Homoseksualët, PLL: Berisha
të mbajë vendin e vet

Homoseksualët, PLL: Berisha <br />të mbajë vendin e vet
TIRANE – Ndërsa sot pritet zhvillimi në kryeqytet i një tryeze diskutimi me titull “Shoqëria Civile në mbrojtje të të drejtave të njeriut në Shqipëri” organizuar nga shoqatat kryesore LGBT në vend, Partia Lëvizja e Legalitetit (PLL) ka reaguar dje ndaj qëndrimit të Kryeministrit Sali Berisha sipas të cilit deklaratat e kreut të kësaj partie për homoseksualët janë të papranueshme. Në një deklaratë për shtyp thuhet se Berisha tejkalon të drejtat e tij kur komenton qëndrimet e Ekrem Spahiut. Pas deklarimit të Kryeministrit Berisha "pro" organizimit të paradës të LGBT në Tiranë, “nuk mbetet gjë tjetër veçse ai të materializojë edhe premtimin e tij të kahershëm për lejimin me ligj të martesave homoseksuale. Ndonëse këtë përkrahje ndaj LGBT-ve e kemi pritur të ndodhë prej ndonjë politikani tjetër, z. Berisha është në të drejtën e tij për të shprehur opinionin personal për këtë çështje edhe pse shkon kundër vullnetit të shumicës dërmuese të qytetarëve shqiptarë”, thuhet në deklaratën e PLL.

Por, Kryeministri Berisha “tejkalon të drejtat e veta kur merr përsipër të komentojë qëndrimet e kryetarit të partisë Lëvizja e Legalitetit z. Ekrem Spahiu. Ne kemi qëndrimet tona të pavarura e që burojnë prej programit të PLL. Ne asnjëherë nuk kemi komentuar qëndrimet e partive, fjalorin apo batutat e politikanëve të tjerë, sepse mendojmë se çdokush duhet të dije të mbajë vendin që i takon. Po të ishte rasti për komente të tilla, dihet fare mirë se kush ka për të thënë më shumë…”, thuhet në deklaratën e PLL.

Deklarata vijon më tej duke theksuar se Berisha e bën diçka të tillë për interesa të ditës. "PLL ka në themel të saj ligjshmërinë dhe askush nuk duhet të shpresojë se kjo parti mund të përfshihet në akte dhune. Ne respektojmë të drejtat e gjithsecilit dhe mendojmë se Shqipëria është vendi i qytetarëve porse, duhet të parandalohet me ligj çdo formë prozelitizmi. Si parti konservatore dhe mbretërore që bazohet në vlerat më të mira të popullit dhe kombit shqiptar, PLL mendon se nuk është në traditën tonë fisnike që, për interesa të ditës, të braktisen parimet morale që na kanë udhëhequr prej shekujsh. Ndërkohë, Avokati i Popullit, i cili duket se po pret me padurim që të organizohet një paradë e LGBT-ve në Tiranë, duhet të ndihet më shumë sesa i qetë. Ne presim nga ai dhe Kryeministri që të ndjehen më shumë të shqetësuar nga padrejtësitë që po vuajnë ish-pronarët e ligjshëm, ish-të burgosurit dhe përndjekurit politikë, të varfrit, njerëzit më aftësi të kufizuar, komunitetet fetare, etj. sesa nga fati i një grusht njerëzish”, përfundoi deklarata e PLL.

(im/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    Censi 2023, popullsia u tkurr me 419 mijë në 12 vite, cili është shkaku?



×

Lajmi i fundit

Luna feston 2 mujorin e lindjes, Kiara publikon foton e ëmbël

Luna feston 2 mujorin e lindjes, Kiara publikon foton e ëmbël