Hoxhaj në Tiranë, me Panaritin:
Prioritet, njohja e  Kosovës

Hoxhaj në Tiranë, me Panaritin: <br />Prioritet, njohja e  Kosovës
TIRANE - Republika serbe gradualisht po e pranon ekzistencën e kufirit në mes Kosovës dhe Serbisë. Kështu ka deklaruar ministri i Punëve të Jashtme të Republikës së Kosovës, Enver Hoxhaj, i cili ndodhet në Tiranë që prej ditës së djeshme në kuadër të një vizite zyrtare dy ditore (11-12 nëntor), me ftesë të homologut shqiptar, ministrit Edmond Panariti.

Në një konferencë të përbashkët për mediat, dhënë menjëherë pas takimit mes tyre, Hoxhaj tha se e informoi homologun e tij për procesin e normalizimit ne mes Kosovës dhe Serbisë. Hoxhaj tha se fundi i konflikteve mes këtyre dy vendeve, do të jetë vetëm kur të dyja palët të bien dakord për diçka të tillë, por theksoi se puna e parë duhet të nis nga largimi i strukturave ilegale të policisë në veri të Kosovës.

Ndërkaq, edhe nga ana e ministrit Panariti u shpreh bashkëpunimi i Shqipërisë, "akoma edhe më intensiv me Kosovën në proceset integruese që ajo tashmë ka nisur", ndërsa njëkohësisht uroi Hoxhajn për progresin e deritanishëm që ka bërë Kosova.

“Është në prioritetin tonë që të njihet Kosova nga shtete që ende nuk e kanë bërë këtë, Shqipëria po lobon fuqishëm. Përgëzoj Hoxhan për njohjet e reja si Guinea e Re dhe Timori Lindor. Harta e njohjeve do të zgjerohet shumë në këtë fund vit dhe në fillim të viti të ardhshëm.”, - tha Panariti.

Nga ana tjetër, kreu i diplomacisë shqiptare theksoi se mbështet Kosovën në bisedimet kufitare që po kryen me Serbinë. "Qëndrimi i Shqipërisë është në mbrojtje të vijave të kuqe. Përfshi edhe të serbëve në veri të Kosovës dhe integrimit të tyre në institucionet e Kosovës.", -u shpreh Panariti.

BASHKEPUNIMI KOSOVE - SHQIPERI
Në konferencën e përbashkët për shtyp, ministri Panariti tha se bashkëpunimi mes dy vendeve shfaqet në një 5-fishim të bashkëpunimit ekonomik, dhe jo vetëm. Gjithashtu ministri i Jashtëm tha se në bisedën me homologun e tij, theksuan mundësinë për bashkëpunim politik mes dy vendeve dhe zgjerim të marrëdhënieve diplomatike.

Ndërkaq, ministri i jashtëm kosovar, tha se i paraqiti homologut të tij një draft propozim të protokollit të bashkëpunimit Kosovë-Shqipëri në fusha të ekonomisë, arsimit, kulturës e turizmit. "Biseduam se si ky protokoll të nënshkruhet sa më shpejt", vijoi Hoxhaj.

TAKIMI NE "MUAJIN E 100-VJETORIT"
Takimi i sotëm i realizuar mes dy homologëve, atij kosovar, Enver Hoxhaj dhe ministrit të Jashtëm shqiptar, Edmond Panariti u zhvillua në një vit historik për Shqipërinë, siç është 100-vjetori i Pavarësisë. Kryediplomati shqiptar e cilësoi si mjaft të rëndësishme vizitën e Hoxhajt "në një kohë që edhe pak ditë na ndajnë nga muaji historik i Pavarësisë."

Gjatë fjalës së tij, ministri Hoxhaj, tha se Pavarësia e Kosovës i ka dhënë kuptim edhe 100-vjetorit të Shqipërisë. "Në emër të popullit të Kosovës falenderoj popullin shqiptar për mbështetjen e rëndësishme ndaj Kosovës drejt rrugës për pavarësinë e saj", theksoi kryediplomati kosovar.

TAKIMI ME MRIKIC, PANARITI: I KERKOVA TE NDALE DHUNEN NDAJ KOSOVES
I pyetur nga gazetarët mbi takimin që ministri Panariti zhvilloi në Tiranë disa javë më parë me ministrin e Jashtëm serb Ivan Mrkiç, kryediplomati shqiptar tha se: "I kërkova Mrkiç që Serbia të ndalë dhunën dhe keqtrajtimin ndaj shqiptarëve të Preshevës dhe të bëjë ç'është e mundur për tu integruar në jetën sociale, ekonomike të vendit." Qytetarët e Preshevës, vijoi Panariti- janë ura e komunikimit mes Kosovës dhe Serbisë.

Nga ana tjetër, Hoxhaj theksoi gjatë fjalës së tij, se aspirata është rikthimi i dy shteteve në Evropë. Për Shqipërinë sipas tij, ky fakt konkretizohet me anëtarësimin në Be, ndërsa për Kosovën me nënshkrimin e marrëveshjes së stabilizim-asoocimit.
"Të kemi mbështetjen e shtetit shqiptarë sa i takon integrimit të Kosovës në sistemin ndërkombëtar.", tha Hoxhaj.

Gjatë vizitës së tij në Tiranë, Ministri i Jashtëm Kosovar, Enver Hoxhaj pritet të zhvillojë takime edhe me kryeministrin e vendit Sali Berisha, presidentin e Republikës Bujar Nishani si dhe kryeparlamentaren, Jozefina Topalli.

Redaksia Online

(Gre.M/Shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    Kabineti i ri qeveritar, jeni dakord me ndryshimet e bëra nga Rama?



×

Lajmi i fundit

Një muaj më parë KPK e konfirmoi në detyrë, kush është kryeprokurori i Vlorës që u kap nga SPAK

Një muaj më parë KPK e konfirmoi në detyrë, kush është kryeprokurori i Vlorës që u kap nga SPAK