HONG KONG, 3 tetor /ATSH-AFP/ - Krerët e lëvizjes studentore të manifestuesëve pro demokracisë në Hong Kong njoftuan sot se nuk do të marrin pjesë në negociatat me qeverinë mbi reformën elektorale, duke vlerësuar se policia kishte lejuar grupime mafioze t'i sulmonin.
Federata e Studentëve të Hong Kongut njoftoi se nuk ka zgjedhje tjetër vetëm se të anulojë pjesëmarrjen e saj në bashkëbisedimet që synojnë t'i japin fund një javë manifestimesh që bllokon qendrën e qytetit.
"Qeveria dhe policia mbyllën sytë sot kur mafia sulmoi dhunshëm manifestuesit paqësorë", theksoi kjo lëvizje.
Shefi i ekzekutivit të Hong Kongut, që iu kërkua nga manifestuesit pro demokracisë që të dorëhiqet, nuk pranoi të kryejë këtë veprim, por i ofroi manifestuesve mundësinë e një dialogu mes palëve.
Ndërkohë që një dhunë në shkallë të gjerë përfshiu sot lagjen popullore të Mongkokut, ku ndodhej një grup studentësh që kishin nën kontroll kryqëzimin e rrugëve "Nathan Road" dhe "Argyle Street".
Grupi që i përket lëvizjes "Anti-OccupyCentral", të dalluar nga një shirit ngjitës blu, si edhe persona të tjerë pa këtë shenjë dalluese shkatërruan tendat e studentëve dhe manifestet e tyre.
Me kalimin e orëve turma e dhunshme u bë më e madhe në numër, çka provokoi edhe plagosjen e disa personave.
Kjo krizë filloi në gusht, kur Komiteti i Përhershëm i Asamblesë Kombëtare Popullore Kineze (parlamenti) shpalli se shefi i ekzekutivit të Hong Kongut do të zgjidhej me votim popullor në vitin 2017 por kandidatët në këto zgjedhje do të mbeten nën kontrollin e Pekinit./
/G.S/