të lirë, të hapur, paqësore dhe të sigurt",- thuhet në reagimin e NATO-s për Report Tv.
I njëjti grup, Homeland Justice, në të shkuarën ka bërë disa sulme kibernetike ndaj faqeve zyrtare të disa institucioneve të tjera, kanë publikuar të dhëna personale të shqiptarëve, të dhëna bankare, apo numrat e celularëve, dhe gjithmonë kanë arsyetuar se shkaku, lidhet me vendimin e Shqipërisë për të strehuar muxhahedinët, opozitën iraniane, në kampin e Manzës.

![]()
NATO ka reaguar për Report Tv lidhur me sulmin kibernetik ndaj Kuvendit të Shqipërisë, nga grupimi i hakerave Homeland Justice, i cili është i lidhur me Iranin.
Për gazetarin Ermal Qori, një zyrtar i NATO-s thotë se Aleanca "mbështet një hapësirë kibernetike të lirë, të hapur, paqësore dhe të sigurt".
"Sa i përket sulmit kibernetik që përmendni në emailin tuaj, NATO mbështet një hapësirë kibernetike të lirë, të hapur, paqësore dhe të sigurt. Ne u bëjmë thirrje të gjitha shteteve që të respektojnë detyrimet e tyre ndërkombëtare, edhe kur veprojnë në hapësirën kibernetike, dhe të veprojnë në përputhje me kuadrin për sjellje të përgjegjshme të shteteve në hapësirën kibernetike, siç është konfirmuar nga të gjithë anëtarët e Kombeve të Bashkuara",- thuhet në reagimin e NATO-s për Report Tv.

Kuvendi ka reaguar lidhur me sulmin kibernetik nga një grup hakerash të lidhur me Iranin duke bërë me dije se ka ndodhur mbrëmjen e së hënës. Është vënë re një hyrje e paautorizuar në rrjet dhe fshirja e një pjese informacionesh në disa llogari.
Kuvendi bën me dije se sulmi ka pasur si synim fshirjen e të dhënave dhe cenimin e sistemeve të brendshme, por asgjë s’është prekur. Njëkohësisht janë marrë masat e nevojshme për izolimin dhe neutralizimin e sulmit, si edhe rikuperimin e të dhënave të fshirja.
“Në përgjigje të interesimit të medias, Kuvendi i Shqipërisë informon se mbrëmjen e djeshme, rreth orës 21:00, është konstatuar një akses i paautorizuar në infrastrukturën IT të institucionit. Gjatë verifikimeve është vënë re fshirja e një pjese të informacionit në disa llogari përdoruesish të punonjësve të administratës. Vlerësimi paraprak teknik tregon se mund të bëhet fjalë për një sulm të sofistikuar kibernetik, i cili ka pasur si synim fshirjen e të dhënave dhe cenimin e disa sistemeve të brendshme. Nga analizat e para rezulton se infrastruktura kryesore e punës nuk është prekur. Faqja zyrtare e Kuvendit të Shqipërisë dhe sistemet e tjera që mbështesin funksionimin e institucionit vijojnë të funksionojnë normalisht. Menjëherë pas konstatimit të incidentit janë marrë masa për izolimin e trafikut të dyshimtë dhe për neutralizimin e sulmit. Ndërkohë, ekipet teknike po punojnë për rikuperimin e të dhënave të fshira në llogaritë e përdoruesve”, thotë njoftimi.
Gjithashtu, veç institucioneve të posaçme për sigurinë kibernetike, është ofruar mbështetje edhe nga partnerët ndërkombëtarë.
“Për këtë situatë është ngritur një skuadër e përbashkët teknike dhe hetimore që po punon për analizimin e plotë të incidentit, identifikimin e burimit të sulmit dhe rikthimin e të dhënave të prekura. Në këtë proces Kuvendi i Shqipërisë po bashkëpunon ngushtë me institucionet përgjegjëse për sigurinë kibernetike, përfshirë Autoritetin Kombëtar për Sigurinë Kibernetike (AKSK), Drejtorinë për Hetimin e Krimit Kibernetik në Policinë e Shtetit dhe Komandën Kibernetike në Ministrinë e Mbrojtjes. Gjithashtu, gjatë këtyre orëve është ofruar mbështetje teknike edhe nga partnerët ndërkombëtarë, me të cilët po vijon komunikimi për vlerësimin e situatës dhe hapat e mëtejshëm”, përfundon njoftimi i Kuvendit.
Komente













po edi rama sikur tha kemi ecur shume para me sigurine kibernetike ... hahahahahaaaaa
PërgjigjuProblemi eshte qe pislliqet i bejne me telefonata e jo me emaila zyrtare or teeeejjjjj
Përgjigju