TIRANE- Kandidati i dorëhequr për postin e presidentit Artan Hoxha nis aksionin për sqarimin e “baltës” dhe akuzave ndaj tij si ish bashkëpunëtor i Sigurmit të Shtetit.

Akuza të cilat detyruan të japë dorëheqjen nga kandidatura e presidentit, pak para se të niste votimi në parlament. Ndërkohë që mazhoranca kishte mbledhur 40 firma për të mbështetur kandidaturën e tij për kreun e lartë të Shtetit.

Nëpërmjet rrjetit social facebook, analisti i njohur tregon për takimin me bashkëpunëtorin e Sigurimit të Shtetit në më 18 shator 1981, kur ai ishte vetëm 17 vjeç, diku pranë ambienteve të shkollës në qytetin e Durrësit.

Sipas Hoxhës përgjigjja për rekrutimin kishte qenë një “JO e qartë e pakapshme dhe e pandëshkueshme” ndërsa ngre pyetjen: A mos iu duk kjo JO, një PO për bashkëpunëtorin.

Hoxha tregon më tej se nga dokumentet që ka mundur të sigurojë këto ditë, Sigurimi i Shtetit e ka tërhequr si bashkëpunëtor më 21 shtator 1981, ndërsa e kishte larguar si bashkëpunëtor me vendim te arsyetuar te këtij organi te datës 28.12.1982 dhe pasqyruar në kartelë me 5.1.1983 e me motivacionin “e inaktivitetit dhe padobisë ... pasi nuk ka dhënë gjatë kësaj kohe asnjë material për qëllimin qe u tërhoq”.

TË HAPEN DOSJET E SIGURIMIT
Pas rrëfimit sqarues për publikun analisti i njohur informon se ka filluar hapat juridikë për sigurimin e provave dhe rrëzimin formal si të padrejtë të këtij regjistrimi.
“Sot kam bërë kërkesën zyrtare pranë Sherbimit Informativ Shtetëror për akses në të dhënat e mia personale deri aty ku nuk cenohet siguria kombëtare dhe interesi i palëve te treta….Ndërkaq, po krijoj bindjen se një rast i këtillë nuk është i vetëm. Shume shqiptare mund te kenë pësuar diçka te ngjashme. Nuk i kanë shërbyer Sigurimit me asnjë material a informacion dhe janë regjistruar prej tij si bashkëpunëtore.” – shkruan Hoxha në shkrimin e gjatë të publikuar në face book me titull “Unë, Sigurimi dhe Lapangjozet e Demokracisë”

Hoxha i drejtohet autoriteteve shtetërore, Kuvendit, Qeverisë, Opozitës, SHISH, Avokatit të Popullit, Komisionerit për Mbrojtjen e te Dhënave Personale, Drejtorisë se Informacionit te Klasifikuar, organizatave ne mbrojtje te te drejtave te njeriut, medies dhe opinionit publik te mbështesin te drejtën e aksesit në të dhënat personale te vetat nga çdo individi e për aq sa nuk cenohet as siguria kombëtare dhe as interesi i personave te trete. Ky është minimumi i minimumit te domosdoshëm.
“Transparenca mbi dosjes nuk është vetëm për te demaskuar maskarenjtë por edhe për t’iu dhenë shansin viktimave te Sigurimit te vene ne vend dinjitetin qe sot mund t’iu neperkembet edhe nga kushedi se cfare lapangjozesh.”- shkruan Hoxha.

Shkrimin e gjatë Hoxha e mbyll me një kujtesë për ata që ai i quan lapangjozë “Sa për ju lapangjozet, besoj se e keni kuptuar se unë di të luaj edhe me armët tuaja e ndonjëri nga ju do të më bjerë në rrjetë nëse vazhdon avazin. Mjere ti qe do biesh se do heqësh kusuret e te tjerëve. Një me mjafton për te gjithë.”

Redaksia online
(sg/shqiptarja.com)