PRISHTINË, 17 Nëntor /ATSH/.- Ambasadori i Mbretërisë së Norvegjisë në Prishtinë, Jan Braathu, ka vlerësuar punën që po bën Prokurori i Shtetit i Kosovës lidhur me bashkëpunimin me qytetet kufitare të Shqipërisë, ndërsa e inkurajoi që këto bashkëpunime të intensifikohen dhe me vendet e tjera kufitare.
Ushtruesi i Detyrës së Kryeprokurorit të Shtetit, Sylë Hoxha priti sot në takim ambasadorin Braathu, të cilin e njohu me aktivitetet që Prokurori i Shtetit është duke zhvilluar me institucionet e sistemit të drejtësisë të qyteteve kufitare të Kosovës, me ato të Republikës së Shqipërisë për koordinim më të mirë në luftë kundër krimit ndërkufitar. Ai ka thënë se aktivitete të tilla si me qytetet kufitare të Shqipërisë, pritet të zgjerohen edhe me qytetet kufitare të vendeve të tjera.
Gjatë këtij takimi u bisedua edhe për mundësinë e thellimit të bashkëpunimit mes Prokurorit të Shtetit të Kosovës me atë të Norvegjisë. Ambasadori Braathu shprehu gatishmërinë e tij për të ndihmuar thellimin e bashkëpunimit mes sistemeve prokuroriale të dy vendeve.
Hoxha falënderoi për mbështetjen që ka dhënë dhe po vazhdon të japë shteti norvegjez për sistemin prokurorial të Kosovës, ku është veçuar mbështetja që është duke u dhënë në projektin e sistemit menaxhues dhe informativ të lëndëve për sistemin e drejtësisë.
Kryeprokurori Hoxha njohu ambasadorin Braathu me punën që është duke bërë Prokurori i Shtetit, ndërsa theksoi se luftimi i korrupsionit, krimit të organizuar dhe krimit në përgjithësi, është prioritet i punës së Prokurorit të Shtetit./b.j/k.s/