PRISHTINË, 3 Dhjetor /ATSH/- Ministri i Jashtëm  i Kosovës, Enver Hoxhaj, në takimin e Koalicionit kundër ISIS në NATO, është përplasur me mininistrin e Jashtëm të Serbisë, Ivica Daçiç. Ministri i jashtëm kosovar nuk e ka lënë të flasë në emër të Kosovës homologun e tij serb, raporton media e Prishtinës.
Kryediplomati serb gjatë fjalimit të tij ka thënë se Ballkani është në rrezik nga radikalët, pasi "në rajonin e Rashkës në jugperëndim të Serbisë dhe në Kosovë ekzistojnë pjesëtarë të radikalizuar të komunitetit islam, të vendosur në qendra fetare që financohet nga jashtë".
Menjëherë ka reaguar Hoxhaj duke kërkuar nga Daçiçi që të mos e keqpërdor takimin.
"Unë kam kundërshtuar fuqishëm përmendjen e Kosovës në një deklarim të ministrit të Jashtëm të Serbisë, Daçiç, me ç'rast kam kërkuar që ai të mos keqpërdor një takim të tillë të madh global nën udhëheqjen e SHBA-së meqë ai nuk ka të drejtë të flasë në emër të Republikës së Kosovës", ka thënë Hoxhaj për KTV-në./b.j//a.ke/