Hoxha anglezeve ne 1952:
Rusët më kanë mërzitu

Hoxha anglezeve ne 1952:<br />Rusët më kanë mërzitu
TIRANE-Dihet se në periudhën e monizmit, Shqipëria njohu miqësi „të pathyeshme” e „të përjetshme” me „popuj vëllezër” e aleatë të mëdhenj, të cilët i humbi po me aq batare sa ç´i proklamonte se i kishte. Në këtë kontekst, dihen gjithashtu mirë edhe datat apo koha në të cilën ndodhën këto „prishje të mëdha”. Por fakte të çuditshme na vijnë nga mediat e huaja perëndimore, të cilat aludojnë se Shqipëria, më konkretisht Enver Hoxha testonte dhe bënte përpjekje me anë ndërmjetësish të ndryshëm e kanalesh diplomatike, të largohej nga ndikimi moskovit qysh në vitin 1952, pasi siç thekson një artikull i një të përditshmeje australiane; Hoxhës i kishte ardhur në majë të hundës nga ndërhyrjet sovjetike.

Artikulli në fjalë mban datën 20 prill 1952 dhe është botuar në gazetën australiane „Sunday Herald”, në faqen 3 të saj. Nuk përmban asnjë emër autori, ndërsa i referohet burimeve të besueshme nga rrethet zyrtare britanike, të cituara pa emër nga korrespondentët e saj londinezë, gjithashtu anonimë.
Ai megjithatë duket se sjell një kontribut të veçantë, pavarësisht dyshimeve që ngre, pasi përbën ndoshta të vetmin material që aludon qartazi përpjekjet e Enver Hoxhës për t´u shkëputur nga Moska në një kohë që gjerësisht njihet e përshkruhet si „vasaliteti i verbër i Shqipërisë ndaj Moskës”. Artikulli në fjalë pohon në fakt edhe dëshmitë që vinin asokohe nga gazetat e tjera perëndimore mbi represionin radikal që ushtrohej nga regjimi (kujtojmë se bëhet fjalë për kohën që pasoi të ashtuquajturën „Bomba në Ambasadën Sovjetike”, që mori brenda një nate pa gjyq jetën e 22 intelektualëve shqiptarë).
Ai e vë gishtin sidomos tek ish-Ministri i Brendshëm Mehmet Shehu, i cili me këtë rast citohet të ketë dhënë urdhëra shumë të rreptë e vendosur kufizime, madje edhe për vetë personelin e ambasadave të huaja perëndimore, më konkretisht asaj franceze e italiane, si të vetmet përfaqësuese të Perëndimit të mbetura në Shqipëri në atë kohë. Pohimeve të fundit u shtohen si fakte edhe më parë në kohë edhe materialet e prestigjozes gjermane „ Der Spiegel”, në një numër të sajin në vitin 1951 (shiko: Albanien / Wieder in die Berge, 13 qershor 1951, fq. 20-21), e cila njëkohësisht pohon se: Hoxha është spostuar për t´i lënë vend Shehut, i trajnuar në Moskë.
Mos ishin këto masa represive ndoshta domethënëse edhe për vetë Hoxhën, i cili i mbetur nën hijen e Shehut, tashmë ia kishte frikën një përmbysje në kupolën më të lartë të regjimit, gjë që do të mund të sillte një fat të paparashikuar edhe për vetë atë? – Mos ndoshta Hoxha kishte sinjale mbështetje nga Perëndimi që e bënin të besonte se një përpjekje të paktën ia vlente, për ta pasur dritën jeshile gjithnjë të hapur drejt Perëndimit në rastin më të keq për të, ndërsa në popull propagandohej me batare miqësia e madhe me Bashkimin Sovjetik? – Interesant është fakti se në fund të artikullit, Hoxha madje sa nuk vlerësohet si një udhëheqës, të cilit do i ishin mirënjohës edhe vetë luftëtarët e rezistencës antikomuniste, nëse ai do ia mundësonte një rrugëtim të shpejtë e të lehtë drejt „botës së lirë”.
Fatkeqësisht, kjo nuk ndodhi kurrë, por në atë kohë të paktën në dukje, kalkulimet e momentit i bënin jo vetëm perëndimorët, por edhe vetë shqiptarët të besonin se ai regjim do të rrëzohej shumë shpejt, falë kontradiktave në kampin socialist, interesit të supozuar të Perëndimit ndaj zhvillimeve në Shqipëri, konflikteve në vetë kupolën komuniste të kohës, rezistencës antikomuniste brenda e jashtë vendit, pozicionit strategjik të Shqipërisë dhe ndoshta edhe vetë trendit krejt të veçantë e brutal të komunizmit shqiptar, cili s´përputhej aspak me natyrën, kodet e sjelljes dhe traditën shqiptare.
Një paragraf tjetër, nga viti 1950 ( shiko: Revoltë në satelitin e vogël sovjetik , “Sunday Herald”, 18 qershor 1950, fq. 8) na rrëfen nga ana tjetër diçka më shumë në lidhje edhe me atë që mund ta cilësojmë si „hezitim i sovjetikëve për t´u marrë me Shqipërinë”. Arsyet për këtë qëndrim, shiheshin në konstatimet se: Me përfundimin e luftës civile në Greqi, furnizimet sovjetike për Shqipërinë nisën të rralloheshin. Në fakt akoma ka një listë të rregullt ngarkesash nga portet rumune të Detit të Zi drejt Shqipërisë, por ato sjellin, sipas disa vëzhguesve, vetëm mallra të mjaftueshme sa për të mbajtur më këmbë regjimin aktual.
Më poshtë, në po të njejtin artikull vihet në dukje një fakt i rëndësishëm, i cili do të hasej edhe dy vjet më vonë, duke e theksuar edhe më shumë natyrën e veçantë të sjelljes sovjetike ndaj Shqipërisë, megjithëse zyrtarisht Shqipëria betohej se ishte besniku më i madh i Moskës për kohën, siç na sugjeron paragrafi i mëposhtëm: Shqipëria është i vetmi vend në Europën Lindore, me të cilin Bashkimi Sovjetik nuk ka nënshkruar akoma një marrëveshje të ndihmës reciproke. Një sugjerim për këtë sjellje do të ishte se ndoshta Rusia kupton se ajo copë toke në cep të Adriatikut nuk do të mund të mbrohej dot, nëse puna do të vinte e tillë.
Bashkangjitur me këtë artikull, ia vlen të sjellim në vëmendje edhe përpjekjet e Komitetit „Shqipëria e Lirë”, i cili dukej shumë aktiv në atë kohë, duke të dhënë përshtypjen se situata e nderë dhe mungesat e theksuara ekonomike, do të sillnin shumë shpejt rrëzimin e sistemit. Në një artikull të gazetës së tyre „Shqipëria” në fillimvitin 1952 - e cila botohej një herë në dy muaj - (shiko: Mbrapa Perdes së hekurt diçka zien / Tschuvakini hiqet prej Tirane, Gazeta Shqipëria, Vëll. II, Nr. 1, fq. 1, mars 1952), ata madje rreken pak a shumë në po të njejtën kohë të gjejnë edhe arsyet e vërteta se pse ishte larguar ambasadori sovjetik, Çuvakin, i cili cilësohej gjerësisht prej tyre si „Pushtetari nr. 1 i Shqipërisë”, në rolin e mëkëmbësit direkt të Stalinit në Tiranë.
Më konkretisht mbi rëndësinë e kësaj ngjarjeje, ata shkruanin: Organet e K.K.Sh.L. kanë lajmue qysh tri javë ma parë se në Shqipni po ngjajnë diçka me randësi në politikën e mbrendshme dhe të jashtme. Lajmet tona kanë qenë dhanë me rezervën që na imponojnë rrethanat e krijueme nga Perdja e Hekurtë. Largimi i ministrit rus prej Tirane dhe zavendësimi i tij prej Klement Leveshkin, kanë nji kuptim të jashtëzakonshëm.
Më tej, po aty shkruhet se: Nuk dihet mirë se si ka përfundue grindja mes Enver Hoxhës e Mehmet Shehut. Në qoftë se Moska e pa të nevojshme tërheqjen e Çuvakinit, mbas kaq vjetësh qëndrimi dhe eksperience në punët e Shqipërisë, do të thotë se kanë qenë arsye shumë të forta që e detyruan Moskën të marrë këtë masë të papritun”. Nuk janë vetëm grindjet e mbrendshme që e kanë detyrue Kremlinin të ndërroj përfaqësuesin e saj në Tiranë. Moska e sakrifikoi Tschuvakinin në bazë t´ankimeve që ka ba qeverija e Enver Hoxhës në lidhje me sjelljet e këqija të Rusvet dhe për mosplotësimin e kaq premtimeve të Moskës për t´i ardhë në ndihmë ekonomikisht dhe politikisht Qeverisë s´Enver Hoxhës që po kalon ditët më të vështra qysh nga marrja e fuqisë në dorë.
Por le të kthehemi tek artikulli i australianes në vitin 1952, i cili përbën edhe bazën e këtij materiali. Për të hequr çdo dyshim dhe keqinterpretim, ia vlen që ai të sillet i plotë për lexuesin në shqip, nën titullin origjinal:
Raportohen lëvizje të Shqipërisë për t´u shkëputur nga Rusia
A do të bëhet Hoxha një Tito tjetër?
Nga stafi i korrespondentëve tanë në Londër
Londër, 19 prill 1952 - Një burim i besueshëm në Londër thotë se diktatori komunist i Shqipërisë, Z. Enver Hoxha, i është afruar Britanisë për të testuar se si do të reagonte Perëndimi ndaj një deklarate pavarësie të Shqipërisë ndaj Rusisë. Burimi thotë se Z. Hoxha e ka bërë të qartë pozicionin e tij nëpërmjet kontakteve neutrale, pas ndërhyrjeve në rritje të sovjetikëve në punët e brendshme të Shqipërisë.

REAKSIONE TE SHPEJTA
Burimi thotë se pas tetë vjet ndërhyrjesh nga Moska , Z. Hoxha , një ish-punëtor fabrike cigaresh me trup të bëshëm, tashmë i ka ardhur në majë të hundës. Lëvizja e tij e pashpresë për t´u bërë një Tito i dytë, e bërë nga pallati i tij me mure të bardhë në Tiranë, ka sjellë reagime të shpejta nga pala sovjetike. Raportohet se Ministri i Brendshëm shqiptar, Gjeneral Mehmet Shehu, një ish-student i shkollës moskovite i brumosur me stalinizmin, ka përjashtuar ndërkohë 6 mijë anëtare partie, ose tetë përqind të totalit në rang vendi. Ai gjithashtu ka urdhëruar një përndjekje të rreptë të veprimeve të të gjithë anëtarëve të legatës franceze e italiane në Tiranë – të vetmet legata të mbetura në kryeqytetin shqiptar, si përfaqësuese të shteteve perëndimore. Ai u ka kufizuar lëvizjen diplomatëve të huaj në një rreze që shkon deri në 24 milje dhe thuhet se ka urdhëruar arrestimin e përkthyesit dhe të shoferit të ambasadorit francez. Lëvizjet e tij pasuan refuzimin zyrtar sovjetik të Shqipërisë, e cila nuk është pranuar kurrë nga Kominformi dhe s´ka regjsitruar akoma ndonjë rast për të konkluduar në marrëveshje ushtarake me Rusinë. Asnjë delegacion sovjetik nuk ishte prezent në Kongresin e Partisë së Punës dy javë më parë, megjithëse të gjithë satelitët e Moskës dërguan atje përfaqësuesit e tyre. Moska gjithashtu ka tërhequr ambasadorin e saj, duke lënë atje një të dërguar me punë. Zyrtarët britanikë kanë frikë se në Shqëipëri mund të nisë një shpërthim dhune i ngjashëm me ato të një viti më parë, kur 6000 titistë dhe partizanë iu ngjitën malit për të luftuar në gryka malesh e qytete në një përpjekje për të rrëzuar regjimin. Me terrenin e saj të çuditshëm, trendin e veçantë të komunizmit që aplikon dhe komplekset e saj ndaj ndryshimit të shpejtë, Shqipëria mund të hidhet lehtësisht në krahët e perëndimit, përtej faktit se pozicioni i saj gjeografik si sateliti i vetëm stalinist në Adriatik dhe komandimi prej saj, si një dalje strategjike për në Mesdhe, e bëjnë atë një pikë të fuqishme ku fokusohet vëmendja.
Ka pak dyshim në Perëndim se Marshalli Tito po ndihmon jo-kominformistët shqiptarë. Mijëra shqiptarë kanë marrë arratinë nga vendi i tyre drejt Jugosllavisë, përgjatë këtyre muajve të fundit, ku i janë dhënë racione speciale, duhan dhe veshje tekstili, të cilat u janë mohuar atyre në vendin e vet. Disa thuhet se janë kthyer sërish në Shqipëri dhe kanë formuar një rrjet ilegal, që lavdëron sistemin e Titos dhe ka formuar një opozitë ndaj qeverisë. Komunizmi shqiptar i ka rrënjët e tij në metodat jugosllave. U mboll e u trajnua nga Beogradi, i cili e furnizoi me ushqime, këshilltarë ekonomikë dhe teknikë. Një marrëveshje u nënshkrua me ta, duke sjellë në shina ekonomitë e dy vendeve.

PERFITIME TE DYSHIMTA
Kur Tito u prish me Moskën, jugosllavët u bënë armiq për shqiptarët. Por tashmë Z. Hoxha me pikëpamje diktatoriale, duket se po ndjen se duhet t´i shkëpusë sërish këto lidhje. Shqipëria ka dyshime shumë të mëdha në lidhje me “përfitimet” që vijnë nga ndihma sovjetike. Rusët sollën me vete makineri për të nxjerrë naftë, prodhuar bitum dhe burime të tjera minerare, duke i eksportuar shumicën e tyre drejt Rusisë. Një bazë nëndetësesh raportohet se është ndërtuar në Gjirin e Vlorës, ruajtuar me radarë e raketa. Një milionë banorët e Shqipërisë, në shumicën e tyre myslimanë dhe me orientim oriental, turbulentë dhe tribalë nga instikti, kanë reaguar me trimëri nëpërmjet akteve sporadike të kundërshtimit ndaj pushtetarëve të tyre. Shumë prej tyre do t´i ishin mirënjohës nëse Hoxha do t´i çonte ata nëpër një rrugë të shpejtë e të lehtë drejt Perëndimit.

(Marrë nga: “Sunday Herald” ( Australi), 20 prill 1952, fq, 3)
(Shkrimi eshte publikuar ne te perjavshmen kulturore Rilindasi, 18 mars 2012)
(sg/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:
    27 Nëntor, 11:43

    Si e vlerësoni vendimin e GJKKO që liroi Berishën nga arresti shtëpiak?



×

Lajmi i fundit

Ja pse 'lirimi' i Sali Berishës i gëzoi të gjithë

Ja pse 'lirimi' i Sali Berishës i gëzoi të gjithë