Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Ferit Hoxha, po zhvillon një vizitë në Vilnius të Lituanisë.

Hoxha u prit nga Ministri Kęstutis Budry, në një takim që konfirmoi marrëdhëniet e shkëlqyera mes Shqipërisë dhe Lituanisë, të bazuara në vlerat e përbashkëta evropiane dhe angazhimin e përbashkët për sigurinë dhe stabilitetin e Evropës si dy vende anëtare të NATO-s.

Ministri Hoxha shprehu mirënjohjen ndaj Lituanisë për mbështetjen ndaj procesit të anëtarësimit në Bashkimin Evropian të Shqipërisë.

Sipas tij, Presidenca lituaneze e Këshillit të Bashkimit Evropian, në gjashtëmujorin e parë të vitit 2027, do të jetë një mundësi e rëndësishme për ta mbajtur zgjerimin në krye të axhendës evropiane.

Ministri lituanez Kęstutis Budry, deklaroi se Shqipëria është sot një shembull i faktit se si funksionon një proces zgjerimi i BE i bazuar te merita dhe rezultatet konkrete të vendeve kandidate, duke vlerësuar kështu rrugëtimin e deritanishëm të Shqipërisë në rrugën drejt anëtarësimit në BE.

Ministri Hoxha shprehu gjithashtu vlerësimin për qëndrueshmërinë dhe lidershipin e Lituanisë përballë sfidave të përditshme të sigurisë që burojnë nga agresioni rus në Ukrainë.

"Qëndrimi i përbashkët me partnerët tanë mbetet thelbësor për mbrojtjen e paqes, lirisë dhe rendit ndërkombëtar të bazuar në rregulla", tha ai.

Ministri nënvizoi mbështetjen e palëkundur të Shqipërisë për Ukrainën, sovranitetin dhe integritetin territorial të saj.

Ministrat u ndalën edhe në thellimin e bashkëpunimit në kuadër të NATO-s, përfshirë mundësinë që Shqipëria të përfitojë nga përvoja e vyer e Lituanisë në organizimin e suksesshëm të Samitit të NATO-s në Vilnius në vitin 2023, ndërsa vijojmë përgatitjet për organizimin e Samitit të NATO-s në Tiranë në vitin 2027.

Në një postim në X pas takimit, Hoxha deklaroi se "në takim diskutuam edhe mënyrat për të thelluar bashkëpunimin tonë dypalësh në fusha kyçe, veçanërisht lidhjet tona ekonomike dhe tregtare, në teknologjinë e informacionit dhe turizmin".

Të dy ministrat nënshkruan Marrëveshjen për eliminimin e tatimit të dyfishtë dhe parandalimin e evazionit tatimor që përbën një hap konkret drejt forcimit të bashkëpunimit ekonomik.

Vizita e Hoxhës në Lituani do të vijojë me takimet me drejtuesit e Komisionit Parlamentar për Punët e Jashtme, Dhomën e Tregtisë dhe Industrisë, dhe Qendrën e Studimeve për Siguri dhe Gjeopolitikë.