Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Ferit Hoxha, zhvilloi sot një bisedë telefonike me Anita Orban, e cila pritet të marrë detyrën e Ministres së Jashtme të Hungarisë.
Gjatë bisedës, Hoxha vlerësoi mbështetjen e vazhdueshme që Hungaria i ka dhënë Shqipërisë në rrugën drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian. Të dy bashkëbiseduesit ranë dakord për rëndësinë e forcimit të dialogut politik dhe zgjerimit të bashkëpunimit ekonomik, me fokus në rritjen e investimeve dhe bashkëpunimin në sektorë kyç.
Hoxha shprehu gatishmërinë për të thelluar më tej marrëdhëniet dypalëshe, në funksion të stabilitetit dhe avancimit të procesit integrues të Shqipërisë në BE.
Ndërkohë, kjo bisedë vjen në një moment të rëndësishëm politik për Hungarinë, pas zgjedhjeve parlamentare të mbajtura më 12 prill, ku Peter Magyar dhe partia e tij arritën një fitore të thellë, duke i dhënë fund 16 viteve në pushtet të Viktor Orban.
Postimi i ministrit Ferit Hoxha
Sot pata një bisedë telefonike të ngrohtë dhe produktive me znj. Anita Orbán, Ministren e ardhshme të Punëve të Jashtme të Hungarisë.
Shpreha vlerësimin tim për mbështetjen e vazhdueshme politike dhe teknike që Hungaria i ka dhënë Shqipërisë dhe procesit tonë të anëtarësimit në BE.
U dakordësuam mbi rëndësinë e forcimit të dialogut politik përmes shkëmbimeve më të shpeshta në nivel të lartë, zgjerimit të bashkëpunimit ekonomik, nxitjes së investimeve, si dhe thellimit të bashkëpunimit në sektorë kyç me interes të përbashkët. Po ashtu, shkëmbyem mendime mbi nevojën për koordinim më të ngushtë në adresimin e sfidave aktuale evropiane dhe rajonale.
Mirëpres angazhimin e znj. Orbán dhe ndaj të njëjtin besim e gatishmëri për të punuar edhe më ngushtë së bashku, për të avancuar marrëdhëniet tona dypalëshe dhe për të kontribuar në stabilitetin, zhvillimin dhe progresin e procesit të anëtarësimit të Shqipërisë në BE, si dhe në perspektivën evropiane të rajonit.
Komente










