Kuvendi ka zgjatur me tre vite përjashtimin 10-vjeçar nga tatimi mbi fitimin për hotelet dhe resortet me 4 ose 5 yje dhe me markë ndërkombëtare me status special. Ky propozim i padiskutuar më herët në komisionet parlamentare u njoftua vetëm gjatë miratimit në seancë. Me rezerva e sheh edhe Ministria e Financave, e cila është e parimit që të gjithë duhet të paguajnë.
“Filozofia e përgjithshme e Ministrisë së Financave është që sektori i turizmit do duhet të fillojë të kontribuojnë në mënyrë më të qenësishme, afatgjatë në buxhetin e shtetit. Është një sektor shumë i rëndësishëm për zhvillimin e vendit. Nga ana tjetër është një sektor i cili patjetër sa herë që ka një zhvillim ekonomik të shpejtë krijon zhbalancime shoqërore, pra përfitojnë ata të cilët janë të përfshirë në sektor, por jo shtresat e tjera dhe kjo do të thotë që shtresat e tjera paguajnë kostot e këtij zhvillimi”, thotë Endrit Yzeiraj.
Sipas zëvendësministrit këto lehtësi duhet të jenë vetëm afatshkurtra për këtë sektor, dhe më pas të kalohet në tatim normal.
“Mendimi ligjvënëse ka qenë që edhe për një periudhë relativisht afatmesme ato hotele të cilat janë brand name, dhe që në një farë mënyre janë magnetet kryesore për tërheqjen e një shtrese relativisht elitare të turizmit, të vazhdonin të kenë një përfitim. Por synimi në afatgjatë është që të gjithë duhet të paguajnë tatime”, tha zëvendësministri.
Lajmi kryesor:
Ku do shkojnë 10 mld eurot? Zv.ministri në Report TV: Nga pensionet, fëmijët, infrastruktura e deri tek 'armatosja' e vendit! Pse bonus për pensionistët? Yzeiraj: Zgjidhje skemat private të pensioneve







